Vitet shkojnë, por vitaliteti publicistik i Pëllumb Kullës nuk venitet, përkundrazi. Të premten UET promovoi botimin e tij më të fundit teksa nuk munguan studiuesit dhe personalitetet e njohura publike ku dalluan ish-Presidenti Bamir Topi, apo ish-Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Pas tre botimesh të mëparshme – “Unë grindaveci” (2021), “Diktatura e parasë” (2020), “Luftë pa fund” (2013) – Kulla rikthehet në UET Press me ribotimin e librit “Lejlekët nuk vijnë më”, i cili vjen i rishikuar nga autori ndërsa pjesë të tij pritet të kthehen në film nga regjisori Leonard Bombaj.
“Lejlekët nuk vijnë më” është ndërtuar mbi tregime satirike nën renditjen e së cilës autori krijon një strukturë romanore të realitetit të kohës së komunizmit, të cilin siç thotë në pasthënie Përgjegjësi i Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, Dr. Ermir Nika ai “nuk e retushon nga asnjë nuancë e panatyrshme”. Përmes personazheve dhe ngjarjeve të ndryshme Kulla ia del të japë një tablo gri, absurdi, grotesku të tragjikomedisë që u përjetua nën diktaturë.
Ai luan me simbolikat dhe nxjerr në pah izolimin, përgjimin, mizorinë e Sigurimit të Shtetit, luftën e klasave, dhe deformimet që regjimi i nxiti jetës njerëzore duke kulmuar me historinë e një gomari, që u hoq nga skenarët e filmave vetëm se i përkiste një të deklasuari.
“Libri nuk ka vetëm rrëfenja groteske dhe autori nuk ka vetëm nota humori. Në një prej tyre […] zbulon metodat e Sigurimit të Shtetit, me përgjimet dhe spiunimet dhe sesi arrinte të futej edhe në lidhje të ngushta familjare e shoqërore, duke i kthyer miqtë në armiq. Apo Paranojën që kishte futur tek çdo njeri sistemi,” – analizoi gjatë promovimit kryeredaktorja e UET Press, Suadela Balliu.
Sipas Balliut libri është i çmuar për brezat e rinj, të cilët duke mos e përjetuar atë kohë nuk i kanë nocionet e duhura për ta kuptuar si duhet se çfarë ishte dogma dhe frika komuniste.
Për Dr.Ermir Nikën me stilin gjuhësor të të shkruarit dhe fuqinë e fjalëve të përzgjedhura Pëllumb Kulla ka ngjashmëri me shkrimtarë të shquar të shqipes si Mitrush Kuteli, Ismail Kadare apo dhe Gjergj Fishta.
“Raporti që autori ka me gjuhën mua më ka lënë një shije të jashtëzakonshme, sepse gjuha daton kohën […] duke lexuar veprën ne zhvendosemi në kohë. Në mënyrë intuitive autori ka një korpus shumë të madh fjalësh, idiomash, shprehish, të cilat i ka krejt origjinale,” – analizoi Dr. Nika.
“Jam i bindur që këto vepra do të jetë shumë vështirë që të kenë pasues. Jemi në një krizë të madhe për krijues të rinj të gjithë rendin pas komercialitetit, industritë krijuese joshin me objektivat e tyre ndaj sot krijuesi rend drejt suksesit jo drejt së vërtetës,” – komentoi ai më pas duke vlerësuar Kullën si të papërsëritshëm.
Duke lexuar librin “Lejlekët nuk vijnë më”, regjisori Leonard Bombaj, i cili është njohur me veprat e Kullës në mesin e viteve 80-të, është frymëzuar që disa tregime të tij t’i kthejë në një film. I pranishëm gjatë promovimit të librit, Bombaj e konsideroi si “tmerrin më të bukur” të karrierës së tij artistike.
“Nuk është ëndërr, është plan, tashmë ka filluar të eci edhe më shumë […] janë 80 vjet, tre epoka, janë 60 aktorë dhe rreth 450 figurantë, pra më shumë se sa film është një manifestim kinematografik […] është film që ka sakrificë, mbijetesë, falje dhe bashkëjetesë nga pena e Pëllumb Kullës,” – tha Bombaj teksa lexoi një mesazh të producentit amerikan Steven Fischler, i cili premtonte mbështetje për produksionin.
UET e ka mbështetur që në fillim nismën e Leonard Bombajt për një film për Pëllumb Kullën dhe në përgjithësi për zhanrin e biografive filmike, të cilat në Shqipëri janë të pakta në prodhime pavarësisht fuqisë së kumtit që ato përcjellin.
Duke vlerësuar komentet, mbështetjen për botimin dhe organizimin e promovimit, shkrimtari Pëllumb Kulla u shpreh i emocionuar se për të libri “Lejlekët nuk vijnë më” është “libri më i dashur”.
“Është një libër i hartuar me kohë, por i pa shkruar. Nuk shkrova dot atëherë kundër komunizmit sepse shtëpinë e kisha përballë burgut dhe nuk doja të banoja përballë shtëpisë. Ndaj u mundova t’i ruaja për më vonë. E kam kornizuar librin me dy vdekje të mëdha, Stalinit dhe Hoxhës, që përbëjnë pak-a-shumë tërë kuadrin ku unë fokusohem, por ju them se kam mendimin e patundur që i tërë burimi i humorit i ka rrënjët te serioziteti i çdo gjëje, dramaciteti dhe tragjizmi, por unë nuk dua të merrem me tragjizmin, por atë çka është qesharake dhe ju betohem se në tërë tregimet nuk gënjej,” – u shpreh Kulla.
Autori theksoi se shumica e tregimeve janë rrëfenja nga të njohurit ndërsa disa prej tyre i ka përjetuar vetë dhe është munduar që gjithçka ta paraqesë sa më thjeshtë në veprat e tij.
Në fakt, nëse prozën, poezinë dhe letërsinë satirike shqiptare do t’i përfytyronim si vargmale, vepra e Pëllumb Kullës do të mbante padyshim majën e letërsisë satirike.
I lindur më 10 janar 1940 në fshatin Zëmblak të rrethit të Korçës, Kulla dalloi më veprimtari të pasur kulturore gjatë dhe pas diktaturës duke zotëruar një natyrë poliedrike me tregime, romane, skeçe, drama, filma, etj. Për këtë ai vlerësohet si një gur i çmuar i kulturës shqiptare, i cili ia vlen të studiohet gjerë.
Pikërisht lidhur me zhvillimin e letërsisë satirike shqiptare UET planifikon të mbështesë një studim që pritet të bëjë bashkë emra të shquar të satirës dhe komedisë si Spiro Çomora, Qamil Buxheli dhe Pëllumb Kulla.
Kritikët vlerësojnë te Kulla stilin lakonik, fuqinë e sintezës dhe metaforës, të cilat i japin atij tiparet e një Mark Twain-i të letërsisë shqipe, sepse prej veprave të tij kuptohet se ai njeh mjaft mirë aktualitetin, sensin e kohës dhe arrin të ndërtojë me mjeshtëri të ashtuquajturat metafora të ditës.
Stili dhe trashëgimia publicistike e Kullës bën të thuhet se është ndër të paktët artistë shqiptarë të cilët jetën e kanë vepër dhe veprat i kanë jetë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al