AFRIM IMAJ/ “Skëterrë-’43″, ishte një nga filmat e Kinostudios Shqipëria e Re, i shfaqur në vitin 1980. Përtej realizimit cilësor për kohën, filmi tërhiqte vëmendjen për faktin se ishte një vepër e djalit të Kyeministrit Mehmet Shehu. Për herë të parë bëhej kështu i njohur në publik emri i Bashkim Shehut, djalit të vogël të Kryeministrit komunist.
Me ekranizimin e revoltës në një kamp përqendrimi fashist kundër metodave barbare dhe terrorit, ai sillte një risi interesante në kinemanë shqiptare. Ndodhi pak muaj më vonë, që skenaristi i “Skëterrës…”, i lodhur me gjurmimin e historive të burgjeve fashiste, u bë edhe vetë banor i një skëterre të tillë, këtë radhë pa çizmen e dushmanit, por me yllin e komunizmit.
I anatemuar për veprimtari armiqësore pas tragjedisë së të atit, Shehu kaloi vite të tëra në ferrin e Burrelit dhe kampet e internimit, ku njohu nga afër jetën tjetër, jashtë Bllokut dhe privilegjeve.
Atë që s’mund ta ekranizonte aty për film, për arsye klasore, si i penalizuar i regjimit, e hodhi në letër në formën e një promemorie dhe e adresoi te krerët e shtetit. “Skëterra” tjetër që sillte djali i ishkryeministrit “tradhtar” e “poliagjent” për ishkolegët e të atit, nuk kufizohej thjesht në qelitë e një burgu, por në realitetet e zymta të “Shqipërisëburg”.
Është folur për të vitet e fundit, madje mjaft nga bashkëvuajtësit e Shehut e përmendin shpesh, si një manifest denoncues të veçantë. Gazeta “Panorama” ka mundur të zbulojë dokumentin origjinal. Në fakt, është një letër e hapur, plot 17 faqe, e postuar më 23 maj 1989, nga fshati Malinat i zonës së Mbrakullës, ku autori vuante dënimin. Në krye të saj, Shehu, duke replikuar me tezat e fjalimit të Ramiz Alisë në plenumin e radhës, rreshton një mori pyetjesh, që dokumentojnë të vërtetat e regjimit vrastar në Shqipëri. Si mund të shpjegohet, shprehet ai, që numri i të burgosurve politikë shqiptarë është i përafërt me numrin e të burgosurve në Argjentinë aty nga fundi i viteve ‘70, në kushtet e jashtëzakonshme të një diktature ushtarake të sapovendosur?
Si mund të shpjegohet, që në praktikën e internimeve për motive politike, regjimi ekzistues në Shqipëri mbetet ende në fund të shekullit XX, një trashëgimtar i denjë, e tashmë ekskluziv në shkallë europiane, i dinastisë mesjetare të Romanovëve? Si mund të shpjegohet që nëse në Korenë e Jugut, në paroksizmin e diktaturës së Cun Du Thuanit të karakterizuar nga demonstrata masive që po e shpejtonin agoninë e diktaturës, nxitësit apo organizuesit e një demonstrate mund të dënoheshin me jo më tepër se deri 7 vjet burg, -në Shqipëri, një njeri dënohet me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, pra për të vetmin faj pse ka shprehur pikëpamje të kundërta me regjimin? Terrorizmi shtetëror i markës shqiptare, konkludon Shehu me qasjen e krahasimeve në rrafshin bashkëkohor, ia kalon edhe Aparteidit.
Kur në Afrikën e Jugut, vijon djali i ish-Kryeministrit, mbahet në burg prej 26 vitesh një Nelson Mandela, fjala e të cilit çon peshë gjithë kombin dhe në një situatë kur lëvizja e këtij populli pritet ta shkallmojë nga themelet Aparteidin, te ne, në një situatë të qetë, mbahen burgjeve me cilësinë e kundërshtarëve politikë dhe me afate po aq të gjata sa të Mandelës, me dhjetëra fatkeq, të cilët nuk kanë pasur e nuk kanë kurrfarë influence politike, kurrfarë ideje dhe qëllimi politik? Nuk kam arritur ta marr me mend, shtjellon në vazhdim autori i letrës, se si i vlerësonte të tilla fakte as babi im, ish-Kryeministri Mehmet Shehu, i cili patjetër ka përgjegjësi në lidhje me to, si një nga krimet historike të këtij regjimi, paçka se propaganda zyrtare e regjimit, duke e akuzuar për krime fiktive, e ka shkarkuar kësodore nga kjo përgjegjësi për krime reale.
Po çfarë shkruan tjetër në promemorien në fjalë djali i ish-kryeministrit komunist dhe si ka reaguar lidershipi politik i regjimit ndaj denoncimeve therëse të tij…
Dokumenti
Letër e hapur
Kryetarit të Partisë dhe shtetit, Ramiz Alia, dhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH për Çështjet Ideologjike dhe Propagandën, Foto Çami
Të respektuar zotërinj,
Ashtu si shumë qytetarë të tjerë, edhe unë e ndoqa me vëmendje fjalimin programatik të mbylljes së Plenumit VIII të KQ të PPSH. Të shumtë ishin ata që e morën fjalën në mjetet e propagandës zyrtare për të shprehur çka i intereson propagandës zyrtare, ndërsa unë, në përputhje me mundësitë e mia, e shkruaj këtë letër të hapur për të denoncuar botërisht disa të vërteta të hidhura, edhe pse ato nuk i interesojnë regjimit; të vërteta të ndaluara nga aparati represiv dhe të heshtura nga aparati i propagandës së këtij regjimi.
Si qytetar i vendit tim dhe si njeri me mendime të lira, marr përgjegjësinë morale mbi vërtetësinë e fakteve të përmendura e për të mbrojtur botërisht pikëpamjen time, si dhe përgjegjësinë penale për të vuajtur çdo pasojë që mund të ketë për mua denoncimi i këtyre të vërtetave.
1. Në fjalimin e rëndësishëm që erdhi si sintezë programatike në mbyllje të punimeve të Plenumit VIII të KQ të PPSH, vihet theksi veçanërisht edhe te stabiliteti politik e ekonomik i vendit tonë.
Sa për stabilitetin ekonomik, i cili nga ana tjetër është një fakt i pamohueshëm, do të vija në dukje se një stabilitet i këtillë është tipar i çdo ekonomie autarkike, dhe po t’i referohemi historisë, do të gjenim edhe në komunat fshatare përgjatë gjithë Mesjetës që prodhonin aq sa u nevojitej për të konsumuar, duke parafrenuar kësisoj vetvetiu zgjerimin e rrethit të nevojave të konsumit, e rrjedhimisht duke shtrënguar në një rreth të hekurt zhvillimin e forcave prodhuese, që, siç dihet, është trualli i domosdoshëm i çdo zhvillimi. Por, për çështje të ekonomisë nuk do të zgjatem këtu.
Kurse në lidhje me stabilitetin politik të vendit tonë, gjithë duke e ripohuar këtë fakt pa rezerva, do të bashkërenditja fenomenin e qetësisë sociale, si normalitet të shoqërisë sonë dhe si fenomen korrelativ në raport kondicionimin biunivok ndaj të parit: Demonstratat e protestës dhe grevat, politike apo thjesht ekonomike qofshin, janë po aq të largëta për këtë shoqëri, sa edhe gjallesat e ndonjë planeti tjetër, ndërsa atentatet terroriste, aktet e sabotazhit, apo çdo lloj aktiviteti subversiv, kanë realitet vetëm nëpër fantazmagoritë e deliriumeve të ndryshme hetusore apo gjyqësore (mbase, kushedi, edhe me ndonjë përjashtim të rrallë, që, siç do të thoshte Seneka, përforcon rregullin!).
Mirëpo, një gjendje e këtillë mungese kundërshtimi ndaj një pushteti, ashtu sikurse mund të jetë -fundja dhe teorikisht – tregues i një konsensusi popullor total, jo më pak mund të jetë, – çka e dëshmon në mjaft raste historia- tregues i një represioni total.
Cili nga të dy termat e kësaj alternative i përgjigjet normalitetit të shoqërisë sonë dhe stabilitetit politik që ngrihet mbi të dhe që për efekt ndërveprimi reciprok ndikon në ruajtjen e tij?
Ose shprehur në gjuhën e Erich Fromm-it: A është kjo shoqëri me të vërtetë një “sane society” apo stabiliteti politik shqiptar është një stabilitet i paguar me çmimin e lirisë dhe normaliteti i shoqërisë sonë s’është veçse një “normalitet patologjik”?
2. Për të mos i dhënë kësaj alternative një zgjidhje me partipris, mendoj se zgjidhja e saj duhet të kalojë pashmangësish nëpërmjet një përgjigjeje ndaj pyetjeve të mëposhtme: Si mund të shpjegohet që ende sot, mbas 45 vjetësh nga rënia e ancient regime, dhe në kushtet e stabilitetit politik e të një qetësie sociale shembullore, numri i të burgosurve politikë në Shqipëri është proporcionalisht (si numër në raport me tërë popullsinë) i përafërt me numrin e të burgosurve politikë në Argjentinë aty nga fundi i viteve ’70, d.m.th. pak kohë mbas golpe-s në kushtet e jashtëzakonshme të një diktature ushtarake të sapovendosur?
Si mund të shpjegohet politikisht dhe sociologjikisht që nëse në Korenë e Jugut, në paroksizmin e diktaturës së Cun Du Thuanit të karakterizuar nga demonstrata masive që po e shpejtonin agoninë e asaj diktature, nxitësit apo organizuesit e një demonstrate mund të dënoheshin me jo më tepër se deri 7 vjet burg, -në Shqipëri, në kushtet e stabilitetit politik e të një qetësie sociale shembullore një njeri mund të dënohet me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, pra, për të vetmin faj pse ka shprehur pikëpamje heterodokse, le pastaj për rastet kur një njeri edhe në këtë aspekt është krejt i pafajshëm?
Si mund të shpjegohet politikisht dhe historikisht, që në praktikën e internimeve për motive politike regjimi ekzistues në Shqipëri mbetet ende në fund të shekullit XX, një trashëgimtar i denjë, e tashmë ekskluziv në shkallë europiane, i dinastisë mesjetare të Romanovëve?
Dhe për t’u rikthyer te krahasimet në rrafsh bashkëkohor me terrorizmin shtetëror të markave të huaja (jo për apologji ndaj këtyre të fundit, por për t’ua kundërvënë këto fakte apologjive pompoze të propagandës së regjimit bashkëkohor shqiptar e për të fokusuar, ashtu sa më qartë, përmasat e terrorizmit shtetëror të markës shqiptare): ndërsa në Afrikën e Jugut mbahet në burg prej 26 vitesh një Nelson Mandela, fjala e të cilit e çon peshë gjithë kombin e tij dhe në një situatë kur lëvizja e këtij populli pritet ta shkallmojë nga themelet aparteidin, pse te ne në Shqipëri, në një situatë të qetë e të stabilizuar, mbahen burgjeve me cilësinë e të burgosurve politikë dhe me afate afërsisht po aq të gjata sa të Mandelës jo një, po me dhjetëra fatkeq, të cilët nuk kanë pasur e nuk kanë kurrfarë influence politike, kurrfarë ideje dhe, pra, kurrfarë qëllimi politik? (Madje në një pjesë të mirë, a ndoshta më së shumti, fshatarë ose punëtorë që i kanë a nuk i kanë katër klasë fillore.)
3. Pra, nga njëra anë, kemi një situatë sociale të qetë, pa trazira, një stabilitet socio-politik 45-vjeçar, që i detyrohet, le ta supozojmë, konsensusit të përgjithshëm të popullit, kurse, nga ana tjetër, masa shtrënguese si rrallë në ndonjë tjetër diktaturë, me eksese veçanërisht karakteristike për gjendje krizash. Mirëpo është krejt e pakonceptueshme që një pushtet, i cili, përveç dispozitivit ushtarako-policor dhe monopolist të masmediave, ka në anën e vet konsensusin e popullit, atë çka propaganda zyrtare e quan “unitet i popullit rreth Partisë”, të rrezikohet nëse 1200-1400 individëve, pra, një magnitude evanes cent në raport me popullin, – në vend që të mbaheshin të rrethuar nga telat me gjemba e nga mitraloza, do t’u lejohej të jetonin nëpër shtëpitë e tyre, apo nëse një pakicë gjithë po aq irrelevante në raport me popullin do të kishte mundësinë të shprehej lirisht, haptazi kundër këtij pushteti.
Sepse është krejt e pakonceptueshme që një pushtet të përmbyset vetëm nga fjalët (madje nga fjalë që askush nuk do t’ua vinte veshin), si të ishin këto fjalë trumbetat që përmbysën muret e Jerikoit. Atëherë, për çfarë nevojiten në vendin tonë, në shoqërinë tonë tepër të qetë, pa trazira, të gjitha ato shtrëngime që u përmendën?
Kë kanë ato për objekt? Ndoshta mbi një fenomen të tillë, paradoksal në dukje, do të hidhte dritë një pyetje tjetër: ndërsa në të gjitha shtetet e botës, duke përfshirë edhe BRSS-në, edhe shtetet e tjera staliniste të viteve ‘40-‘50, arratisja jashtë shtetit gjithmonë është dënuar si krim ordiner për shkelje kufiri, me afate burgimi relativisht të shkurtra (e po kështu, me sa di unë, edhe në Shqipëri, në fillimet e nouveau regime), përse te ne, në Shqipëri, arratisja jashtë shtetit dënohet si tradhti ndaj atdheut, pra, deri në pushkatim, dhe, si të mos mjaftonte kjo, vitet e fundit, përmbi ata që tentojnë të arratisen, që nuk janë të paktë e as nuk po pakësohen, herë pas here qëllohet me armë, bile ndonjëherë edhe kur ndodh që mund të kapen?
Dhe pastaj ekspozohen, ashtu të masakruar, para popullit dhe para të afërmve të tyre! Për çfarë nevojiten të tilla monstruozitete dhe kë kanë ato për objekt? (Mund të vërehet, dhe jo pa njëfarë të drejte, se te ne arratisja merr karakter politik, sepse s’mund të ndërmerret veçse për motive politike; mirëpo çdo shprehje e kundërshtimit politik, apo e pakënaqësisë lidhur me politikën, nuk përbën tradhti ndaj atdheut).
4. Nuk arrij ta marr me mend se si i vlerësoni ju, të respektuar zotërinj, këto fakte, që patjetër duhet t’i dini fort mirë.
Dhe, për më tepër, nuk kam arritur të marr me mend se si i vlerësonte të tilla fakte as babai im, ish-Kryeministri Mehmet Shehu, i cili patjetër ka përgjegjësi në lidhje me to, si një nga krimet historike të këtij regjimi (paçka se propaganda zyrtare e këtij regjimi, duke e akuzuar për krime fiktive, e ka shkarkuar kësodore nga kjo përgjegjësi për krime reale).
Por sido që t’i vlerësoni ju dhe pavarësisht se si do t’i ketë vlerësuar babai im, unë s’mundem veçse të pohoj me gjithë zërin se këto fakte përbëjnë një tregues të qartë e të shëmtuar të një terrorizmi shtetëror, i cili nuk ka për objekt as ekskluzivisht dhe as kryesisht një pakicë irrelevante të izoluarish nga shoqëria, që i vuajnë drejtpërdrejt deri në kockë ekseset e tij, po ka për objekt tërë shoqërinë, gjithë popullin. E ritheksoj: gjithë popullin! Sepse kur një regjim kufizon me anë të dhunës lirinë e shprehjes së pikëpamjeve politike (dhe jo vetëm politike), kjo do të thotë se ai nuk e di se çfarë përmasash do të mund të merrte influenca e pikëpamjeve që këtë regjim e kontestojnë (dhe nuk e di sepse, duke e kufizuar lirinë e fjalës, e ka dënuar veten që të mos e dijë këtë).
Gjithashtu, në qoftë se një regjim e pengon me mjete dragoniane largimin e shtetasve të vet për në shtete të tjera, edhe pse ata shtetas që dëshirojnë të largohen janë gjithsesi të padëshirueshëm për të, kjo do të thotë se ky regjim e di që largimi për në shtetet e tjera mund të merrte përmasat e një eksodi përfundimisht diskreditues. Me një fjalë, kjo padije dhe dije e regjimit provojnë se rrezja e veprimit terrorizues të tij ka si limit tërësinë e qytetarëve të RPSSH-së.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al