Libri/ “Kratere njerëzish”, një gjendje e ndërlikuar letrare

Oct 11, 2024 | 9:22
SHPËRNDAJE

behar gjokaBEHAR GJOKA

Përmbledhja me tregime “Kratere njerëzish”, të autorit Ballsor Hoxha, në formë dhe brendi, sjellë një atmosferë tjetërsojshëm të shkrimit të prozës së shkurtër, si një shpështjellje subjektiviste. Mbase, ka gjasa që ky harbim shpirtëror dhe përmbysës, lidhet me frymimin e çliruar prej paragjykimesh, përcaktimesh fundore, si optikë e qasjes dhe sendërgjimit të subjektivizuar të tekstit, veçmas si një ligjërim narrativ mjaft dinamik. Tërësia e librit, si botëperceptim dhe shpalim artistik, vetiu e sugjeron situatën e përveçme të “gjendjes letrare”, një koncept i I. Calvinos, e huamarrë si një tregues identifikues për një tekst letrar, jo dhe kaq të shpeshtë në letrat shqipe, në realizimin e tregimit, si zhanër i mëvetësishëm prozëshkrues, që, në fakt, përfaqëson shkollën e shkrimit të prozës. Pranëvënia e konceptit teorik “gjendje letrare”, me materien e tregimeve të këtij librit, të kuptohemi, më tepër është një fushëpamje, mbase një pasqyrë për të kundruar hapësirën e tekstit të secilës prozë, në mënyrë që të hetojmë, me gjasë të rrëmojmë në labirinthet e shkrimit, tashmë të rrëmujës përmbysëse, gjithnjë dhe vetëm për ta ndeshur shenjën letrare, në faqet e librit. Megjithatë, në lëndën e gjerë dhe të bashkëlidhur në vëllimin më të ri me tregime të autorit, shpesh ndeshet një rrafsh ndërlikueshmërie, si rastësi apo qëllimësi, pak rëndësi ka. Pra, thënë më qartë, libri me tregime “Kratere njerëzish”, që përcillet me një titull metaforik, që përpos tjerash, shqipton hapur tjetërsimin, me gjasë shpërfytyrimin e qenies, në kohë-hapësirën, ku gjëllojmë, e madje rezbitja, humbja ose bdarja e vlerave të dikurshme, vështrohet si vlerë, e cila shpaloset nëpërmjet ndërlikimeve të befta autoriale, që pikësynojnë thurjen dhe formësimin e “gjendjes letrare”, të ndërlikuar dhe personale përmes fjalës së ligjëruar si prozë e shkurtër.

ASKUNDËSIA – NJË REALITET I PËRMBYSUR

Një fjalë e pranishme, ndonëse jo pak e shtrirë në hapësirën tekstologjike të librit me tregime “Kratere njerëzish”, por përgjithësisht e përdorur me funksion semantik dhe letrar, është termi askundësi, që nuk ka asnjë mundësi që të përdoret rastësisht nga autori, përkundrazi është një optikë, me gjasë një kamerë e fiksuar, mbase më tepër është oaz sendërtues i prozëshkrimit, të adresimit autorial. Situimi me këtë qarkëzim përmbysës, të përkujton idenë e dikurshme të B. Croces: “Dhe për deri sa mungesa e humanizmit është pasojë e të mbajturit anë kështu që njerëzit u duken njerëzve të tjerë jo krijesa njerëzore, po pengesa për t’u kaluar dhe forca për t’u mposhtur, dhe nuk shihet tragjedia e përbashkët po është vetëm lufta e tanishme e disave kundër disa të tjerëve…” , e parë si rrethanë e pasojës së një beteje të gjatë dhe asgjësuese të humanes. Prania kaq e gjerë, e termit askundësi, e pranishme në materien e përmbledhjes, në brendi dhe format thënëse dhe shprehëse, në makro dhe mikrostrukturë, sendërgjon botëperceptimin kreativ në shumëplanësi:

Së pari: Kemi të bëjmë qartësisht me një kundërvënie të hapur ndaj pafundësisë, si një nocion që përgjithësisht vë kufirin te thana, për qenien njerëzore, projektuar si një realitet hipotetik, mataruar dhe materializuar në përmbledhjen me tregime, si qasja kuptimore dhe artthënëse, me anë të askundësisë autoriale, parë si tipar i unit shkrimor.

Së dyti: Një adresim për ta përmbysur realitetin e gatshëm të pafundësisë, si shpjegim përfundimtar i botës, tanimë me përcaktimin autorial, për ta sugjeruar botën, e sidomos për të vënë në dyshim atë, pra konceptin e pafundësisë, veçmas përmes përjetimit subjetiv/ shpirtëror. Pra, askundësia, më tepër është një dëshmi e përpjekjes së autorit, për të goditur, mbase gjer në përmbysjen e plotë të mendimeve të ngurta dhe skematike mbi botën, detyrimisht edhe të atdheut të shpirtit, siç parashihen arti dhe letërsia, jo rrallë nga qenia njerëzore.

Së treti: Gjerësia e pranisë së nocionit, askundësia, ose prania e shtrirë në hapësirën e teksteve, eventualisht përthyerja autoriale e sugjeruar, se si e sheh botën, me optikën e përmbysjes së semantikës së përhapur në lëndën e vëllimit me tregime, sidomos atë njerëzore, vetvetiu e shpërndërron askundësinë, në një kod etik dhe estetik të shkrimit të prozës, me gjasë në një pasqyrë të rrokshme në sendërgjimin e përmbledhjes me tregime.

Paraqitja e konceptit abstrakt, të emërtuar prej autorit askundësia, vjen në nivel pohues, qysh në shprehjen: “Nuk ka shumë që kam zbuluar një gjë të çuditshme, mungesën e gravitetit në asgjënë.”(2024: 38), e vendosur në fillim të tregimit të titulluar “Një kënd i asgjësë, jo mirë i ndriçuar”, si një ftesë për të prekur dhe shijuar sugjerimin e përmbysjes, konceptuale dhe të shprehësisë letrare, në shkrimin e prozës së shkurtër. Paraqitja e konceptit të askundësisë, ngjet në hapësirën tekstologjike të tregimit “Zërin e kishte si zë nate”, që derdhet në gjithë dimensionet e mundshme, përkatësisht në shprehjen: “Ndonjë udhëtar si i mbetur prej ndonjë ëndrre të kësaj askundësie…” (2024: 59), si një dëshmi e shkrimit letrar, të rrafsheve të tëhuajzimit të qenies. Në tregimin me titullin “Në ballkon”, rimerret përplotësuesi i absurdit postmodern, gjë që zbulohet në frazën: “…, përbrenda vetes i shkëputur, ndarë, prerë dhe humbur në asgjësinë përbrenda vetes.” (2024: 65). Për të ardhur gjer te përvijimi i përmasave të gjendjes së askundësisë, me një formë të mjegullt, po në këtë tregim kur shkruan: “Por, sesi në askundësi, asnjëherë nuk rrëzohesh, nuk lëndohesh dhe nuk vdes, ka një mungesë graviteti sikur në ëndërr dhe një mungesë dhembjeje e vdekjeje.”(2024: 151), gjë që në njëfarë mase e ravijëzon ekzistencën efemere të askundësisë.

Ballsor Hoxha
Ballsor Hoxha

TIPILOGJI E TREGIMTARISË

Libri më i fundit, me tregime Kratere njerëzish, i autorit bart në hapësirën e teksteve, tipare të prozëshkrimit bashkëkohor, ndonëse në tregime të veçanta, prekim jo pak gjurmë të ligjërimit postmodern, por në episode të caktuara nuk mungon as faktura moderne, si frymë dhe gjendje ekzistenciale, e shkrimit të prozës. Një aspekt tjetër, në formësimin e prozës së shkurtër, që zbulohet në materien e tregimeve, është projektimi i realitetit letrar, në një rrafsh thelbësisht subjektiv-autorial, pra skicuar përmes tejqyrës personale, nga vetja te tjetri, e mandej te bota e madhe përqark. Universi i shkrimit të prozës, me gjasë të zhanrit të tregimit, e cila vjen nga personalja, pra nga uni si narrator i gjithpranisë, duke i përthyer ngjarjet, mjediset e ndryshme, karakteret e shumtë, gjithnjë në optikën e personalizuar, është një mëtim për të sugjeruar rrugëtimin e letërsisë për te lexuesi, kryesisht i kësaj kohe. Tregues formal, por edhe i dëshmuar në materien letrare të librit, ku madje skicohet koha letrare e përmbysur, që plazmon karaktere të shformësuar, mjediset tejet absurde, është e formësuar dhe paraqitur në disa pamje:

A – Mbizotërimi i shkrimit të tregimit të shkurtër, ku pamjet dhe koha, sikur më tepër fluturojnë, e ku personazhet ndonëse janë në lëvizje të pandërprerë, me gjasë përftohen si hije, madje si zgjatim i kohë-hapësirës së hijezuar, një vello shkrimi, jo pak e pranishme në lëndën e vëllimit me tregime. Nga nëntëmbëdhjetë tekste tregimesh, pjesa më e madhe e tyre, hyn te tregimet e mirëfillta, si proza të shkurtra.

B – Në materien e gjerë të librit kemi edhe prozat tregimtare më të zgjeruara, siç ngjet me tregimet “Kaproj dhe njerëz”, që shkon në katërmbëdhjetë faqe tekst, “Në dhembje të pastër”, tregim që shpaloset me anë të narrativës dialoguese, që përbëhet nga dhjetë faqe, si dhe proza “Ku ke qenë, ku je duke shkuar”, me katërmbëdhjetë faqe, por njëherit ky tekst paraqitet edhe i ndarë në tre pjesë, më të shkurtra. Këto tekste, me hapësirë të zgjeruar tekstologjike, përgjithësisht skicojnë tiparet e tregimtarisë autoriale, por ndërkaq sendërgjojnë një situim letrar më të gjerë.

C – Implikimi i autorit, jo në kuptimin negativ, por vetëm faktik, me anë të tekstit paraprijës të përmbledhjes, titulluar “Dy fjalë në fillim”, në një kuptim është një paratekst autorial për të dekoduar prozëshkrimin e shpallur në këtë përmbledhje. Kur them se kemi implikim të autorit, është fjala për një tekst të autorit, që bashkëshoqëron tregimet e përmbledhjes, që diç më tepër kryen kodin e dekodimit të teksteve të tregimeve. Qysh në krye të paratekstit të autorit, ndërkaq shkruhet: “Krateret, çarjet, kur toka hapet në thellësi të pakufi…”, që krejt vetiu të përkujton titullin e vëllimit, që vjen në marrëdhënie me tërësinë e librit, si një paralelizëm figurativ. Shpalimi i unit narrativ, teksa shprehet: “Ecja i zhveshur nga jeta, nga harrimi, nga e ardhmja, hapat humbur peshën përgjithmonë, gjithçka dukej sikur kishte humbur për gjithmonë.”, e shpalosur si një narrativë paratekstuale, që portretizon mëtimet autoriale, për një tregimtari të hapuar dhe thelbësisht subjektive. Implikimi autorial, ndërkaq pëson një ndryshim thelbësor, kur shkruan: “Andaj ky është një roman, i cili assesi nuk munda ta shkruaj si të tillë, por e ndava në tregime që përsëriten e përsëriten duke u përpjekur ta ruaj këtë gjendje, këtë vetmi, këtë ligësi…”, e parë si një lojë e beftë artistike, në dialogun e hapur me lexuesin, tanimë përsa i përket zhanrit të lëvruar në këtë përmbledhje.

LARMIA NARRATIVE E PROZËS

Materia letrare e vëllimit me tregime Kratere njerëzish, dëshmon për një larmi të shpallur narrative, e cila shqiptohet si poetikë e prozës, një term unik i T. Teodorov, gjë që e pasuron prozëshkrimin, e ngjizë dhe formëson si tekst letrar. Situata më e shtrirë, në prozën e shkurtër, të këtij libri, në morinë e tregimeve, është roli dhe prania e narratorit të gjithpranishëm, ku përgjithësisht rrëfimtari është epiqendër e universit letrar, si me thënë është shtysa parake me end tekstin letrar. Tipi i narratorit të gjithdijes, një tipar i prozës moderne dhe postmoderne, shfaqet qysh në faqet e tregimit të parë “Kaproj dhe njerëz”, që vjen te lexuesi, me një thurje dhe ndërthurje të letrares dhe përtejletrares, së pazakontë. Në tipologjinë e narrativës së gjithpranisë, formësohet edhe tregimit me titullin “Udhëtari i autobusëve”, që madje sendërton një alegori të beftë për qytetin e Prishtinës, me shumë mundësi për metropolet, ku jeta gëlon sikur në gjëllimin e buburrecave. Tipi i rrëfimtarit të gjithpranishëm, mbizotëron në pjesën më të madhe të tregimeve të kësaj përmbledhjeje, duke krijuar një atmosferë letrare të përveçme. Krahas tipologjisë së narrativës së gjithdijes, madje e brendashkruar, me rol sendërtues të prozës së shkurtër, është edhe stilema e narratorit të lirë, që zakonisht përveçohet me shenjën e kllapave, pra duke u identifikuar.

Tipologjia e narratorit të lirë, një element shoqërues, i tipareve të gjithpranisë, qartësisht shfaqet në materien e tregimit “Një kënd i asgjësë, jo mirë i ndriçuar”, që në këtë aspekt paraqitet me këtë stilemë ligjërimi: “(megjithëse ndonjë i ditur, i kapur nga vera dhe ngazëllimi i saj do të më thotë se së paku ka dritë, ngjyrë, etj. , në këtë kënd; e çka jo…)”(2024: 39), e cila ndërkaq përcillet nëpër disa sekuenca shkrimore. Trajta e narratorit të lirë del në pah edhe në faqet e tregimit “Zërin e kishte si zë nate”, e cila shfaqet, posaçërisht në sekuencën: “(më duket se tërë kohën në autobus, ka folur për katër fëmijët e tij, apo për qentë e tij, nuk më kujtohet mirë, ka filluar të më turbullohet e tëra)”(2024: 63), gjë që e zbulon dukshëm praninë e narratorit të lirë. Edhe në tregimin “Brenda zbrazëtive të mendjes”, kemi të pranishëm praninë e narratorit të lirë. Po ashtu, identifikimi i narratorit të lirë, rishfaqet edhe në tregimin “Në darkë me familjen e kardiologëve”, me një shtrirje të gjerë, në materien e tij. Prania e narratorit të lirë, rimerret gjithnjë me funksion estetik, edhe në tregimet “Mashtrim i rrymës”, “Po mundohem, Cherry”, “Ku ke qenë, ku je duke shkuar”, si dhe në tregimin e fundit “Si të krijosh historinë”.

Në materien e përmbledhjes me tregime Kratere njerëzish, ndeshim edhe tipologjinë e narrativës dialoguese, siç ngjet në tregimin “Në dhembje të pastër”, si dhe vjen e pranishme, me ndonjë shenjë dialoguese, në faqet e tregimit “Brenda zbrazëtive të mendjes”. Kemi të pranishëm edhe personazhin narrator, gjë që ndodh në materien e tregimit “Mjeshtër i rrymës”, por edhe në tregimin tjetër, me titull “Derisa shkruan”, që i jep hapësirë të përfillshme pranisë së personazhit narrator, duke zgjeruar kështu pentagramin narrativ të ligjërimit të prozës së shkurtër. Spektri narrativ, që shqiptohet në lëndën e përmbledhjes “Kratere njerëzish”, proza prej universit rrëfimor, që tekembramja na ndërmend pohimin, po kaq të vlertë të sugjerimit të T. Todorov, teksa shkruante: “Nganjëherë flitet për një rrëfim të thjeshtë, të lidhur mirë dhe të natyrshëm, për një rrëfim të hershëm…” me prani të shtuar të rrëfimtarit të gjithpranishëm, të përforcuar me nuancën e tij, të narratorit të lirë, por edhe të shenjave të tipologjisë dialoguese, apo të narrativës së personazhit, çka krijon aureolën e larmisë narrative që mundëson sendërgjimin e prozës letrare.

MODELET E PARAPËLQYERA LETRARE

Element më vete dhe bashkëshoqërues i prozëshkrimit, të pranishëm në materien e librit “Kratere njerëzish”, është sjellja në vëmendje e prozatorëve të talentuar prej autorit, një udhëtim i dëshiruar dhe i pashmangshëm. Letërsia, atdheu i qenies dhe lirisë, një univers përjetësie, shprehur qartë në idenë e Keneth Clark: “Nga ana tjetër e humnerës ishin shpirtrat e hollë – poetët, piktorët, romancierët…” të cilët i kundërvihen të keqes, me fuqi të pazakontë shpirtërore, duke ngjizur realitetin imagjinar. Rastësia e ndërmendjes së tyre, materien tregimtare e vendos në dhëniemarrje të papritur, duke ikur padashtas nga modelet e parapëlqyera, por njëherit duke i përveçuar si mjeshtra të shkrimit të prozës. Në tregimin e parë “Kaproj dhe njerëz”, në mes të tjerash ndeshet edhe kjo situate ligjërimi: “… pata hasë në YouTube, një seri incizimesh “Tregime të moçme shqiptare” nga Mitrush Kuteli…”(2024: 10), si një tregues parapëlqyes të mjeshtrit të prozës shqipe. Pothuajse në fillim të tregimit “Një kënd i asgjësë jo mirë i ndriçuar”, ndeshim edhe pohimin: “Në të vërtetë më kishte hapur një mizori Dostojevskiane, dhe po kaloja nëpër një trishtim të tmerrshëm…”(2024: 38), si gjendje e tipit të prozës së shkrimtarit rus.

Në materien e tregimit “Ku ke qenë, ku je duke shkuar”, ndërkaq kemi një situatë më të mbingarkuar në lidhjen e ngushtë me kujtesën librore, teksa shprehet: “Ndieja disi çdo gjë, duke lexuar hispanoamerikanët, Kafkën, e qoftë edhe Hessen, romanin e tij “Loja e rruazave të qelqta” (2024: 142), si një tregues i marrëdhënies me letërsinë e huaj, me autorët më të shquar të letërsisë së bashkëkohësisë. Po te kjo prozë kemi të pohuar: “…të botuara undergrand, aq të bukura dhe të çmueshme, si Dino Buzzati “Gruaja me flatra”, megjithëse e shkurtër, apo “Autostrada e Jugut”, Cortazar.

Marrëdhënia me letërsinë, si lexues apo shkrimtar, sa ç’është specifike, e mbështjellë një aureolë subjektive të shpallur, aq është edhe e ndërlikuar, së paku siç zbulohet në faqet e kësaj përmbledhjeje. Pashmangshëm, rrafshet e ndërlikuara, lidhen me praninë e reales dhe autoriales, të cilat ndërthuren dhe bashkëlidhen, në përthyerjet e befta imagjinare, që ndërkohë sugjeron një realitet letrar të mëvetësishëm. Tregimi me titullin “Edhe një shkrimtar”, ravijëzon pamjen e procesit, për të shkruar, pra për t’u bërë shkrimtar, e cila përcillet me fibratura të një humori përtallës, që e zbulon shenjën, sidomos te emërtimi “shkrimtar i suksesshëm”, si një bashkëbisedim me kohën e marrëzisë, kur të gjithë e mendojnë veten gjeni, dhe realizojnë kryevepra. Procesi i krijimit, shqiptohet edhe në tregimin “Derisa shkruan”, ku madje rrëfimtar është një personazh, që përpos tjerash sendërgjon edhe një dialogim të hapur me lexuesin dhe me kohën e pa kohë, e cila formësohet në tregimtarinë e autorit./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura