“Lidhje të ngushta të krimit me qeverisjen”- Ilir Meta takon reporterët e KiE, liston problematikat: Korrupsioni endemik i shtrirë në çdo qelizë të administratës

Sep 27, 2023 | 11:15
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zhvilloi një takim me bashkëreporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, prej ku tregon se është biseduar për “situatën shumë të rëndë të kapjes së shtetit, cënimin e institucionit të votës së lirë, pasojat që sjell kontrolli i parlamentarizmit nga ekzekutivi.”

Meta takim me reporteret

Në postimin e tij, Meta shkruan se ndau me reporterët angazhimin e Partisë së Lirisë, për shpëtimin e pluralizmit në vend.

Ai thekson se do të kontribuojë për nëj opozitë të unifikuar që rritet si alternativë qeverisëse.

Postimi i plotë i kreut të Partisë së Lirisë:

Prita sot në një takim bashkëreporterët e Asamblesë Parlamentare të KiE, z. Asim Mollazada, z. Jonut Stroe dhe z. Bas Klein gjatë vizitës së tyre faktmbledhëse në Shqipëri.

Biseduam për situatën shumë të rëndë të kapjes së shtetit, cënimin e institucionit të votës së lirë, pasojat që sjell kontrolli i parlamentarizmit nga ekzekutivi, lidhjen e ngushtë të krimit me qeverisjen, korrupsionin endemik në çdo qelizë të administratës publike dhe zhgënjimin që drejtësia selektive shkakton në pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Ndava me ta angazhimin e palëkundur të Partisë së Lirisë për shpëtimin e pluralizmit në vend, rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe për dedikimin e çdo energjie për përparimin e integrimit Europian të Shqipërisë.

Ne do të vazhdojmë pa u ndalur, në bashkëpunim dhe me partnerët ndërkombëtarë, të kontributojmë për një opozitë të unifikuar që rritet si alternativë qeverisëse, e cila i përgjigjet sfidave të shqiptarëve dhe vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura