Ligji 7501, si cenues edhe i sigurisë kombëtare

Aug 31, 2024 | 8:10
SHPËRNDAJE

Dekani Elmaz Leci

PROF. DR. ELMAS LECI

Sipas të dhënave nga Ligji 7501 janë futur në hasmërimë shumë se 348 mijë familje pronarësh të vjetër dhe “pronarë të rinj”.

*Sipas statistikave janë vrarë më se 7527 persona, prej të cilëve 987 kanë qenë raste krimi brenda familjeve e fiseve.

*Sipas informacioneve për pronat e ligjshme e nga pronarët e tyre janë zhvilluar mbi 12 milionë procese gjyqësore.

*Sipas dëshmive, në sirtarët e gjykatave, për gjyqet e pronave janë mbi 36 mijë dosje që presin mbi 20 vjet për një vendim marrje.

Të dhënat e mësipërme janë fakte që mund të konsiderohen një bilanc lufte. A nuk e cenon kjo edhe sigurinë e brendshme kombëtare?! Kjo katrahurë, që sipas ekspertëve nuk do të zgjidhet as pas 200 vjetësh, ka nisur në korrikun e 1991, kur Kuvendi miratoi Ligjin 7501. Tashmë kanë kaluar mbi 33 vjet dhe Ligji është “lakoç”.

Ashtu siç nisi, keq e më keq është bitisur. Le të hidhemi pak në retrospektivë se si u miratua ligji litar në fyt të pronarëve të vërtetë. Sipas procesverbalit zyrtar të seancës plenare të Kuvendit të korrikut 1991, i cili është i vetmi dokument autentik arkivor, Ligji 7501 është shqyrtuar, diskutuar dhe miratuar kuturu e në mënyrë “fshatçe” pa përcaktuar apo shënuar numrin e votave që ka marrë pro dhe kundër. Dhe ajo që është më e rëndësishme dhe që përbën faktin më skandaloz, ligji që ndau tokat e shqiptarëve nuk është votuar në tërësi, çka përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe kushtetuese, ndonëse atëherë Kushtetuta demokratike e Shqipërisë ende nuk ishte miratuar. Konkretisht, diskutimi i ligjit për tokën ka nisur më datën 9 korrik të vitit 1991, por në arkivin e Kuvendit nga procesverbali mungojnë dy ditë diskutime, përkatësisht datat 9 dhe 10, çka në fakt thellon skandalin për këtë ligj, pasi nuk është i plotë dokumenti autentik zyrtar, i cili të vërtetoi atë që ndodhi në diskutimet, shqyrtimin dhe miratimin e Ligjit 7501.

Në 311 faqe material arkivor, jepen etapat e diskutimet maratonë të draftit të 7501-shit paraqitur nga qeveria e “Stabilitetit” e drejtuar nga Ylli Bufi dhe e mbajtur në këmbë falë një koalicioni të madh mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Në dy ditët e fundit të diskutimeve të projektligjit për tokën, me ndërhyrjen e Kryeministrit Bufi dhe të kreut të PS-së Fatos Nano, teksti ndryshoi dhe në mënyrë të rrufeshme termi “përdorim” kthehet në “pronësi”. E në atë amulli diskutimesh e merr fjalën edhe Azem Hajdari, që i kërkon Partisë Demokratike, “të mos marrë pjesë në votimin e ligjit të ri për tokën, sepse nuk duhet të ngutemi për këtë problem, sepse ky është dhe ligji që zgjidh problemin themelor të qenies pronar i tokës”.

Mirëpo shumica ishin grupi parlamentar socialist, i cili dominohej nga drejtues bujqësorë lokalë, nga agronomë e zooteknikë të kooperativave bujqësore apo fermave, që “argumentonin” e kërkonin me ngut një ndarje toke për kokë fshatari duke mos marrë parasysh pronarët autoktonë.

Megjithëse nuk ekziston asnjë evidencë si e qysh u miratua ligji, ai ka kaluar dhe u dekretua nga Ramiz Alia. Për të kuptuar se çfarë është Ligji 7501, mjafton të citojmë intervistën e deputetit të PS të kohës dhe më pas edhe ish- kryetar i Kuvendit, Namik Dokle, i cili ka theksuar se, “është një fatkeqësi e madhe çështja e pronave sepse ligjet janë katrahurë. Një ligj ta jep pronën, një ta merr. Po ashtu edhe një politikan të marr dhe një tjetër ta jep. Të gjithë këta abuzojnë me dobësinë e ligjit ose me ligjet. Nuk është çudi, sepse një nga problemet më dramatike në shoqërinë tonë është prona. Dëgjojmë përditë vrasje. Për çështje të pronësisë janë vrarë mbi 8 mijë persona sepse vetë Ligji 7501 ka krijuar një shtrat abuzimi, pasi është një ligj i padrejtë në thelb”. Dhe sot ndodhemi para një fenomeni madhor siç është rritja e kriminalitetit, që ka për objeksion pronën. Pra, “kompromisi” i atëhershëm i politikës e i politikanëve për të zotëruar secili për vete fshatarët, bëri të mundur kalimin në një gjendje të tillë alarmante, në vëllavrasje pa ndalim e pa zgjidhje. Kujt i u shërbye?! Pa diskutim interesave për votat. Po si u luajt kështu me pronën?! Sepse ligji u bazua tërësisht në parimin leninist që “toka i takon atij që e punon” dhe jo pronarit të ligjshëm të saj. Ashtu do të ndodhte pasi më se 80 për qind e deputetëve të kohës atë psikologji kishin e atë praktikë sovjetike njihnin, që “toka i takon atij që e punon”.

Këtë alla parim e diktoi forca politike që kishte pushtetin në atë kohë, PS-ja në kompromis me opozitën, duke u nisur nga interesa meskine për të fituar votat gjatë fushatës elektorale. Dhe pasojat e asaj politike kanë qenë e janë, madje do të mbeten tepër të rënda, sa të jetë “gjallë” Ligji 7501. Sa për ilustrim, lidhur me veprimin e 7501-shit, një kolegu im profesor ka analizuar vite më parë se në një fshat të vogël të rrethit të Sarandës, më shumë se 200 familje janë zhvendosur në qytete brenda vendit apo edhe në emigracione jashtë shtetit.

Këta janë zhveshur plotësisht nga e drejta e pronësisë mbi tokën (mbi bahçet me pemë frutore, ullinj, arra, hardhia, etj.). Posedues të tokave të tyre dhe të qindra e mijëra rrënjëve të pemëve drufrutore në bazë të Ligjit 7501 janë bërë rreth tridhjetë familje, të cilat shfrytëzojnë tokën dhe pemët drufrutore, shesin vaj ulliri e raki, ndërsa pronarët e vërtetë nuk kanë të drejtë të marrin një vesh rrush apo një kile vaj ulliri. Me një fjalë, ky shpronësim i detyruar është më keq se reforma agrare e vitit 1946, e cila u linte të paktën pronarëve një sasi të kufizuar toke.

Analiza e ngjarjeve dhe e fakteve tregon se me Ligjin 7501 u shkelën e vijojnë të mohohen në absurditet të tri shtyllat kryesore ku mbështetet, jeton dhe funksionon prona në çdo vend të botës si me 1.trashigimi, me 2.shitje dhe me 3. dhurim. Këto janë tri shtyllat që funksionojnë për pronën. Këto janë edhe në Kushtetutën tonë, por Ligjin e kemi jangllëç. Ndonëse në Shqipëri në vitin 1991 kishte trokitur dhe sapo kishte hyrë në derë demokracia, prona u konfiskohet pronarëve dhe u jepet atyre që nuk gëzonin pronë dhe u jepet si shpërblim politik, njëlloj si në feudalizmin e sulltanëve, ku toka u jepej jeniçerëve për merita lufte.

Madje, kuje e madhe është kur ata që e kanë tokën e pronarit, thonë tërë kapadaillëk se “e jotja ka qenë prona, por mua ma ka dhënë ligji”! Po ku ka ligj në botë që ta merr pronën ty dhe i a jep dhuratë tjetrit?! Jo zotërinj të nderuar qeveritarë e gjyqtarë! As ju që qeverisni, as ju që gjykoni, nuk duhet të shkelni shtyllat e marrëdhënieve shoqërore apo Kushtetutën universale që përcakton opsionin e pronës. Me çka keni bërë e bëni, ju po e kriminalizoni me zor shoqërinë. Segmente të caktuara të shoqërisë po konfliktohen përditë ethshëm për arsye të një ligji famëkeq, që meriton hedhjen në koshin e plehrave të historisë tonë, sepse ai tjetri që nuk ka trashëguar tokë, nuk duhet t’i jepet nga shteti toka ime.

Po e marr shembullin në mënyrë hipotetike. Nëse nuk ka apo dikur nuk plotësonte “baras ndarjen” e tokës për frymë, atij pabuksit ose “Zoti i dhashtë” ose ta blej tokën që ta ketë. Dhe nëse nuk ka me se ta blerje, le të marrë rrugët e punës për pasurim e mandej, nëse do, mund ta blejë tokën time. Po a ka ku të rrijë psh., që sot edhe mua (hipotetike) që më është marrë toka e trashëguar në fshat sepse “nuk kam qenë banor i fshatit në vitin 1991”, edhe atij që i është dhënë toka ime, që të dy ne jetojmë aktualisht në qytet, nuk banojmë veçse me një ndryshim absurd që ai gëzon frytet e tokës sime në fshat se ia ka dhënë 7501- shi dhe unë, ish-pronari denbabaden i tokës, nuk e disponoj tokën time?! Të dy aktualisht jemi banorë në qytet edhe ai, edhe unë, por ai që nuk ka pasur tokë në fshat, sot ka sepse e ka zhvat ai tokën time me 7501-shin, unë që e kam të trashëguar tokën brez pas brezi, nuk e kam.

Ai merr frytet, unë jo. Përse qeverisja nuk bën rregullimin e thjeshtë apo plotësimin e ligjit: “Ike nga fshati, e braktise fshatin për arsye të ndryshme, e humbet tokën e 7501-shit, toka i kthehet ish-pronarit”. Po kjo, a do ndonjë vendim marrje të madhe?! Nuk e shëron çështjen, por e zbut, ndërsa shërim është abrogimi i 7501-shit. Po si duhet kuptuar ose a ka kuptim që “tokën ma ka dhënë ligji”?! Po ç’ligj është ky, që merr tokën e gjyshit dhe stërgjyshit tim, blerë me flori nga punët në rrugët e kurbetit dhe atë ia jep tjetrit abuzues?! Ky vetëm ligj nuk është, por është një diktat i pabazuar në asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare e aq më pak në normat morale të kombit tonë. Çudi është edhe me ndërkombëtarët për moskërkesën e fuqishme të abrogimit të Ligjit 7501, megjithëse sa herë që vijnë për biznes e ndeshen me pronarët e rinj dhe të vjetër, në këtë situatë ka rezultuar se ata nuk investojnë, por gjithnjë tërhiqen.

Lind pyetja, si mund të funksionojë demokracia në Shqipëri pa pronë ligjore e me një ligj abuziv, zhvatës, hajdut, konfliktual, që vetëm ligj në konceptin klasik e universal nuk është. Si mund të funksionojë një ligj që vjedh pronën e babait e të gjyshit tim, aq sa ka pasur dhe ia jep atij që nuk ka pasur pronë?! Nuk ka ligj në botë që të tjetërsojë pronën në mënyrë arbitrare, përveç tri formave që përmendëm. Toka e dhuruar me 7501- shin ka cenuar rëndë shumë gjëra në Shqipëri, ka cenuar rendin, qetësinë, marrëdhëniet shoqërore, zhvillimin rural, vëllavrasjen duke shtuar progresivisht kriminalitetin, gjëra që u duhet dhënë rrugëzgjidhje sa më parë nga organet ligjvënëse e qeverisëse.

Aq më shumë nga gjykatat tona që duhet të rivendosin drejtësinë që u a ka mohuar pronareve, 7501-shi. Sipas statistikave janë mijëra raste që shkojnë nëpër gjykata dhe vendimet që merren (kur merren) ende merren mbi bazën e 7501- shit, që është i kundërligjshëm, kur duhet të ishte ndryshe, që sapo pronari i vjetër (jo si i 7501) të shkonte e të kërkonte në gjykatë pronën e tij të grabitur, gjykatësi jo ti thotë se “a ke qenë anëtar kooperative apo jo” dhe “nëse nuk ke qenë në vitin 1991 anëtar i kooperativës bujqësore, nuk të takon toka jote e trashëguar brez pas brezi dhe me dokumente”, “jo, ti nuk e merr pronën! Sill nga gjendja civile, pasaportizimin se ke qenë në vitin 1991 në fshat, ndryshe nuk e merr tokën e gjyshit apo të babait”. Po çfarë është kjo more “të nderuar” qeveritarë?! Po si mundet të ma marrësh pronën me dhunë e të ma sekuestrosh ekskatedra?! Siç bëhet është arbitraritet që vret njerëz dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Dhe thonë pastaj “mos ikni nga ky vend”! Po si ore të mos ikim? Po këtu nuk ka asnjë lloj sigurie, as në punë, as në rrugë, as në mjekësi, as në shkollim dhe në pronë që është themeli i shoqërisë dhe zhvillimit. Në këto, jo e jo?! Përse (e them me keqardhje të madhe) më duhet atëherë atdheu? Me 7501-shin koncepti atdhe dhe të gjitha atributet që mbart e ka ai te ne janë cenuar rëndë, siç është cenuar nga kjo marrëdhënie me pronën edhe siguria shoqërore e ajo kombëtare.

Po a ka rregullim kjo çështja e pronës pas afro tri dekadash e gjysmë katrahure, apo futja në një abrogim ligji do ta çonte popullin në një amulli totale?! Jo, jo, rrugëzgjidhje ka gjithnjë, veçse kërkon vullnet politik. Nuk rregullohet çështja e pronës duke aplikuar vetë zgjidhjen zonale se “në Veri kanë kaluar secili në pronat e veta (bravo), eksperiencë që duhet përgjithësuar e udhëzuar të bëhet në të gjithë vendin, sepse prona duhet të shkojë tek i zoti sa më parë! Çfarë presim më, 33 vjet pritëm boll! Një ligj që nuk aplikohet, nuk zbatohet dhe sjell veçse probleme shoqërore e të sigurisë, meriton menjëherë të abrogohet. Jo thonë, “do na sjell probleme”, “janë bërë shumë ndryshime konfigurative terreni”. Vërtet janë bërë ndryshime, por me studime, me logjikë e me kalkulime kapërcehen dhe asgjë e keqe nuk do të ndodhë.

Sipas sondazheve, më shumë se 85 për qind e popullsisë do tokën e trashëguar e aq më shumë që 90 për qind e popullsisë e ka braktisur fshatin, ama tokën e 7501-shit e mbajnë, atë e duan edhe kur janë ne Angli, Gjermani e Amerikë! Kjo është grabitje e arbitraritet bashkë. Ky lloj ligji, 7501-shi, siç është shprehur edhe juristi i mirënjohur prof. Ismet Elezi, “ligji më antinjerëzor, më antidemokratik, më antikushtetues, një ligj konfliktesh sociale”. Për këto arsye të ligjshme, ai duhet të abrogohet dhe në vend të tij të miratohet një ligj i thjesht kushtetues (pa marrë përsipër se po bëj diktatin) me dy-tri nene: Neni 1, Abrogohet Ligji 7501. Neni 2, Tokat bujqësore u kalojnë pronarëve të para reformës së vitit 1946. Neni 3, Ata që kanë tokat e pronarëve autoktonë, t’i lirojnë menjëherë ato dhe nëse jo, t’i blejnë sipas tregut. Kaq! Secili shkon te prona e vet dhe merr atë që ka merituar e poseduar brez pas brezi. Përse nuk e bëjnë këtë organet ligjvënëse e ekzekutive?! Ata e dinë se përse nuk e bëjnë. Abrogimi është idealja, që bëhet fare thjesht me një grup deputetësh duke e dërguar çështjen, Ligjin 7501 në Gjykatën Kushtetuese si të papajtuar me Kushtetutën mbi të drejtën e pronës. Vetëm kështu do të kemi më shumë qetësi, më shumë siguri, më shumë zhvillim rural, më shumë investitorë të huaj./Gazeta Panorama

* Drejtor ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura