Ligji i ri, në universitet me mesatare mbi shtatë

May 31, 2015 | 13:55
SHPËRNDAJE

Nxënësit që përfundojnë sivjet vitin e parë të gjimnazit, do të jenë brezi i parë për të cilët do të aplikohet nota mesatare për t’u pranuar në universitet. Kështu, ata duhet t’i bëjnë mirë llogaritë që tani, për të pasur mesatare sa më të lartë.

Maturantet ne provime

Ndërkaq, do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të përcaktojë kufirin për ata që meritojnë ose jo të ndjekin rrugën e dijes.

KRITERI
Një gjë është e sigurt. Asnjë nuk do të futet në universitet me mesatare nën 7. Kjo bëhet me dije nga zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, e cila sqaroi edhe mënyrën se si do të funksionojë Matura Shtetërore e pas dy viteve. “Nuk mund të themi se hiqet Matura Shtetërore, por do të pë- sojë ndryshime rrënjësore, të cilat maturantët e vitit 2016- 2017 duhet t’i kenë parasysh që tani”.

Sipas zëvendësministres, nuk do të ketë pesë, por tri provime për kandidatët për në universitet. “Tri testimet me detyrim: Gjuha e Huaj, Gjuhë-Letërsia dhe Matematika, do të jenë pjesë e maturës për çdo maturant që përfundon me sukses gjimnazin”. Këto janë disa nga ndryshimet thelbësore që do të pësojë Matura Shtetërore për vitin 2016-2017, me hyrjen në fuqi të ligjit për arsimin e lartë, që ka nisur të diskutohet tashmë në komisionet kuvendore.

Sipas Malaj, hyrja në fuqi e reformës në arsimin e lartë do të imponojë medoemos një ndryshim edhe në ligjin e arsimit parauniversitar, ku do të jepet në vija të përgjithshme mënyra se si do të funksionojë Matura Shtetërore.

PRANIMET
Nota mesatare është kusht, por jo i vetmi për të fituar të drejtën e studimit për një nga fakultetet në vend. Do të jenë vetë universitetet nga ana e tyre, që do të përcaktojnë kritere shtesë apo edhe një mesatare mbi dyshemenë e përcaktuar, me qëllim për të përzgjedhur studentët që duan të rekrutojnë. Ky fakt është bërë me dije që në ditën e parë të prezantimit të ligjit të ri për arsimin e lartë nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

“Nota mesatare vendoset me vendim qeverie në nivel kombëtar, por ajo do të jetë në varësi të programeve të ndryshme”. Sipas Nikollës, qeveria merr përsipër gjithçka që ndodh në institucionet e arsimit të lartë, por nuk do të jetë ajo që vendos rregullat për përzgjedhjen e studentëve. Ende pa u implementuar, reforma e arsimit të lartë ka hasur në kundërshtime nga studentë dhe akademikë.

Këta të fundit pretendojnë se ndryshimi i formës së pranimeve do të imponojë abuzivitet që në shkollë të mesme, për faktin se të gjithë do të kërkojnë të kenë notë sa më të lartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura