Ligji skllavërues që nxori zbuluar 10 vjet pushtet të ‘rilindjes’

Oct 16, 2023 | 9:45
SHPËRNDAJE

NGA ERION DASHO erion dasho vaksinat

Ligji skllavërues i punës së detyruar për mjekët e rinj flet shumë për përafrimin e Boratit dhe ‘rilindësve’ përgjatë dhjetë viteve që kanë qeverisur Shqipërinë dhe shqiptarët. Për një problem që ka ardhur çdo vit duke u përkeqësuar dhe është injoruar në vazhdimësi, papritur shpiket një “zgjidhje”, e cila krijon një konflikt social të paprecedent, një konflikt që i ka detyruar studentët e mjekësisë të nisin një grevë dhe bojkot pa afat të mësimit.

Unë dhe shumë kolegë të tjerë e kemi parë këtë problem që në fillimet e veta në një kontekst paksa më të gjerë, i cili siç e përmenda në hyrje të statusit, flet shumë për përafrimin që kjo qeveri ka ndaj problemeve tona. Le t’i cekim me radhë.

DRITËSHKURTËSI

Problemi nuk u krijua në qershor 2023, muaji kur ministria dhe qeveria nisën me procedurë të përshpejtuar diskutimin dhe miratimin e ligjit të punës së detyruar. Kambanat e alarmit bien prej kohësh, ku Zyra Europiane e OBSH-së prej vitesh e klasifikon Shqipërinë në vendin e fundit përsa i takon numrit të mjekëve për banorë. Madje, sipas OBSH-së, “Europë” quhet edhe Taxhikistani në kufi me Kinën dhe Afganistanin, që gjithsesi ka më shumë mjekë për 1,000 banorë se Shqipëria.

Vetëm në 10 vitet e qeverisjes së ‘rilindjes’ kanë emigruar drejt Gjermanisë 1,000 mjekë. I vendosur përballë fakteve, Borati e ka mohuar vazhdimisht të ketë mungesë mjekësh, hera e fundit që e bënte këtë gjë ishte fushata elektorale e para disa muajve. PAAFTËSI Të gjitha analizat e kryera nga unë personalisht dhe nga kolegë të shumtë flasin për një sistem shëndetësor të shkatërruar dhe që rrënohet çdo ditë e më tepër.

Të gjitha burimet e nevojshme për të “prodhuar” shëndet janë deficitare, përfshi infrastrukturën, pajisjet, medikamentet, financimin dhe ajo që është më e rëndësishmja, mjekët dhe infermierët. Që situata të ndryshojë, nevojitet reformë e thellë e sistemit shëndetësor, që duhet të prekë rregullimin dhe organizimin, financimin, digjitalizimin, si dhe një plan afatgjatë i transformimit rrënjësor të infrastrukturës, me fokus kryesisht te spitalet. Vetëm transformimi i sistemit shëndetësor mund të mbajë në Shqipëri jo vetëm mjekët e sapodiplomuar, por madje edhe të tërheqë në vend mjekët shqiptarë nëpër botë. Rilindja e ka lënë shëndetësinë në duart më të paafta që kanë drejtuar ndonjëherë këtë sektor jetik për shoqërinë.

Ministria e Shëndetësisë ka vetëm dy mjekë në organikë, ndërsa institucionet më të rëndësishme shëndetësorë kanë arritur deri në pikën që janë drejtuar prej klarinetistëve dhe balerinave. Duke qenë të paaftë të reformojnë sistemin shëndetësor, Borati dhe ‘rilindja’ shohin si barka shpëtimi masa pjesore si kjo e ligjit të punës së detyruar.

ARROGANCË

Duke e miratuar ligjin me forcën e kartonëve, në injorim të plotë të vullnetit të studentëve dhe kritikave të atyre që realisht e njohin sistemin shëndetësor, ‘rilindja’ nuk bën gjë tjetër veçse tregon edhe njëherë arrogancën e saj të zakonshme. Sikundër ka bërë për çdo aferë e megaaferë korruptive (i fundit në radhë është refuzimi i Boratit për të dorëzuar para drejtësisë Beqjan e vet të koncesioneve), edhe kësaj radhe ‘rilindja’ ka manifestuar një qëndrim arrogant, që vendos para faktit të kryer qytetarët, të cilët duhet të pranojnë pa bërë zë tekat dhe marritë e një aventurieri sharlatan. Të gjithë rrugëzgjidhjet e propozuar janë refuzuar.

Një prej tyre ka qenë ndarja e studentëve në dy grupime, ku në njërin prej tyre të zbatohej detyrimi për të punuar në vend (bazuar në zgjedhjen e lirë pas përfundimit të konkurrimit), ndërsa në tjetrin jo. Ose, sikundër bëjnë një numër vendesh të tjerë, ofrimi i një burse speciale për studentët që dëshirojnë të nënshkruajnë kontratën e qëndrimit në Shqipëri pas kryerjes së studimeve. Secila prej këtyre masave do të ishte e arsyeshme dhe me siguri do të mirëpritej nga studentët, përkundrejt arrogancës dhe dhunës me të cilat ata përballohen prej disa muajsh tashmë.

DEMAGOGJI

Demagogjia është ndër tiparet më karakteristikë të Boratit dhe ‘rilindjes’. Demagogjia shkon paralelisht me paaftësinë, pasi duke mos qenë të aftë për punë, sigurisht që votuesit trushpëlarë duhen ushqyer me demagogji. Që kur u diskutua për herë të parë projekt ligji, unë e kam quajtur një masë thellësisht demagogjike që do të përdoret ndër të tjera edhe si alibi në të ardhmen.

Ky ligj është i pazbatueshëm, por ‘rilindja’ kur të vijë koha e llogaridhënies, me siguri do të justifikohet “U përpoqëm ta zgjidhim problemin e mungesës së mjekëve, por studentët na u kthyen kundër”. Duke pasur parasysh se cilët votojnë ‘rilindjen’, kjo alibi ka gjasa të japë efekt.

POPULIZËM

“Argumentet” kryesore që ka paraqitur qeveria që në nisje të skandalit të këtij ligji skllavërues kanë qenë “detyrimi i mjekëve të rinj për t’i shërbyer shoqërisë” dhe pagesa e lirisë që u kërkohet atyre si “kthimi mbrapsht i pareve të taksapaguesve”. Të dyja këto argumente vijnë erë populizëm i shpifur! Në një shoqëri të lirë, gjithkush ka vetëm një detyrim, të respektojë ligjet dhe parimin se liria e gjithkujt përfundon aty ku nis ajo e tjetrit.

Detyrimin për të ofruar kujdes shëndetësor sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit nuk e kanë mjekët 24-vjeçarë, por qeveria! Nëse Borati dhe boratët janë të paaftë të qeverisin, le ta pranojnë këtë dhe t’u heqin shqiptarëve si barrë nga shpina. Sa për taksat, ato nuk i ka prodhuar Borati dhe boratët, por prindërit e këtyre studentëve. Studentët kanë plotësisht të drejtë të përfitojnë nga arsimi (e drejtë kushtetuese) bazuar në vetëm një kriter, arritjet akademike. Nëse Boratit i dhimbsen kaq shumë taksat e shqiptarëve, le të hedhë sytë drejt vjedhjeve të mijëvjeçarit me djegësit apo koncesionet mashtruese të shëndetësisë!

Manipulimi i opinionit me “detyrimin për t’i shërbyer vendit” dhe “detyrimin për t’i rikthyer investimin shoqërisë” janë thjesht populizëm dhe përpjekje e boratëve për të krijuar ndarje në opinionin publik dhe shoqëri.

PALIGJSHMËRI

Përafrimi i Boratit dhe ‘rilindjes’ është totalisht në shkelje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës. Punën e detyruar, një koncept i lidhur me skllavërinë dhe bujkrobërinë mesjetare, e ringjalli vetëm komunizmi. Në një sistem demokratik nuk ka vend për punë të detyruar. Është e sigurt se Gjykata Kushtetuese ose ajo e të drejtave të njeriut në Strasburg do ta kthejë mbrapsht ligjin, nëse ai nuk abrogohet më parë nga vetë qeveria e detyruar nga protestat e studentëve.

Por problemi është më i thellë se kaq dhe duhet parë në një këndvështrim akoma më të gjerë. Një qeveri që guxon kaq hapur të shkelë Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut, a do ta ndalet këtu?! Le të marrim skenarin hipotetik (që ka pothuajse zero gjasa të ndodhë) sipas të cilit mjekët e rinj do të shpërndahen sipas parimit enverhoxhist “aty ku ka nevojë atdheu” dhe problemi i mungesës së mjekëve u zgjidh. Po sikur qeveria të konstatojë se ka mungesë paresh? A do t’u kthehet biznesmenëve dhe t’u sekuestrojë llogaritë bankare dhe asetet në emër të së mirës së përgjithshme?!

Po sikur nesër të duhen punëtorë për të ndërtuar rrugë dhe autostrada? A do t’u kërkojë shqiptarëve të dalin në punë të detyruar të shtunave dhe të dielave?! Sot me studentët e mjekësisë duhet të protestojnë edhe prindërit, edhe studentët e fakulteteve të tjera, madje duhet të protestojë çdo shqiptar, të cilit ende nuk i ka ngordhur nervi i protestës. Sepse thënia lapidare e Bertold Breht është e paharrueshme: “Në fillim ata morën ciganët, por unë nuk protestova sepse ata më dukej se vidhnin. Pastaj morën hebrenjtë, por unë nuk protestova sepse hebrenjtë nuk më pëlqenin. Pastaj morën homoseksualët, por unë nuk protestova sepse homoseksualët më bezdisnin. Pastaj morën komunistët, por unë nuk protestova sepse nuk isha komunist. Në fund, kur erdhën të më merrnin mua, nuk kishte mbetur askush për të protestuar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura