HALIL RAMA *MJESHTËR I MADH/ Pesëdhjetë vjet të jetës së saj artistike, artistja e merituar Liri Rasha i ka finalizuar me koncertin recital “Kënga ime” në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës “Dedë Ndue Lazri”, Lezhë. Artistja famoze që me zërin brilant e performacën e shkëlqyer artistike ka ngritur peshë zemrat e artdashësve në skenat e mëdha të Parisit, Berlinit, Brukselit, Zyrihut, Stambollit e Nju Jorkut, jo rastësisht zgjodhi Lezhën në këtë jubile të jetës së saj artistike.
Sepse këtu jeton një komunitet i madh artdashës, lezhjan, dibran, mirditor, shkodran etj., që e duan dhe e respektojnë Liri Rashën si pasaportën artistike të Dibrës. Dhe jo vetëm ata, por edhe i madhi këngës shqiptare Ilir Shaqiri – Nderi i Kombit dhe humoristi i mirënjohur Behar Mera – Mjeshtër i madh e partneri i tij Genc Lleshi, si edhe e bija këngëtare Ingrit Jushi, ia rritën madhështinë me interpretimet e tyre mjeshtërore, si të ftuar të saj në këtë koncert recital. Kësisoj, vetë protagonistja Liri Rasha s’kishte pse të “zhgënjehej”, kur mbi 700 artdashës nga Lezha, Dibra, Tirana e Prishtina ndoqën me interesim të veçantë koncertin e saj recital me titullin sinjifikativ “Kënga ime” në sallën moderne të këtij pallati kulture, ndër më të mirët në rang vendi, që pas investimit të kryer për rikonstruksionin e tij, është shndërruar, jo vetëm në një objekt madhor të trashëgimisë kulturore, në një shkollë edukimi e kulture, por edhe në një aksesor për turizmin dhe një brand që do të mbështesë artin, artistët dhe kulturën e lashtë të këtij qyteti.
Me koncertin recital “Kënga ime”, mbretëresha e këngës popullore dhe qytetare dibrane prezantoi biografinë e saj krijuese, jo vetëm si këngëtare e shumëtalentuar, por edhe si kantautore, me repertorin e saj mjaftë të pasur. Në pesë dekada të jetës së saj, ajo ka formuar profilin e një artisteje profesioniste, duke interpretuar fillimisht në moshën rinore me ansamblin “Kuvendi” të Zall Dardhës (në moshën 13-vjeçare), më pas në Peshkopi e deri në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës (1978), për të vijuar për 40 vjet edhe në skena të mëdha botërore, e ftuar nga diaspora shqiptare.
Kështu, Liri Rasha, e njohur si “mbretëresha” e këngës popullore e qytetare dibrane, fill pas një performace të shkëlqyer të grupit të valltarëve të Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – Nderi i Kombit (që ka fituar disa çmime të para, trofe e tituj nderi në dhjetëra festivale kombëtare e ndërkombëtare), prezantohet si e tillë nga mjeshtri i moderimit Defrim Methasani – Mjeshtër i Madh dhe ngjitet në skenë mes duartrokitjeve të artdashësve të shumtë dibranë (qytetarë të Lezhës) e lezhjanë, të cilët do t’i entuziazmojë me zërin e saj brilant. Kënga e saj e parë në këtë recital është pikërisht kolazhi i përzgjedhura në “100 këngët e shekullit” (programi i mirënjohur i Pandi Laços në Tv Klan), me “Oj fusha e Korabit”, për të vijuar me “Vijnë pamporrat” të të madhit Hazis Ndreu. Me zërin e saj unik Liri Rasha interpretoi në këtë koncert recital edhe këngët: “Liqenet e Lurës”, “Amaneti”, “Ndalu shkja me m’shkel në prag”; “Na çeli prapë thana”, ” Cucë dibrane”, etj., duke dëshmuar sërish se me emrin e saj është e lidhur kënga lirike e njërës nga trevat më të pasura artistike të kulturës popullore dhe folkut shqiptar. Kjo për faktin se në rrugëtimin e saj skenik, ajo asnjëherë nuk ka deformuar këngën e bukur popullore.
Kësisoj, nëse të “7 liqenet e Lurës” duket sikur sjell, jo vetëm freskinë dhe bukurinë e tyre të rrallë natyrore, por edhe jehonën e qëndresës së lurjanëve ndaj okupatorëve të huaj, me interpretimin e vargjeve: “Ky liqeni luleve nën malet me borë, dëshmorëve të Lurës ju qëndron kurorë…”; tek “Amaneti” identifikohet si “zëri i lavdisë shekullore shqiptare”, duke përcjellë mesazhin e bashkimit. Kështu zëri i saj kumbon fuqishëm në refrenin “Ju që vini nëpër breza, vit për vit e mot për mot/ Ju bekoftë Nënë Tereza, Ju bekoftë i madhi Zot….”. Të gjitha këngët e kënduara prej saj janë bërë hite dhe kanë udhëtuar e udhëtojnë me kujtesën e njerëzve, që e duan këngëtaren e shquar dhe impresionohen nga magjia e shpirtit të saj të bukur artistik, që dallohet jo vetëm në interpretimin e lirikave dibrane, por duke u shfaqur në këtë skenë edhe si orteku i këngës epike me vargjet e këngës “Ndalu shkja me m’shkel në prag/ Ti je serb e unë jam arb”.
VLERËSIMI NGA ILIR SHAQIRI
Ndërsa ka udhëtuar qindra kilometra që nga Prishtina për të respektuar ftesën e Liri Rashës që të përshëndeste në koncertin recital të saj, “Nderi i Kombit”, Ilir Shaqiri, para se të niste këngën, është shprehur se Liri Rashës i buron magji artistike tërë qenia e saj. “Liri Rasha është një zë brilant dhe interpretuese e talentuar e këngës popullore e qytetare. Këngët e saj janë të veçanta në shumë segmente krijuese dhe interpretuese. Ajo i përket plejadës së artistëve të mëdhenj të vendlindjes së saj Zall Dardhës, si Muharrem Xhediku e Hazis Ndreu – ‘Nderi i Kombit’, me të cilët ndjehet krenare, sepse kanë bërë historinë e këngës popullore shqiptare.
Ajo dallohet për origjinalitetin e këngës së saj që është tej mase i veçantë, qoftë me zërin brilant, të lindur apo të trashëguar (por edhe të kultivuar), qoftë me përzgjedhjen e këngëve, qoftë me forcën e brendshme shpirtërore, mobilizuese, që iu ka dhënë këngëve”, shprehet i madhi Ilir Shaqiri. Ndaj dhe me të drejtë në këtë event Liri Rasha shpallet “Krenaria e Ansamblit Artistik ‘Hazis Ndreu’- Nderi i Kombit” nga Presidenti i këtij ansambli Muharrem Gjoka – Mjeshtër i Madh dhe “Qytetar Nderi” i Qarkut Dibër. “Udhëtimi drejt këngës së këngëtares së mirënjohur dibrane Lirie Rasha është një udhëtim drejt një magjie, surprizimi dhe mrekullimi, që sa më shumë të shtyhesh në morinë e tingujve dhe trajtave të saj, aq më shumë ndihesh i pushtuar nga magjia e një arti muzikor elitar. Me emrin e këngëtares së shquar dibrane Lirie Rasha është e lidhur kënga lirike e njërës nga trevat më të pasura artistike të kulturës popullore dhe folkut shqiptar. Fuqia e mesazhit të saj, tonaliteti i spikatur lirik, ëmbëlsia dhe finesa e një zëri unik, magjia e një interpretimi të thjeshtë dhe komunikues gjer në detajet më të imëta, e bëjnë atë një këngëtare të preferuar jo vetëm në trevat e Dibrës dhe të veriut, por në gjithë Shqipërinë, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në gjithë hapësirat etnike shqiptare, si dhe në diasporën e vjetër dhe të re”, – shprehet Muharrem Gjoka, i cili nuk e fsheh krenarinë si nip i familjes Rasha të Zall Dardhës.
KONCERTI RECITAL “KËNGA IME”
Edhe në këtë koncert recital ajo erdhi si përvetësuese dhe interpretuese e denjë e këngës popullore e qytetare dibrane, që padyshim është faktori bazë i formimit të saj artistik. Ndaj dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në përshëndetjen e tij në këtë koncert, nuk nguron ta cilësojë Liri Rashën si pasaportën artistike të Dibrës. “Liri Rasha, ‘Artiste e Merituar’ dhe ‘Mjeshtre e Madhe’, e ngriti peshë pallatin e kulturës në Lezhë! Si artiste, Liri Rasha është pasaporta artistike e Dibrës në trojet shqiptare dhe kudo ku shqiptarët flasin gjuhën tonë të bukur shqipe anembanë botës! Liria, sonte zgjodhi Lezhën si simbol i bashkimit të shqiptarëve, për të festuar mes miqve të saj të shumtë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, në 50 – vjetorin e ngjitjes së saj në skenë”,-tha ndër të tjera Ministri Manja, ndërsa i shprehu një mirënjohje të veçantë kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreu, i cili e ka bërë Lezhën nyje të rëndësishme të kulturës dhe artit mbarëshqiptar.
Ndërsa vetë Pjerini falënderoi elitën e artisteve që shkeli natën e 30 prillit 2024 në skenën e bukur moderne lezhjanë dhe publikun aq të ngrohtë që mirëpriti recitalin e të madhes Liri Rasha. Në këtë event të veçantë kulturor, të ideuar dhe moderuar mjeshtërisht nga ikona e skenës dhe ekranit Defrim Methasani, artisti shqiptar me famë botërore Ilir Shaqiri, i ftuar, nga mikja e tij Liri Rasha, e flakëroi sallën moderne të pallatit të kulturës ” Dedë Ndue Lazri” të Lezhës, kur zëri i tij vetëtimë ushtoi me vargjet e këngës: “Poçari – Sërish vjen pranvera”.
Kjo këngë, vargjet e saj mbresëlënëse të interpretuara aq mjeshtërisht nga një zë kumbues si i Ilir Shaqirit ndez në zemrat e çdo shqiptari ndjenjën e madhe të shqiptarizmës. Kështu ndodhi edhe me Liri Rashën, e dekoruar jo vetëm me titullin “Mjeshtër i Madh”, por edhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, teksa interpretoi këngën e bashkimit, vargjet e së cilës: “O shqiptar kudo ku jeni/ Njëri tjetrin mos urreni / Mos e lini mollën t’thahet/, mos e lini gurin t’çahet…./ se ma shumë vlen shqiptaria”, janë jo vetëm mesazh, por edhe sintezë e qëndresës shumëshekullore të shqiptarëve në luftërat legjendare ndaj pushtuesve serbë. Të kombinuara aq bukur, nënë e bijë, Liri Rasha e Ingrit Jushi mirëpriten nga spektatori në këtë koncert , jo vetëm në potpuritë dibrane, por edhe kur zëri i tyre tingëllon ëmbëlsisht në vargjet e këngëve qytetare “Nga sevdaja jote moj Xhemile”, “Ç’ është më e bukura në këtë botë/, ftyra e gocës hënë e plotë…” etj., etj..
Ndërsa më të larmishëm e bëjnë këtë spektakël madhështor edhe humoristët e mirënjohur Behar Mera – Mjeshtër i Madh dhe Genc Lleshi, me interpretimin mjeshtëror të grimcave humoristike “Alo policia e shtetit…një ore e gjys që gruaja s’ka ardh n’shpej…. S’ kam hallin e grus por vdiqa për bukë…”; “N’ klas t’pestë tuj pi cigare” etj. Zëri brilant i Liri Rashës që ka ngritur peshë platetë e shumë vendeve të botës, kudo ku ka emigrantë shqiptarë, në të katër anët e globit, kumboi fuqishëm edhe në këtë skenë të Pallatit të Kulturës Lezhë. Një këngëtare e veçantë e traditës së këngës popullore dibrane e asaj qytetare, si edhe vetë emri që mbart, edhe në këtë natë të 30 prillit 2024 qe impresionuese për publikun me këngët e saj, e lirë, e ëmbël, duke ruajtur me fanatizëm traditën, por duke hedhur dhe sytë drejt së resë në këngën e mirëfilltë popullore shqiptare. Gëzimi i saj më i madh, vajza e saj, Ingrit Jushi shfaqet në këtë koncert si një këngëtare e afirmuar me po atë dinamizëm, elegancë dhe përkushtim në rrugën e nënës, duke lënë hapur shtigjet e fluturimit brenda familjes në këtë profesion kaq të brishtë, por edhe të bukur dhe magjik. Ndaj dhe me të drejtë në këtë event Liri Rasha shpallet “Krenaria e Ansamblit Artistik ‘Hazis Ndreu’- Nderi i Kombit” nga Presidenti i këtij ansambli Muharrem Gjoka – Mjeshtër i Madh dhe “Qytetar Nderi i Qarkut Dibër”. Ndërsa Elmaz Lala, ish- Shef i Seksionit të Arsimit e Kulturës Dibër, që si qindra të tjerë përfaqësues të elitës dibrane (Nderi i Kombit Bujar Kapexhiu, prefekti i Dibrës Nexhbedin Shehu, Prof. asoc. dr. Shpëtim Cami, Prof. asoc. Dr. Nazmi Koçi, Prof. dr. Sali Kurti – Mjeshtër i Madh dhe “Qytetar Nderi” i Matit, Avni H.Ndreu-Mjeshtër i Madh, Musa Riçku, Hasie Riçku (Deva), Latif Miha, Irfan Zebi, Demir Rusi, Baftjar Çera, Mimoza Reçi (Shehu), Mimoza Truka, Xharie Lala etj.) do të shprehej se “Liri Rasha është unike në vokalin e saj, me atë zërin e ëmbël, melodioz, me timbër të jashtëzakonshëm, me koloritin më të qartë të këngës dibrane dhe me finesën në interpretim duke ndërtuar kështu një personalitet artistik të paarritshëm. Pa diskutim që ajo është maja artistike e Dibrës dhe krenari kombëtare që me zërin e saj brilant ka tronditur edhe skenat botërore.
Liri Rasha është vlerësuar me çmime, medalje, mirënjohje e tituj të lartë, si Artiste e Merituar, Mjeshtre e Madhe, Qytetare Nderi e Peshkopisë dhe Nderi i Qarkut të Dibrës. Nuk di çfarë arritjesh duhet të ketë tjetër një artist që të meritojë trajtimin me “pension të posaçëm” nga shteti i vet?! Do ishte në nderin e Kryeministrit Rama dhe Qeverisë ta vlerësonin trajtimin e saj se jam i sigurt që edhe me referendum lokal në Dibër dhe në shkallë vendi po të shtrohej, nuk besoj se do ish dikush kundër. Për gjithë kënaqësitë artistike që i ke dhënë këtij vendi për 50 vjet, paç jetën e gjatë, Liri Rasha!”
BIOGRAFIA KRIJUESE
Liri Rasha – Jushi është një këngëtare e mirënjohur, e lindur në një familje me tradita dhe talent muzikor. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin e saj, Lashkizë, ndërsa të mesmen në Peshkopi. Ka mbaruar specializimin për kanto dhe shkollën pedagogjike. Talenti i saj është zbuluar krejt rastësisht, kur ishte vetëm 13 vjeç, të cilën e “hetoi” mësuesi i saj i matematikës një ditë teksa ajo këndonte në shtëpinë e saj. Më pas u shfaq si dritë shkëlqimtare në skenën e Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi dhe si profesioniste me Estradën Profesioniste të këtij qyteti, ku vijoi për afro dy dekada, që nga viti 1973. Në Festivalin e Gjirokastrës të vitit 1978 ka kënduar këngën “Oj syzeza vetullhollë”. Pas disa vitesh karrierë në skenë, rreth viteve të ’80, ka edituar një album me titull “Këngë të zgjedhura nga Liri Rasha”, dhe një album tjetër në vitin 2001, me titull “Nusja me të bardha”.
Ajo, në vitin 1988 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe në vitin 2013 dekorohet me titullin “Mjeshtër i Madh” nga ish Presidenti Bamir Topi: (ndërsa është dekoruar nga ishPresidenti i Republikës Ilir Meta dhe me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”) Lirija njihet edhe për talentin e saj krijues, ndaj dhjetëra këngë të saja, tekstin e kanë të shkruar nga vetë ajo, siç kemi: “Nusja me të bardha”, “Oj zogo”, “Oj syzeza vetullhollë”, “Cucë dibrane”, etj. Ka marrë pjesë me disa kolazhe në “Këngët e Shekullit”. Ajo ka dy fëmijë: një vajzë e një djalë. Vajza e saj, Ingrid Jushi, ka talent për të kënduar këngën popullore dhe bashkë me të Lirien kanë punuar disa kolazhe. Ajo me familje aktualisht jeton dhe vepron në Tiranë, ku mban koncerte e manifestime të ndryshme familjare. Më datë 20 Mars 2018, Liri Rasha & Blerina Braka publikojnë videoklipin “Le Te Tundet Vendi”. Më datë 24 Prill 2023, Liri Rasha publikon videoklipin “Ndalu Shkja Me M’shkel Ne Prag”. Muzika dhe orkestrimi i këngës janë shkruar nga Naim Gjoshi.
Videoklipi u prodhua nga kompania “Domi Production”. Më datë 28 prill 2023, Liri Rasha & Hysni Hoxha publikojnë videoklipin “Labinot, Si Ti S’ka Tjetër”. Muzika e këngës është kompozuar nga vetë Hysni Hoxha, ndërsa orkestrimin e përgatiti Luan Dagistani. Videoklipi u prodhua nga kompania “Domi Production”. Më datë 7 qershor 2023, Liri Rasha publikon videoklipin “Shqiptari Ja Sot Ja Kurrë”. Muzika dhe orkestrimi i këngës janë shkruar nga Naim Gjoshi. Videoklipi u prodhua nga kompania ‘Domi Production’. Më datë 1 Tetor 2023, Liri Rasha publikon videoklipin “Cuc Dibrane”.
Kënga u orkestrua nga Alfred Qemalja. Videoklipi u prodhua nga kompania ‘Domi Production’. Më datë 7 shkurt 2024, Liri Rasha publikon videoklipin “Loti I Vetmisë”. Muzika dhe teksti i këngës janë punuar nga vetë Liri Rasha, teksa për arranzhimin u kujdes Alfred Qemalja. Videoklipi u prodhua nga kompania ‘Domi Production’. 50-vjetorin e jetës së saj artistike Liri Rasha e finalizoi në Lezhë me koncertin recital “Kënga ime”, që u ndoq me interesim të veçantë nga më shumë se 700 artdashës dibranë, lezhjanë, mirditorë e shkodranë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al