Lista/ Nis shpërndarja e pensioneve të indeksuara! Zbardhet vendimi i qeverisë: Ja 19 kategoritë që përfitojnë

Oct 3, 2023 | 12:17
SHPËRNDAJE

Ka kaluar direkt në Fletoren Zyrtare vendimi i Këshillit të Ministrave për indeksimin në masën 8.6 për qind të të gjitha llojeve të pensioneve.

pensione

Ndonëse përbëjnë pjesën dërrmuese, nuk janë vetëm mosha e tretë që përfitojnë shtesën duke nisur nga ky muaj, por edhe tetëmbëdhjetë kategori të tjera pensionesh që jepen bazuar në ligjet përkatëse.

Shtesa mesatare përllogaritet maksimalisht në vlerën e 1500 lekëve, bazuar mbi vlerën mujore të pensionit. Rritja për çdo pensionist do të merret vesh shumë shpejt (varësisht nga data e paracaktuar për tërheqjen e pensionit) pasi nga dita e djeshme ka nisur ndarja e pensioneve përmes qendrave postare apo bankat, bashkë me shtesat nga indeksimi i fundit.

PERFITUESIT

Njihen vetëm pak kategori pensionesh që jep shteti në mbështetje të kategorive të margjinalizuara siç janë të moshuarit që kanë mbushur moshën dhe plotësojnë vitet e punës për t’u trajtuar me pension pleqërie por janë shumë më tepër se aq.

Duke nisur nga pensionet suplementare, pensionet që jepen për kategori të caktuara si ushtarakët, policët, naftëtarët, metalurgët, pilotët e deri tek trajtimi që jepet për fëmijët që kanë marrë statusin si “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Të gjitha këto kategori, të listuara edhe në tabelën përbri përfitojnë një shtesë në masën 8.6 për qind në vlerën mujore të pensionit duke nisur nga kësti që pritet të marrin këtë muaj.

Referuar vendimit të publikuar në fletoren zyrtare, rritjen e përfitojnë edhe ata që deri në fund të muajit shtator po merreshin me procedurat për daljen në pension.

“Indeksimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.10.2023 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri në datën 30.9.2023, përfshirë edhe këtë datë”, citohet në vendimin e qeverisë.

Kjo rritje, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve (Indeksi i Çmimeve të Konsumit për pensionistët është i ndryshëm nga indeksi i popullatës, pasi merr në konsideratë ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët).

Për periudhën tetor – dhjetor 2023 efekti financiar në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.1 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë. Gjatë vitit të kaluar janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%, me efekt financiar 5.4 miliardë lekë. Ndërkohë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka bërë të ditur se pensionistët do të marrin në fund të vitit edhe bonusin prej 5 mijë lekësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura