Loja me pasaporta, si sigurohet nënshtetësia “e artë” përmes një salloni bukurie në Shkup! BIRN: Shqipëria po përpiqet ta zbatojë si skemë, por po përballet me rezistencën e BE

Sep 19, 2023 | 12:19
SHPËRNDAJE

Një investitor kontrovers amerikan kazinosh siguroi një pasaportë nga Maqedonia e Veriut duke hapur një sallon flokësh në Shkup. Pastaj u largua. Ekspertët thonë se skema të tilla ngrenë një sërë flamujsh të kuq.

travel-5219496_1280

Në qendër të Shkupit, pranë një ish-kinemaje, ka një sallon bukurie të quajtur “Charm”.

Me përmasa modeste dhe në gjendje t’u shërbejë vetëm disa klientëve në të njëjtën kohë, “Charm” u hap në vitin 2019 nga një shtetas amerikan dhe banor i ishullit Saipan të Paqësorit, i quajtur Shawn Andre Scott.

Një vit më parë, Scott kishte themeluar një kompani në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut dhe transferoi 405,000 euro kapital themelues nga Hauai. Ai punësoi 13 persona për stafin e sallonit. Dhe në këmbim, qeveria e Maqedonisë së Veriut i dha atij një pasaportë, duke e publikuar vendimin në procesverbalin e seancës së 22 qershorit 2021.

Sipas ligjit maqedonas, qeveria mund t’i japë shtetësi kujtdo që dëshiron të investojë të paktën 400,000 euro dhe të punësojë të paktën 10 persona për një minimum prej një viti. Ministria e Financave duhet të gjykojë se investimi është me interes për vendin. Por a ishte vërtet kaq me interes salloni “Charm”?

Rreth 18 muaj pas marrjes së shtetësisë, Scott tërhoqi 80,000 euro nga investimi i tij fillestar, duke përmendur zvogëlimin e biznesit dhe shkurtimin e stafit. Sot, salloni drejtohet nga një kompani tjetër. Scott është zhdukur dhe kompania e tij, Best Trading Company, ka, në letër, vetëm një punonjës. Kompania menaxhohet nga një person i quajtur Kyhong Peng nga Kamboxhia.

“Ai nuk është në Maqedoninë e Veriut”, tha një avokat nga Shkupi, i cili punoi më parë me Scott dhe kërkoi të mos i përmendej emri. Por ai ende ka pasaportë maqedonase. Edhe një pasaportë bullgare. Pyetja është pse dhe si, duke marrë parasysh dy dekada mbulim nga ana e mediave amerikane në marrëveshjeve të diskutueshme të biznesit të Scott?

“Gjurma e padive dhe akuzave”

Scott, 57 vjeç, është një shtetas amerikan, por, sipas raportimeve të mediave, u largua për në Ishujt e Virgjër dhe tani thuhet se ndodhet në Ishujt Mariana, nga të cilët Saipani është më i madhi. Nga atje, ai menaxhon dy kompani – Bridge Capital, e cila merret me shitjen e pasurive të paluajtshme, dhe Angkor Capital Specialized Bank me bazë në Kamboxhia, e cila jep kredi për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Në vitin 1994, Scott u shfaq në botën e lojërave të fatit, duke hapur një kazino me një licencë të kufizuar në një periferi të Las Vegasit; disa vite më vonë, ai aplikoi për një licencë të përhershme, por ndryshoi mendje kur rregullatori amerikan hapi një hetim mbi praktikat e tij të kontabilitetit. Scott e shiti firmën.

Një dekadë më vonë, ai po tërhiqte interesin e mediave amerikane.

Duke e përshkruar Scott si një “sipërmarrës të ri të pasur”, në qershor 2004, Washington Post raportoi se ai qëndronte pas një përpjekjeje për legalizimin e makinerive të lojërave të fatit në kryeqytetin e SHBA-së, pavarësisht se i ishte mohuar ose kishte dështuar të merrte licencat e lojërave të fatit në pesë shtete të SHBA-së pasi rregullatorët gjetën prova për “keqmenaxhim financiar, praktika të parregullta kontabël dhe partneritete të fshehura”.

Përsëri, në 2017, Portland Press Herald raportoi për një ofertë të Scott, me motrën e tij, për të ndërtuar një kazino në shtetin Mein. Ajo tha se investime të shumta nga Scott në të gjithë vendin, kryesisht në kazino, “kishin lënë një gjurmë padish dhe pretendimesh për praktika mashtruese”, por se ai kishte dalë nga secila prej tyre “kryesisht i padëmtuar”.

Në një moment, raportoi gazeta, Scott kishte deri në 140 firma të regjistruara në lojëra fatit, biznesin e mikpritjes dhe garat me kuaj. Mënyra e tij e funksionimit ishte e organizuar mirë. Scott do të blinte ndërtesa të braktisura, do të merrte një licencë kazinoje dhe do t’i “hiqte qafe ato” për një shumë të caktuar sapo hetuesit të fillonin të gërmonin në të kaluarën e tij.

Në vitin 2022, emri i tij ishte në mediat bullgare, të cilat zbuluan se në vitin 2017 ai kishte marrë një pasaportë bullgare pasi kishte investuar në vend, njësoj si në Maqedoninë e Veriut fqinje.

Scott është një nga dy investitorët në një kompleks biznesi të premtuar – me një hotel, restorant, spa dhe qendër tregtare – në afërsi të pikës kufitare bullgare Kapitan Andreevo me Turqinë. Kompleksi është ende duke u ndërtuar.

Pse një njeri mund të ketë nevojë për kaq shumë pasaporta? Shpesh, përgjigja është “për të pastruar para”, tha për BIRN një hetues i krimeve financiare në kushte anonimiteti.

BIRN nuk ka prova që Scott ka kryer një krim. Por të ashtuquajturat skema të “pasaportës së artë” janë cilësuar prej kohësh si të pambrojtura ndaj abuzimit nga njerëzit që kërkojnë të shmangin ligjin dhe të qarkullojnë të ardhurat e krimit. Shtetësia e shumëfishtë nënkupton numra të shumtë ID, duke e bërë më të vështirë për hetuesit gjurmimin e parave të depozituara në shumë vende.

“Në raste të tilla, është shumë e vështirë të kërkosh ndihmë nga kolegët nga vendet e tjera, sepse puna është e gjerë”, tha burimi. “Pra, nëse ata nuk kanë interesin e tyre, nuk janë të interesuar të hyjnë në hetim.”

Më shumë pasaporta do të thotë gjithashtu më shumë opsione në rast të një kërkese ekstradimi pasi jo të gjitha vendet kanë marrëveshje ndërmjet tyre për të dorëzuar shtetasit e tyre.

Një ekspert i pastrimit të parave, i cili gjithashtu kërkoi të mbetet anonim, tha për BIRN: “Është e çuditshme që një njeri me pasaportë amerikane, për të cilin pothuajse të gjithë kufijtë janë të hapur, merr një pasaportë maqedonase. Nuk është saktësisht një dokument udhëtimi shumë i vlerësuar në botë.”

Pak shqyrtim zyrtar

E ashtuquajtura skema e “pasaportës së artë” u prezantua në Maqedoninë e Veriut në vitin 2012, nën qeverinë e krahut të djathtë të Nikola Gruevskit, i cili u largua nga vendi për t’i shpëtuar dënimit për korrupsion në vitin 2018 dhe iu dha azil politik në Hungari. Socialdemokratët e atëhershëm të opozitës e kritikuan masën, por që kur morën pushtetin në vitin 2017, 51 pasaporta të tjera u janë lëshuar investitorëve në bazë të “interesit ekonomik”.

Sipas ligjit maqedonas, ministria e financave duhet të bëjë një vlerësim nëse një investitori të huaj duhet t’i jepet shtetësia në bazë të interesit shtetëror.

Por Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit ua lë bankave komerciale të vendosin nëse do të kontrollojnë paratë që qarkullojnë përmes tyre nga jashtë në aksionet themeluese të një kompanie të krijuar nga një investitor i huaj, në këtë rast Scott. Ato para mund të tërhiqen dhe të shpenzohen sa herë që të jetë e nevojshme.

“Ndodh që bankat të mos raportojnë transaksione të dyshimta, sepse llogaritin se kanë fitime dhe nëse duhet të paguajnë gjobën, e cila shkon nga 80,000 deri në 120,000 euro”, tha një burim i dytë i përfshirë në hetimin e krimit financiar për BIRN, duke folur gjithashtu në kushte anonimiteti.

Banka qendrore e vendit, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e bankave komerciale, tha se sinjalizon vetëm Zyrën e Inteligjencës Financiare, një organ i pavarur shtetëror, nëse në mbikëqyrjen e saj të rregullt të një banke gjen prova për pastrim të mundshëm parash.

Zyra e Inteligjencës Financiare tha se në “periudhën paraprake” nuk kishte pranuar asnjë ankesë nga Banka Kombëtare për kapitalin themelues të këtyre kompanive. Ajo nuk specifikoi se çfarë periudhe.

BIRN kontaktoi vazhdimisht Ministrinë e Financave për të pyetur për qëndrimin e saj për shtetësinë e Scott, por ajo nuk u përgjigj deri në kohën e publikimit.

Në Serbi, pasaporta për rusët

Mali i Zi operon një skemë të ngjashme shtetësie të artë, por, nën presionin e Bashkimit Evropian dhe pas skandaleve të mëparshme, vendi nuk ka lëshuar asnjë pasaportë të tillë këtë vit.

Vetullat u ngritën për herë të parë në vitin 2009, kur qeveria e kryeministrit të atëhershëm Milo Djukanoviç, i dha një pasaportë Thaksin Shinawatra-s, ish-kryeministrit tajlandez i cili u rrëzua në një grusht shteti ushtarak në vitin 2006 dhe më vonë u dënua në mungesë me dy vjet burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Djukanoviç tha se Shinawatra e kishte fituar pasaportën për shkak të investimit të tij të lajmëruar në turizëm.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani 651 shtetas të huaj – shumica nga Rusia dhe Kina – kanë marrë pasaporta malazeze pasi kanë blerë apartamente në qytetet bregdetare dhe malore ose kanë dhuruar para për zonat e pazhvilluara. Qeveria thotë se skema ka korrur 300 milionë euro investime.

Motra e Shinawatra-s, Yingluck, mori një pasaportë nga fqinji i Malit të Zi, Serbia, raportoi media në vitin 2019. Yingluck Shinawatra ndoqi hapat e vëllait të saj duke shërbyer si kryeministre e Tajlandës në 2011-2014, por u rrëzua pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se ajo kishte shpërdoruar detyrën e saj duke larguar nga puna një zyrtar të sigurisë kombëtare.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e mbrojti vendimin për t’i dhënë asaj një pasaportë, duke thënë: “Nuk shoh të jetë ndonjë problem për ne, veçanërisht nëse qeveria sheh përfitime ekonomike ose të tjera për ne.”

Skema serbe funksionon sipas Ligjit për Shtetësinë, i cili thotë se i huaji mund të marrë nënshtetësinë serbe nëse vlerësohet në interes të shtetit. Ndërkohë që vendimet e qeverisë për shtetësinë publikohen në Fletoren Zyrtare, ato nuk e shtjellojnë arsyetimin.

Midis vitit 2010 dhe 2015, mesatarisht pesë deri në 13 pasaporta u lëshuan në këtë mënyrë çdo vit, kryesisht për sportistë dhe sportiste që luanin për ekipe serbe, artistë, figura politike, CEO bankash ndërkombëtare dhe investitorë.

Shifrat filluan të rriteshin që nga viti 2016, njësoj si edhe numri i njerëzve që merrnin pasaporta të tilla. Ndërsa disa ishin figura publike, shumë nuk ishin dhe mbetet e paqartë se çfarë interesi të veçantë kishte Serbia për t’u dhënë atyre pasaporta.

Në vitin 2022, viti kur Rusia pushtoi Ukrainën, Serbia nxori një numër rekord vendimesh për dhënien e pasaportave bazuar në “interes të veçantë” – 64 për atë vit. Numri aktual i pasaportave të lëshuara është sigurisht më i lartë duke qenë se një rast individual mund të përfshijë disa anëtarë të një familjeje. Këtë vit, qeveria miratoi 70 vendime të tilla. Shumica kanë qenë pasaporta të arta për shtetas rusë.

Nemanja Nenadic, drejtoreshë programi e Transparency International Serbi, tha se, përveç rasteve që përfshijnë figura të njohura sportive ose figura të tjera publike, publiku serb nuk është në gjendje të gjykojë nëse shteti ka ndonjë përfitim real nga dhënia e shtetësisë për një individ të caktuar.

“Në mungesë të këtij informacioni, është plotësisht e mundur që një person të marrë nënshtetësinë pa qenë në interes të Republikës së Serbisë, por duke qenë më tepër në interesin financiar të atyre që propozojnë vendime të tilla”, tha Nenadic për BIRN.

Shqipëria ka vite që përpiqet të prezantojë skemën e saj, por është përballur me rezistencën e BE-së, të cilës Tirana dëshiron t’i bashkohet.

Skema është lidhur me një projekt të diskutueshëm zhvillimi në portin e Durrësit, ku qeveria propozon që të huajt që blejnë apartamente t’u jepet pasaporta shqiptare. BE-ja paralajmëroi se një propozim i tillë, nëse miratohet, do të rrezikonte lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë brenda bllokut.

Transparency International thotë se skema të tilla pasaportash apo vizash “nuk i shërbejnë investimeve të vërteta apo emigrimit, por interesave korruptive”.

Por ndërsa vende si Bullgaria, Portugalia dhe Irlanda kanë hequr dorë nga versionet e tyre, praktika vazhdon në vendet anëtare të BE-së, Spanjë, Greqi, Itali, Maltë dhe Qipro.

Në vitin 2019, Komisioni Evropian pranoi se pasaportat dhe vizat e arta mbartin rrezikun e korrupsionit dhe pastrimit të parave, dhe në vitin 2022 Parlamenti Evropian miratoi një paketë masash kundër pastrimit të parave, duke përfshirë ndalimin e shitjes së pasaportave të arta dhe përfshirjen e kontrolleve të rrepta të detyrueshme për marrjen e vizave të arta. /BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura