Universiteti “Luarasi” nisi vitin e ri akademik. Emocionet më së shumti i përjetuan studentët e vitit të parë, të cilët u dhanë jetë e gjallëri auditorëve.
Ashtu siç është tradita, stafi pedagogjik mirëpriti e studentët e rinj në ditën e parë të rrugëtimit të tyre akademik, duke i familjarizuar me atë çka i pret.
Për profesor Et’hem Rukën, studentët janë partnerët e suksesit dhe zgjedhja që kanë bërë do i çojë një hap më pranë ëndrrave dhe pasi kanë projektuar një të ardhme të sigurt.
Rektori i “Luarasit”, prof. dr. Ethem Ruka, tha se studentët e rinj janë dallëndyshet e para që përkojnë më kremtimin e 20-vjetorit të themelimit të universitetit.
“Për fat të mirë, sivjet ardhja juaj përkon me 20-vjetorin e këtij universiteti. Ju vini këtu si maturantë të shkollave dhe të jeni të bindur se në këtë universitet do të gjeni profesionistë. Ju sigurojmë se ky është një nga universitetet më të mira në Shqipëri. Ka besueshmëri të lartë në publik dhe diplomat e ‘Luarasit’ janë të vlerësuara në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në doni të bëheni të mirë në jetë, për veten, për familjen, për shoqërinë arma më e fuqishme e juaja është vetëm dija”.
Më pas, dekanët e katër fakulteteve u dhanë studentëve të rinj gjithë informacionin e duhur, por nuk munguan këshillat dhe motivimi.
“Studentët që mbarojnë këtë universitet klasifikohen në shkollën e Magjistraturës”, deklaroi Maks Haxhia.
“Ju këtu do të përgatiteni, në kuptimin figurativ, do të armatoseni për të përballuar nesër sfidat e tregut të lirë, si në administrim biznes, ashtu edhe në financë bankë”, deklaroi Çuçi.
Por, deri në datën 11 tetor, ka një shans të fundit për ata maturantë që duan të regjistrohen në tri degët e Fakultetit e Shkencave Mjekësore te “Luarasi” dhe kanë aplikuar në “U-Albania”, pasi aplikimet janë hapur në raundin e tretë.
“Sivjet, ne kemi realizuar një maksimum kuotash, por aktualisht iu bëjmë një thirrje studentëve, të cilët nuk kanë fituar në degë të shumta, është një stad regjistrimi nga data 4 deri në 11 dhe ne kemi të drejtë të regjistrojmë pasi kemi kuota rezervë si në Stomatologji, Infermieri e Farmaci. Iu bëj thirrje të mos e humbin këtë rast, por duhet me patjetër që më parë të kenë aplikuar përmes sistemit ‘UAlbania'”, deklaroi Petrit Bara.
Universiteti “Luarasi” nuk ofron vetëm auditorë ku mësohet, por një eksperiencë unike me profil evropian që finalizohet me një diploma të vyer në tregun e punës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al