Lufta e Kosovës, 16-vjetori për gratë e dhunuara

Jun 15, 2015 | 13:01
SHPËRNDAJE

Përvjetori i luftës së Kosovës u është kushtuar grave këtë vit. Veprat artistike janë mundësia më e mirë për përkrahjen e grave. Filma, ekspozita, këngë e memorialë janë realizuar në përkrahje të femrave të dhunuara seksualisht, që edhe 16 vjet pas luftës vazhdojnë të vuajnë pasojat e luftës. Për kaq vite ato zgjohen me ndjenjën e turpit, me frikën nga paragjykimet. Ka qenë kjo arsyeja pse artistë nga Kosova me veprat e tyre kanë treguar përkrahjen ndaj tyre.

Nga eksodi kosovar në 1998-1999

“Kohët e fundit janë duke u bërë përpjekje, të cilat edhe japin shpresë, u hapin një dritare këtyre femrave”, është shprehur regjisori Isa Qosja, autori i filmit “Tri dritare dhe një varje”.

Filmi i Isa Qosjes përmes katër personazheve paraqet gjendjen e të gjitha femrave që kanë përjetuar të njëjtin tragjedi – dhunën seksuale në luftë. Lushja vendos ta sfidojë shoqërinë, Nifa vret veten, njëra nën presionin e burrit detyrohet të heshtë, tjetra, që asnjëherë nuk e shohim në film, sipas regjisorit është numri i femrave që mbajnë në heshtje tmerrin e përjetuar.

“E dimë çfarë rëndësie ka femra për një familje, prandaj duhet përkrahur më shumë se çdo gjë tjetër”, ka thënë Qosja për gazetën kosovare “Zëri”, duke treguar se shpeshherë jashtë shtetit, nëpër festivale të ndryshme, edhe në Kosovë e ka thënë se nuk është turp që të flasim për këtë, turp është për ata që e kanë bërë këtë.

“Turpi nuk u takon femrave, turpi u takon atyre që e kanë kryer këtë vepër, që cenon integritetin moral dhe fizik të femrave”, është shprehur Isa Qosja, teksa ka thënë se këto gra duhet të përkrahen. “Nuk janë pak. Sipas të dhënave, janë 20 mijë gra. Merreni me mend sa e rëndë është për një shtet kaq të vogël si Kosova”, ka thënë regjisori Qosja. “Heshtja e Kangës”, ekspozita multimediale e artistes Eliza Hoxha, është një tjetër vepër artistike kushtuar grave që kanë qenë viktima të dhunës seksuale në luftën e Kosovës.

“Përmes artit mund të krijohet një kontekst i ri psikologjik, ku shkëmbimi i rrëfimeve fillon të ndodhë, ku shoqëria fillon më tepër të reflektojë dhe ku shteti duhet të bëjë apo të ribëjë punën e tij në dobi të të gjitha kategorive të njerëzve njësoj”, ka thënë Eliza Hoxha për “Zërin”.

“Për herë të parë, copëza rrëfimesh nga gratë u bënë publike, për herë të parë heshtja u thye përmes një kënge që i dedikohej pikërisht heshtjes së këtyre grave ndër vite dhe heshtjes sonë kolektive ndaj tyre dhe këtij fenomeni”, ka thënë artistja. Eliza Hoxha thotë se arti shpesh mund ta ketë efektin e mahnitshëm në ndryshimin e perceptimeve. “A ka burra që janë abuzuar seksualisht gjatë luftës dhe sa të gatshëm jemi të flasim edhe për këtë kategori në të ardhmen?”, thotë artistja Hoxha.

Një tjetër projekt është ai i artistes Alketa Xhafa Mripa, “Mendoj për ty”. Rreth 5 mijë fustane janë mbledhur e nderur në një fushë, si një homazh për gratë e dhunuara. “Ende ka shumë gra që jetojnë me dhimbje që e mbajnë në vete, s’e kanë treguar ende përjetimin e tyre”, ka thënë Alketa Xhafa Mripa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura