Vladimir Putin dhe Donald Trump, i cili së shpejti do të marrë presidencën e SHBA-së, do të ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar situatën rreth Ukrainës, deklaron Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell.
Zëdhënësi i presidentit rus Dmitry Peskov ka thënë në të kaluarën se nëse Trump tregon gatishmëri për të dëgjuar shqetësimet e Rusisë dhe për të kuptuar arsyet e nisjes së pushtimit të Ukrainës, kjo mund të vendosë bazat për një dialog që do të synojë paqen.
“Gjithçka tregon se Trump dhe Putin do të ulen në tryezën e bisedimeve dhe Ukraina do të jetë në axhendë. Kohët e fundit kam qenë në Ukrainë dhe kam biseduar me Zelensky për këtë mundësi… Është e qartë nga ana e tij se një vendim që do të “prodhohet” nga SHBA dhe Rusia është diçka që ai nuk do ta pranojë dhe kjo është e kuptueshme “, tha Borell në një intervistë në radio stacionin spanjoll Cadena SER.
Sipas tij, shumica e vendeve evropiane, edhe pse jo unanimisht, janë të gatshme të vazhdojnë t’i japin ndihmë Kievit.
Për më tepër, shefi i politikës së jashtme të BE-së theksoi se ka mbështetur gjithmonë vendimin për të lejuar Ukrainën të përdorë armë për të sulmuar brenda Rusisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al