Lufta në Ukrainë dhe ekonomia shqiptare, flet eksperti: Ndikim i tërthortë, qeveria të ndërhyjë në…

Mar 2, 2022 | 11:37
SHPËRNDAJE

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, ka deklaruar se lufta në Ukrainë ka një ndikim të tërthortë në ekonominë shqiptarë, teksa ka ftuar qeverinë të marrë masa në mbrojtje të konsumatorëve. Në një intervistë për Gazetën “Panorama.al”, drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike shprehet se vendi ka nevojë për një orientim më të mirë të ekonomisë dhe kriza është një moment i rëndësishëm. Eksperti shprehet se vendi ka nevojë për një plan me politika sektoriale, ndërsa i bëri thirrje qeverisë që, përmes krijimit të mekanizmave, të nxisë mbjelljen e çdo metri katror në vend. Preçi komentoi edhe propozimin që PD i bëri qeverisë për uljen e TVSH-së nga 20 në 6 për qind për ushqimet e shportës. 
NDIKIMI I LUFTËS NË VEND

Kur flasim për ndikimin e luftës, lufta është një krizë dhe kuptohet që ndikimi është i drejtpërdrejtë, i tërthortë dhe i menjëhershëm. Vendi ynë është i hapur kryesisht ndaj Bashkimit Europian, pasi shumica e import-eksporteve tona lidhen me Italinë apo vendet e tjera të BE-së. Një vend që importet e veta i ka kryesisht në lëndë të parë dhe mallra ushqimore etj., kuptohet që ndikohet tërthorazi më shumë se sa në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kemi dy mallra që jemi të lidhur me ekonominë e Ukrainës, siç është importi i karburanteve, që është indirekt, për sa u takon kuotimeve në bursë, si dhe importimi i drithërave, që është import i drejtpërdrejtë, por që në mjaft raste bëhet përmes kompanive ndërmjetëse. Këto janë mallra që kanë rezervë sigurie 90 ditë të vitit paraardhës, çka do të thotë që zhvillimet e mëtejshme në tregjet botërore kuptohet që do të japin efektin e vet në amortizimin e kësaj goditjeje.

Në të njëjtën kohë, duhet pranuar që edhe kur nuk ka pasur luftë, luhatjet në rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare janë reflektuar vetëm me rritje në tregun tonë dhe asnjëherë në kahun e kundërt, çka do të thotë që kriza të tilla japin mundësi për të nxjerrë në dukje mënyrën e rregullimit të tregjeve dhe nevojën për të pasur një rregullim të përshtatshëm që nxit konkurrencën dhe i jep mundësi çdo operatori ekonomik të mos shfrytëzojë situatat e pafavorshme për të fiksuar çmimet apo për të ndarë tregjet. Le të marrim një shembull. Rritja e çmimit të bukës këto ditë është më shumë efekt psikologjik dhe spekulim.

Efekt psikologjik te konsumatorët që nxitojnë të marrin rezerva në shtëpi dhe efekt spekulativ te grosistët apo prodhuesit, për shkak se prodhimi bazohet në lëndën e parë të importuar në periudhën e afërt. Kriza nuk është vetëm një goditje apo nxitje e tendencave thesarizuese të familjes për të shpenzuar më pak, një shtyrje në kohë e vendimmarrjeve të biznesit për sa u takon investimeve, që ndikon në mundësitë e zgjerimit të fuqisë punëtore, mundësitë e kontributeve në taksa, por është edhe një efekt i lidhur me situatën që po kalon vendi. Janë një mori ndikimesh të dimensioneve të ndryshme, por për momentin, janë më shumë në rrafshin psikologjik dhe jo në rrafshin e kostove, edhe pse ato kanë filluar të shfaqen në mjedisin ekonomik në Shqipëri.

QEVERIA

Qeveria është në një situatë kur mund dhe duhet të rishohë politikat e saj ekonomike, me synim që të fillojë me gjëra të thjeshta, në mbrojtje të konsumatorëve: krijimi i kushteve për të mbjellë, për të shfrytëzuar çdo metër katror të sipërfaqes së tokës bujqësore në vend; krijimi i kushteve për të zgjeruar numrin e kafshëve të prodhimit, si lopët, delet, dhitë etj., që ka dhjetë vjet që janë pakësuar me 20 për qind. Pra, të rikthejmë vëmendjen e politikave publike në sektorin agrar, drejt prodhimit vendas. Kjo është pritshmëria që duhet të ndodhë dhe ky lloj riorientimi i politikave publike. Nuk jam shumë optimist për faktin e thjeshtë që ekonominë tonë, duke qenë ekonomi e vogël, janë një numër i vogël operatorësh ekonomikë importues, që rëndom konsiderohen edhe oligarkë, ata që janë pasuruar falë askesit në të mira publike, fondet dhe pasuritë publike, ku tregu është i rregulluar keq, është edhe fakti që vendimmarrjet publike diktohen prej tyre.

Pra, pjesa e fondeve buxhetore që destinohen për të mbështetur prodhimin vendas është shumë e kufizuar dhe politikat sektoriale mungojnë. Në mungesë të politikave sektoriale ka pak vend për optimizëm për ta rikthyer krizën në një mundësi. Në qoftë se kalohet nga faza e spontanitetit të sotëm drejt një planifikimi më të mirë, ndërtimit të lidhjeve kooperuese midis burimeve të lëndës së parë dhe konsumatorit, krijohen kushtet që prodhimet të jenë të shitshme në treg, me kosto të ulët dhe cilësi. Pra, të mbjellim çdo metër katror, të mos na ngelë djerrë asnjë metër katror, sepse kjo është përgjigjja ndaj krizës.

Nuk mund të vazhdojë Shqipëria të funksionojë përjetësisht si një vend postkolonial. Eksporton lëndë të para të papërpunuara dhe njëkohësisht të importojë gjithçka që konsumon. Ka nevojë për një identifikim më të mirë të prioriteteve zhvillimore, që për mendimin tim, mbeten bujqësia dhe turizmi. Në qoftë se operatorët ekonomikë veprojnë në kushte oligopolisitke, kur fiksojnë çmimet apo ndajnë tregjet, atëherë qeveria të shfaqet vetë në treg dhe të blejë vetë me kosto dhe ta shesë me kosto, pra të krijohet konkurrenca në treg, si një mekanizëm që ruan balancën midis prodhuesve dhe ofruesve të shërbimeve midis prodhimit vendas dhe importit ku mbron konsumatorin pa cenuar të ardhurat në buxhet.

ÇMIMI I KARBURANTIT DHE TURIZMI

Turizmi është sektori që është goditur drejtpërdrejt nga kjo krizë përmes anulimit të porosive të një numri të konsiderueshëm agjencish, sepse turistët që vinin nga Ukraina dhe zona të tjera të luftës kanë qenë një burim i rëndësishëm të ardhurash në sektorin e turizmit gjatë viteve të fundit, edhe gjatë periudhës së pandemisë. Në qoftë se sot kemi një çmim të lartë të karburantit dhe rritet në tregjet botërore, pritet të ndikojë në rritjen e çmimit në tregun e brendshëm. Qeveria ka në dorë dy instrumente të rëndësishme, që mund dhe duhet t’i përdorë. Një instrument mbetet rishikimi i ngarkesës me taksa. Është jonormale që çmimi i lëndës së parë në momentin e mbërritjes është jo më shumë se 1 e treta e çmimit fundor që shkon te konsumatori. Pra, ngarkesa me taksa duke përfshirë dhe indeksimin e akcizës, një shpikje shqiptare për të mbledhur më shumë të ardhura në buxhet, por duke e varfëruar konsumatorin, ka nevojë të rishikohet. Qeveria mund të heqë një nga këto taksa.

NDIKIMI I SANKSIONEVE NDAJ RUSISË

Sigurisht! Marrja e masave ne solidaritet me vendet e BEsë është një kosto e arsyeshme në dëm të ekonomisë shqiptare. Ajo është në parametra minimale për faktin e thjeshtë që shkalla e ndërveprimit të ekonomisë sonë me ekonominë e vendit ndaj të cilit merren masat, pra Rusisë, është shumë e vogël. Po të shohësh volumet e importeve dhe eksporteve që ne kemi, janë simbolike dhe nuk ngrenë ndonjë peshë. Gjithsesi, është pozitive që Shqipëria i bashkohet këtij solidariteti të kuptueshëm qoftë edhe me pasoja në ekonominë e vendit.

PROPOZIMET E PD

Çfarëdolloj rishikimi politikash ka efekt në ekonomi. Mirëpo, për çfarë objektivi primar është? Në kushtet e ekonomisë shqiptare është 30- 50 për qind informale, uljet në taksa si rregull shtojnë fitimet e operatorëve ekonomikë, por pak ose aspak përcillet te konsumatori fundor. Kështu që ka nevojë të ketë maturi në hapa të tillë dhe ajo mund të bëhet për ato produkte kur është qartësisht e dallueshme i gjithë zinxhiri, që nga prodhimi dhe deri te konsumatori apo që nga importi deri te konsumatori. Unë i shoh me rezerva, edhe pse pajtohem me logjikën që në këtë situatë duhen mbështetur më të varfrit dhe mendoj që ka nevojë të elaborohet më tej mënyra e mbështetjes së shtresave në nevojë. Propozimi i taksës edhe mund të bëhet dhe mund të ketë një lloj efekti, por ka nevojë për një kontroll të rreptë të tregut, për të mos lejuar spekulimet që çojnë në shtimin e fitimeve për operatorët ekonomikë, oligarkët apo palët e interesuara, sesa në uljen e kostos së produktit final.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura