Lufta në Ukrainë/ Putin bën deklaratën: Rusia do të nisë prodhimin masiv të raketave ‘të pandalshme’ balistike

Nov 22, 2024 | 18:21
SHPËRNDAJE

Zhvillimet e fundit në luftën Rusi-Ukrainë kanë “trazuar” politikën në mbarë botën.

raketa

Dhënia e dritës jeshile nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar që Ukraina të përdorë armët perëndimore me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave ruse ka përshkallëzuar konfliktin, duke i dhënë atij një “natyrë globale”, siç tha presidenti rus Vladimir Putin gjatë një deklarate publike dje.

Ndërkohë që ditën e sotme, i pari i Kremlinit, Vladimir Putin, ka deklaruar Rusia do të fillojë prodhimin masiv të raketës së re balistike hipersonike, me të cilën sulmoi dje Ukrainën, shkruan Sky News.

Raketa me rreze të mesme veprimi, e njohur si ‘Oreshnik’, nuk mund të kapet, shkruan media shtetërore RIA Novosti, e cila citon presidenti rus.

Sistemet e armëve si Oreshnik nuk ekzistojnë askund tjetër, tha ai në një takim me ministrinë e mbrojtjes.

“Nuk ka asnjë kundërmasë ndaj një rakete të tillë, asnjë mjet për ta kapur atë sot në botë. Do të theksoj edhe një herë se ne do të vazhdojmë testimin e këtij sistemi më të ri. Është e nevojshme të vendoset prodhimi serik”, tha Putin.

Kremlini tha se sulmi i tij në qytetin ukrainas të Dnipro dje ishte në përgjigje të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që lejuan Kievin të godiste territorin rus me armë të avancuara perëndimore.

Nga ana e tij presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se përdorimi i raketës së re ishte “një përshkallëzim i qartë dhe i ashpër” të frontit të luftës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura