Presidenti francez Emmanuel Macron rikonfirmoi sot mbështetjen e tij për Ukrainën dhe përsëriti dënimin ndaj përshkallëzimit të sulmeve ruse kundër Ukrainës.
Deklaratat e Macron për situatën Rusi-Ukrainë u bënë gjatë një telefonate që presidenti francez zhvilloi sot me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zyra e presidencës në Francë njoftoi se Macron zhvilloi sot bisedë telefonike me Zelenskyn, gjatë së cilës Macron “dënoi në termat më të ashpër të mundshëm sulmet pa dallim të Rusisë, të cilat janë duke u intensifikuar vazhdimisht kundër qyteteve, popullatës civile dhe kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës“, raporton Reuters.
“Sulmet e fundit, rritja e bashkëpunimit me Korenë e Veriut dhe retorika e papërgjegjshme që i shoqëron ato, janë pjesë e një përshkallëzimi të papranueshëm nga ana e Rusisë, e cila vazhdon të ndjekë një plan revizionist, brutal dhe imperialist në shkelje të të drejtave sovrane të Ukrainës dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha Macron gjatë telefonatës.
Presidenti francez nënvizoi gjithashtu se logjika e përshkallëzimit “nuk mund të përmbysë vendosmërinë e Francës për të vazhduar të ndihmojmë Ukrainën dhe për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që ajo të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtën e saj për mbrojtje legjitime.”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al