Mandati i Olta Xhaçkës nuk shkon në Gjykatë Kushtetuese, kjo pasi mazhoranca socialiste ka abstenuar me 65 vota, 9 kanë votuar kundër, ndërsa 25 votat pro të opozitës nuk kanë mjaftuar.
Në përfundim të votimit, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se do t’i drejtohen Komisionit të Venecias.
9 deputetët që votuan kundër ishin Jurgis Çyrbja, Bledi Çuçi, Damian Gjiknuri, Anduel Tahiraj, Paulin Stërkaj, Petro Koçi, Klodiana Spahiu, Shkëlqzim Bullari dhe Bujar Çela. Në votim nuk mori pjesë kryeministri Rama, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë.
“Kuvendi ka zbatuar gjithë procedurën parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqenëse ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar, që nesër si kryetare e Kuvendit do ti drejtohem komisionit të Venecias për të marrë një mendim të specializuar mbi standardet e zbatueshme në vendimmarrjet e pushtetit legjislativ, raportin dhe konkurrueshmërinë e parimeve të parashikuara në të drejtën kushtetuese dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, tha Spiropali.
Ky vendim që u mor nga mazhoranca acaroi opozitën, e cila përplasi tavolinat ndërsa e cilësoi një turp vendimin e socialistëve për të mos zbatuar urdhrin e Gjykatës Kushtetuese.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al