Mandati i Olta Xhaçkës/ Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtohet në seancën e 12 shtatorit

Aug 27, 2024 | 12:08
SHPËRNDAJE

Në seancën e datës 12 shtator do të futet në rendin e ditës edhe shqyrtimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.

kuvendi

Edhe pse mes debateve të ashpra mes dy palëve, deputetët e PS janë dakordësuar mbi pikën kryesore që në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë të shqyrtohet mocioni mbi mandatin e Olta Xhaçkës, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por ajo që ata kanë kundërshtuar është propozimi i opozitës, lidhur me hartimin e një raporti.

“Në seancën e datës 12 shtator 2024 u vendos që do jetë pjesë e rendit të ditës edhe shqyrtimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. I kujtoj administratës përgatitjen për tre vendimet e tjera të zbatimit të GJK, ligji për tatimin për profesionet e lira, ligji për ndryshimet antikushtetuese në rregulloren e kuvendit dhe ligjin për komisionet hetimore. Administrata brenda datës 5 shtator duhet të njoftojë Kryetaren e Kuvendit” tha Çupi.

Këshilli i Legjislacionit si organ këshillimor përgatiti një draft raport ku renditen 4 hapat që duhet të ndërmerren për zbatimin e vendimit.

  1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
  1. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
  1. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
  1. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin.

Nga ana e saj deputetja e PS Klotilda Bushka tha se nuk ka nevojë për mendim të arsyetuar nga ana e këshillit, pasi kemi të bëjmë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese

“Biem dakord që kryetares t’i propozohet që projektvendimi të përfshihet në seancën e parë plenare” tha Bushka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura