Ambasada e SHBA në Tiranë, ka reaguar një ditë pasi mazhoranca socialiste abstenoi vendimin për të çuar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës, duke theksuar se Parlamenti shpërfilli vendimin e Kushtetueses.
Përmes një deklarate, ambasada amerikane shprehet se marrja e hapave të nevojshëm për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është një përgjegjësi thelbësore e Parlamentit dhe është gjithashtu thelbësore për parimin e ndarjes së pushteteve.
Ndër të tjera, Ambasada thkson se qeveria dhe institucionet duhet t’u përmbahen rregulloreve, ligjeve, vendimeve gjyqësore dhe kushtetutës.
Reagimi i plotë
Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian për vendimin e djeshëm në parlamentin e Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vuri në dukje kryeparlamentari së fundmi, marrja e hapave të nevojshëm për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është një përgjegjësi thelbësore e Parlamentit dhe është gjithashtu thelbësore për parimin e ndarjes së pushteteve. Qeveria dhe institucionet duhet t’u përmbahen rregulloreve, ligjeve, vendimeve gjyqësore dhe kushtetutës – të gjitha këto janë vendosur për të siguruar që një sistem demokratik të jetë i shëndetshëm dhe i lulëzuar.
Kujtojmë se mazhoranca socialiste ka abstenuar me 65 vota, 9 kanë votuar kundër, ndërsa pro votuan 25 deputetë të opozitës.
9 deputetët që votuan kundër ishin Jurgis Çyrbja, Bledi Çuçi, Damian Gjiknuri, Anduel Tahiraj, Paulin Stërkaj, Petro Koçi, Klodiana Spahiu, Shkëlqzim Bullari dhe Bujar Çela. Në votim nuk mori pjesë kryeministri Rama, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë.
Në përfundim të votimit, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se do t’i drejtohen Komisionit të Venecias.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al