PASKAL MILO
Austria përshëndeti dhe inkurajoi hapat e parë të Shqipërisë në fushën e lirive e të drejtave të njeriut dhe fillimin e hapjes së saj ndaj botës në pranverën e vitit 1990. Nga Vjena në Tiranë u dërgua mesazhi se Austria ishte e gatshme të luante rolin e urës mes Shqipërisë dhe Perëndimit.
“Në masën që Shqipëria do të afirmojë përkatësinë europiane të saj, -deklaroi në atë kohë Kancelari federal, Franc Vranicki,-do të shtohet edhe leverdia që ajo do të ketë nga bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh në Europë”.
Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990, që shënoi fillimin e proceseve demokratike e të jetës politike pluraliste në Shqipëri, u mirëprit në Austri, sikurse edhe në të gjithë Europën demokratike. Por regjimi komunist ende ishte në këmbë. Forca të errëta të tij kërcënonin të ndalonin këtë lëvizje progresive.
Duke ndjekur nga afër situatën, qeveria austriake, në fillim të janarit 1991, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të kohës që procesi i demokratizimit të mos pengohej në rrugën e vet paqësore. Ajo paralajmëroi se “një kthim në marrjen e masave shtypëse kundër popullit të vet, do të rrezikonte përpjekjet e Shqipërisë për t’u hapur drejt Europës”.
Gjatë vitit 1991, marrëdhëniet Shqipëri–Austri shënuan hapa të vogla përpara, sepse në gjykimin e autoriteteve austriake, “procesi i demokratizimit po ecën ngadalë dhe me probleme”. Shkas për të arritur në këtë përfundim ishte rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 31 marsit, ku Partia Komuniste fitoi mbi dy të tretat e deputetëve dhe kriza politike e qeveritare që i pasoi ato.
Megjithatë, qeveria austriake mbështeti pranimin me të drejta të plota të Shqipërisë në Konferencën për Sigurinë e Bashkëpunimin në Europë (KSBE), rriti nivelin e kontakteve politike me qeverinë shqiptare të Stabilitetit përmes ministrave të Jashtëm e anëtarëve të tjerë të saj. Në shtator 1991, qeveria austriake për herë të parë caktoi një ambasador të akredituar në Shqipëri me qëndrim në Vjenë. Ky ishte Kurt Shpalinger.
Zgjedhjet e 22 marsit 1992 dhe krijimi i qeverisë së Partisë Demokratike u pritën mirë në Austri dhe sollën rrethana të favorshme për zhvillimin me ritme të shpejta të marrëdhënieve mes të dy vendeve. Ato morën një përmbajtje të re dhe u shtrinë në të gjitha fushat: politike, ekonomike, tregtare, ushtarake, kulturore, arsimore, shkencore etj.
Në aspektin politik, ato u shoqëruan me shkëmbimin e vizitave të niveleve të larta, të ministrave të Jashtëm, të kryeministrave, të presidentëve, të kryetarëve të parlamenteve, të anëtarëve të tjerë të qeverive respektive, të delegacioneve parlamentare etj.
Ecuria pozitive e marrëdhënieve midis dy vendeve u ndal përkohësisht pas zgjedhjeve problematike të 26 majit 1996 e sidomos me ngjarjet dramatike që u zhvilluan në Shqipëri në pranverën e vitit 1997, me rënien e skemave piramidale.
Shqipëria u zhyt në një krizë të thellë politike e sociale, u kërcënua rendi publik dhe vendi u rrezikua të përfshihej në luftë civile. Komuniteti ndërkombëtar i erdhi në ndihmë Shqipërisë. U organizua një operacion ndërkombëtar i ndërhyrjes me emrin “Alba”, për të rivendosur rendin, stabilitetin dhe për të garantuar zgjedhje të lira të parakohshme.
Austria luajti një rol shumë të rëndësishëm në kuadrin e këtij operacioni me pjesëmarrjen e një kontingjenti të forcave të saj ushtarake. Qeveria, Parlamenti dhe Presidenti i Austrisë, Tomas Klestil, bënë thirrje dhe u dërguan mesazhe aktorëve kryesorë të politikës shqiptare se “duhet të kontribuojnë me mjete paqësore për të kaluar krizën”, se “nuk duhet lejuar që Shqipëria të zhytet në anarki dhe kaos”, dhe se duhen mbrojtur “të drejtat e njeriut dhe principet themelore të demokracisë”.
Veçanërisht u shqua ishKancelari Vranicki në krye të misionit faktmbledhës e të ndërmjetësimit të OSBE-së. Ai kontribuoi në arritjen e marrëveshjes mes forcave politike për të krijuar një qeveri të pajtimit kombëtar dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të përkohshme në qershor 1997. Këto zgjedhje u fituan nga Partia Socialiste dhe nga disa parti të tjera të vogla të opozitës, që krijuan edhe qeverinë e re të kryesuar nga Fatos Nano. Kjo qeveri që në gusht-shtator 1997 shprehu vullnetin dhe angazhimin e saj për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe me Austrinë dhe rivendosjen e bashkëpunimit në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.
Rivendosja e rendit dhe ndërtimi i institucioneve demokratike ishte detyra parësore e qeverisë së re brenda vendit. Austria iu ndodh në krah Shqipërisë në përballimin e kësaj sfide. Qeveria austriake dha këshilla të vlefshme dhe ofroi ndihmën e saj për funksionimin e institucioneve shqiptare dhe për hartimin e Kushtetutës së re të vendit.
Zëvendëskancelari dhe ministri i Jashtëm, Wolfgang Schüssel (V. Shysel), njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Popullore në atë kohë, dha një mesazh të rëndësishëm për opozitën shqiptare, që ndër vite më vonë e deri tani mbetet i vlefshëm:
“Nuk e kuptoj logjikën e mospjesëmarrjes dhe të refuzimit të punimeve të Parlamentit. Si kur humb, ashtu edhe kur fiton, duhet të jesh pjesë e procesit… Është prioritare që opozita të marrë pjesë në punimet e Parlamentit dhe të jetë konstruktive”. Situata e brishtë, në të cilën ndodhej Shqipëria, mund të përkeqësohej menjëherë, qoftë edhe nga një krizë e vogël. Kështu ndodhi në shtator 1998, kur duke marrë shkas nga vrasja e deputetit të PDsë, Azem Hajdari, opozita shqiptare tentoi një grusht shteti.
Austria në krye të Presidencës së Bashkimit Europian, luajti një rol aktiv në bashkëpunim me institucione të tjera ndërkombëtare që t’i jepte fund krizës. Në nëntor 1998, qeveria austriake e vlerësoi Referendumin për kushtetutën e re të Shqipërisë si “një shenjë të rritjes së pjekurisë demokratike të popullit shqiptar dhe një hap i rëndësishëm në rrugën drejt stabilizimit dhe demokratizimit të mëtejshëm”.
Komponent i rëndësishëm në marrëdhëniet shqiptaro-austriake ka qenë bashkëpunimi ekonomik. Ai ka pasur uljet dhe ngritjet e tij në varësi edhe të zhvillimeve të brendshme shqiptare. Në vitin 1991, ai u kufizua vetëm në lëvrimin e ndihmave humanitare.
Viti 1992 shënoi fillimin e bashkëpunimit konkret ekonomik përmes nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse, disbursimit të ndihmave financiare, hartimin e projekteve të përbashkëta. Këto projekte u përqendruan në rehabilitimin e hidrocentraleve mbi lumin Drin, në ndërtimin e ujësjellësve në Shkodër, Lezhë e Tiranë, në ndërtimin e shkollave të turizmit në Tiranë e Sarandë dhe në rehabilitimin e 13 shkollave të ndryshme të vendit dhe të spitalit të Burrelit.
Nisën e përfunduan studime për zhvillimin e turizmit në bregdetin shqiptar. Në vitin 1993, midis dy vendeve u nënshkrua marrëveshja për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve dhe disa vite më vonë ajo për heqjen e taksimit të dyfishtë. Vendosja e bazës ligjore të bashkëpunimit ekonomik inkurajoi ardhjen e kompanive austriake të biznesit për investime në Shqipëri.
Deri në fund të vitit 1998, rreth 30 kompani dhe filiale të tyre kishin shfaqur interes për investime në Shqipëri, në kërkime për naftë (OMN), në energjetikë, hoteleri, turizëm, shkolla, infrastrukturë etj. Sipas vetë burimeve austriake, ndihma që Austria ka dhënë në zbatim të projekteve në Shqipëri deri në vitin 2001 ka arritur në afro 275 milionë shilinga. Volumi i shkëmbimeve tregtare po këtë vit arriti në 220 milionë shilinga. Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar ka pasur një bashkëpunim të mirë në fushën ushtarake përmes shkëmbimit të delegacioneve të nivelit të lartë, dhënies së përvojës austriake, trajnimeve dhe specializimeve të oficerëve shqiptarë etj.
Në mënyrë të veçantë është krijuar një traditë e mirë në bashkëpunimin universitar e shkencor dhe në shkëmbimet kulturore. Prania e kulturës austriake në Shqipëri ka qenë e mbetet e mirëpritur. Ambasada austriake në Tiranë është shumë aktive në promovimin e vlerave dhe të arritjeve të mëdha të kulturës austriake. Austria që në fillimin e proceseve demokratike dha mesazhe të qarta në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë.
Në vitet 1995-1996 ajo ishte ndër ato pak vende anëtare të BE-së, që mbështeti kërkesën e Shqipërisë për një marrëveshje asociimi me BE-në. Tri vite më vonë, kur filloi procesi i stabilizimitasociimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, qeveritë austriake i dhanë përkrahje e ndihmë Shqipërisë për plotësimin e kushteve e të standardeve për hapjen e negociatave dhe për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit.
Po të njëjtin qëndrim Austria mbajti edhe kur Shqipëria morri statusin e vendit kandidat për në BE. Sot, ajo është ndër vendet që përkrah pa kushte miratimin e kornizës negociuese të BE-së për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare.
Austria ka qenë ndër vendet e para europiane, që ka shfaqur shqetësime për mohimin e të drejtave themelore të shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Millosheviçit. Qëndrimi i saj zyrtar gjatë gjithë gjysmës së dytë të viteve ‘90-të ka qenë dhënia e statusit të autonomisë së zgjeruar.
Gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë, ajo mbështeti aspiratat e ligjshme të shqiptarëve dhe ndërhyrjen e NATO-s për të shmangur një katastrofë humanitare. Qeveria austriake ofroi mbi 500 milionë shilinga në ndihmë të shqiptarëve të Kosovës të shpërngulur në Shqipëri.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al