Muri i Berlinit, i ndërtuar në vitin 1961, u shemb më 9 nëntor 1989, pas 28 vitesh. U deshën vetëm 11 muaj që më 3 tetor të vitit 1990 të arrihej Ribashkimi i Gjermanisë. Në librin e tij “Për Gjermaninë – histori diplomatike dhe kujtime”, Ambasadori Bashkim Zeneli i kushton një kapitull prej 200 faqesh procesit të ribashkimit. Autori përshkruan me shumë hollësi, dhe me një dokumentacion të pasur, përpjekjet e mëdha të politikës dhe diplomacisë gjermane për kapërcimin e sfidave dhe vështirësive të këtij procesi.
Nën drejtimin e Kancelarit Kohl dhe ministrit të Jashtëm Gensher u tejkaluan me shumë vendosmëri probleme të natyrës politike, diplomatike, juridike, ushtarake, administrative të traktateve e raporteve me aleatët perëndimorë, por sidomos me sovjetikët, që kishin një prani prej 500 mijë trupash në RDGJ. Kancelari legjendar Willy Brandt kishte deklaruar me kohë se çelësi për bashkimin gjerman ndodhej në Moskë. Kancelari Kohl do të takohej disa herë brenda 11 muajve me Presidentët Bush dhe Gorbaçov. Ai, së bashku me ministrin e Jashtëm Gensher do të fluturonin nga një kryeqytet në tjetrin për të marrë “Po”-në e ribashkimit. Ata e përballuan çdo skepticizëm dhe mosbesim, apo edhe mosdakordësi nga aleatë të ndryshëm perëndimorë për Ribashkimin e Gjermanisë . Gazeta “Panorama” ka zgjedhur të botojë sot pjesën mbi përpjekjet e fundit të ribashkimit, të datës 3 tetor 1990, të përshkruara nga ambasadori Bashkim Zeneli.
BASHKIM ZENELI
“MJESHTËR I MADH”
PJESA E DYTË
Është interesante, se në mbrëmjen e 11 shtatorit, ministri Gensher e kishte ftuar për darkë ministrin Hurd, në rezidencën e ambasadorit gjerman dhe aty kishin konsumuar çdo qëndrim. Dukej se përsëri nga Londra kishte rënë telefoni…
Në fillimin e mbledhjes, Gorbaçov u takua me Gensher, e uroi paraprakisht dhe më pas iu drejtua të pranishmëve: “Fati e solli që pala gjermane dhe sovjetike të ishin aktorët kryesorë në këtë proces. Asgjë nuk do të vinte pa ndryshimet e thella në RDGj, në Bashkimin Sovjetik, por edhe pa punën kolosale të RFGj.” Dhe Gensheri duke falënderuar tha vetëm, fare pak fjalë: “Atdheu im, që sot do të jetë i bashkuar, ne do të jemi një shtet. Mbas një gjysmë shekulli, të gjithë gjermanët do të jenë te bashkuar” Marrëveshja e shumëpritur nënshkruhet! Gjermania ishte bashkuar. Ishte bashkuar në më pak se një vit dhe këtë nuk e mendonte askush, as Kohl, as Gorbaçov, as udhëheqësit e shquar perëndimorë. Gorbaçov ishte ai që kishte bërë aq shumë. Tani sovjetikët e kishin dorëzuar, nuk e mbanin më çelësin e bashkimit. Kishte pasur mirëkuptim, kishte pasur kundërshti, mosaprovim, rezerva, dialog me ecje përpara, kthim mbrapa, përsëri entuziazëm për mirëkuptimin. Me aleatët perëndimorë nuk ishin kurrë rezervat që ishin me sovjetikët. Dhe me ta u punua shume qartë: Kohl dhe Gensher e dinin se procesi i reformave në Bashkimin Sovjetik nuk i shërbente vetëm atij vendi të madh, por edhe të gjithë Europës, botës! Sidomos vendeve, që bashkë me Bashkimin Sovjetik, kishin qenë besnikë të një sistemi dogmatik të dështuar socialist dhe partisë-shtet.
Dokumenti Përfundimtar përmbante 10 pika. Vendimtare ishte pika 7, në të cilën thuhej: “Republika Franceze, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i japin fund me këtë dokument të drejtave dhe përgjegjësive të tyre në lidhje me Bashkimin e Gjermanisë si e tërë. Si rezultat, vendimet dhe praktikat 4 palëshe të 4 fuqive mbarojnë përfundimisht.
Gjermania e Bashkuar ka kështu sovranitetin e plotë mbi çështjet e saj të brendshme dhe të jashtme”. Ishte vetë zgjidhja e Gjermanisë në të cilën Aleanca do të ishte anëtare.
Ish-Kancelari i shquar socialdemokrat, Schmidt, dhe një nga 5 miqtë më të ngushtë të Kancelarit Kohl do të shkruante mbas nënshkrimit të Marrëveshjes Përfundimtare 2+4 në Moskë: “Mihail Gorbaçov është një burrë i një kalibri të veçantë, i guximshëm si rrallë kush, vizionar i fuqishëm në qëllimin që i ka vënë vetes në rrugën e reformave të nisura, një bashkëbisedues shumë i mirë, me aftësi të mëdha taktike, një pragmatist i zoti dhe njëkohësisht një idealist shumë i madh. Që nga koha e Pjetrit të madh, Rusia nuk ka pasur një udhëheqës të tillë me aftësi dhe cilësi të krahasueshme. Gorbaçovi është një Herkul modern, që e kuptoi shumë mirë se mirëqenia ekonomike nuk mund të arrihet pa plotësimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”. Të nesërmen më 13 shtator, Gensher me Shevardnadze nënshkruan “Traktatin e miqësisë, fqinjësisë së mirë, partnershipit dhe të bashkëpunimit”. Edhe ky traktat kishte shumë rëndësi për sovjetikët dhe gjermanët. Ky traktat do të nënshkruhej për ratifikim në parlament mbas 3 tetorit, nga qeveria e vetme gjermane dhe nga një parlament i vetëm, mbas zgjedhjeve të përgjithshme.
Më 13 shtator 1955, 35 vjet më parë, ishin vendosur marrëdhënie diplomatike midis Bashkimit Sovjetik dhe RF të Gjermanisë. Ky traktat ishte si një model në shumë aspekte i Traktatit gjermano-francez, të 22 Janarit 1963. Marrëdhëniet gjermano-sovjetike do të hynin në një epokë të re, 231 marrëveshje kishte nënshkruar Gjermania me Bashkimin Sovjetik, që nga ardhja në fuqi e Gorbaçovit e deri tani, në shtator të vitit 1990. Sigurisht që marrëveshje të rëndësishme ishin nënshkruar edhe më parë, sidomos me furnizimin afatgjatë me gazin sovjetik. Por, bashkëpunimi ishte i munguar.
Më 1 tetor 1990, kur Kancelari Kohl ishte 8 vjet me këtë detyrë, në Hamburg u mblodh kongresi i unifikimit të CDU-së së Perëndimit me CDU-në e Lindjes, kongresi i 38 i CDU, me pjesëmarrjen e mbi 1000 delegatëve. Ai përshëndet me brohoritje Kancelarin Kohl. Delegatët nuk u ulën, ata duartrokasin fuqishëm, pa ndërprerje.
Kishin shkuar edhe përfaqësues të 5 landeve të lindjes: Brandeburg, Mecklenburg,-Vorpommeen, Saksen, Saksen-Anhalt edhe Thuringen e Berlinit Lindor. U diskutuan 12 pika të Kongresit dhe, më në fund, u bënë edhe zgjedhjet për kryetarin federal të CDU-së. Helmut Kohl zgjidhet përsëri, tashmë Kryetar i CDU-së së bashkuar, me 99 për qind të votave. Vetëm 15 vetë ishin kundër. Një rezultat i jashtëzakonshëm. Ai meritonte çdo nderim për politikën e suksesshme ndaj Bashkimit Gjerman. Askush nuk i ndoqi me aq zgjuarsi dhe nuhatje shanset historike dhe askush nuk i shfrytëzoi ato, si ai.
Më datën 2 tetor pasdite, Kancelari mbërriti në Berlin. Ishte organizuar një miting i jashtëzakonshëm, me 2 milionë pjesëmarrës. Ishin edhe Presidenti Weizcaker, Gensher, Vili Brand etj. Festimet e popullit qenë madhështore.
Në tribunën e ngritur para sheshit të Raishtagut, me pjesëmarrje që shkonte nëpër Bulevardin 17 qershori dhe nëpër rrugën drejt Potdames Platz, e mori fjalën Kancelari Kohl. Ai foli për 45 vitet e Gjermanisë së ndarë dhe për ëndrrën e gjermanëve, që asnjëherë nuk u shua, për një atdhe të bashkuar. Ai falënderoi Presidentin e SHBA Bush, atë të Francës, Miteran, por edhe Kryeministren britanike Thatcher, që edhe deri ditën e fundit nxirrte “kleçka”. Një falënderim dhe mirënjohje të jashtëzakonshme Kancelari Kohl i shprehu homologut sovjetik Mihail Gorbaçov “që njohu të drejtën e popujve për të vetëvendosur”.
Kancelari ngriti peshë zemrat e gjermanëve kur falënderoi popullin e RDGJ-së që “me fuqinë e përhershme të dashurisë për lirinë” mposhti diktaturën e SED-it. Ai vazhdoi duke iu drejtuar qytetarëve të RDGJ-së, se “askush nga ju nuk do të jetë më keq se dje, të gjithë do të jenë më mirë”.
Më tej u foli për rrugën e vështirë që e priste Gjermaninë e Bashkuar, por ishte i bindur se populli ishte i gatshëm për sakrifica dhe se do t’i kishin shanset për një sukses të përbashkët.
“Diktatura mbi 40-vjeçare e SED-it”, deklaroi Kohl, “ka krijuar plagë të thella në zemrat e njerëzve. Shteti i së drejtës ka për detyrë të vendosë drejtësinë dhe paqen e brendshme. Këtu jemi të gjithë para një prove të vështirë të vlerave. Padrejtësitë e rënda duhet të ndëshkohen, por ne duhet, gjithashtu, të gjejmë forcë për vëllazërim të brendshëm. Unë u lutem të gjithë gjermanëve: të gëzojmë të gjithë së bashku, me dinjitet, lirinë e përbashkët. 3 tetori ishte një ditë e gëzimit, falënderimit dhe shpresës. Gjenerata e re në Gjermani, ka tani shansin si asnjë gjeneratë tjetër para saj, të jetojë përherë në paqe e liri… “Gjermania është atdheu ynë, Europa e bashkuar është e ardhmja e jonë”.
Dhe kështu mund të fliste vetëm një burrë i madh shteti, një Gjerman i madh, një europianist i madh. Presidenti Amerikan Bill Clinton do të shkruante: “Helmut Kohl është burri më i shquar i shtetit, që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne kujtojmë të gjitha vendimet që duhet të merrte mbas rënies së Murit. Ai i ishte përgjigjur drejt çdo çështje që duhej zgjidhur. I ka zgjidhur drejt për Gjermaninë, i ka zgjidhur drejt për Europën, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka zgjidhur për të ardhmen e botës”. Flasin të gjithë udhëheqësit Gjermanë, foli në mënyrë prekëse dhe gjermano-lindori nga Halle-Sale, diplomat ndër më të shquarit në botë, Hans Dietrich Gensher. Foli edhe Kryeministri gjermanolindor, Lothar De Maizière, tepër i emocionuar. Ai foli për një “largim pa lot”, për një mision të përfunduar deri në zgjedhjet e reja. Kryeministri gjermano-lindor foli edhe për nevojën e sqarimit të fajeve dhe pafajësive dhe kërkoi, që në radhë të parë, të qëndrojnë përpjekjet për vëllazërim, Kjo ishte themelore.
Në ora 2 të mëngjesit sheshi vazhdonte të brohoriste e të thërriste Kohl, Kohl.
Mëngjesi i 3 tetorit e gjeti Gjermaninë të Bashkuar! Ishte realizuar një qëllim i madh Kombëtar, një aspiratë dhe një e drejtë që nuk u fashit kurrë.
Kancelari Kohl e quan se ka qenë me fat të madh, që Gjermania u bashkua aq shpejt dhe që marrëveshjet u ratifikuan, sepse më 23 gusht 1991, Presidenti Jelcin, që kishte ardhur në pushtet në mesin e qershorit, ndaloi me një dekret të posaçëm të gjitha veprimtaritë e PK të BS. Të nesërmen Gorbaçov dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe Presidentit të vendit. Në fakt, Kongresi i Deputetëve të Popullit, në mars të vitit 1990 kishte hequr nga Kushtetuta e BRSS nenin që citonte PK të Bashkimit Sovjetik, si forcë e vetme udhëheqëse të vendit dhe të shoqërisë.
Më 2 dhjetor 1990, dy muaj pas bashkimit do të zhvilloheshin zgjedhjet e para në Gjermaninë e Bashkuar. Rezultati ishte bindës për CDU-në dhe CSU-në, unioni historik – 43.8 për qind. SPD mori 33.5 për qind, FDP 11 për qind. Mbetën jashtë parlamentit të Gjelbërit, që sapo ishin krijuar, e Majta dhe PDS. Më 18 janar 1991 u votëbesua në Bundestag, qeveria e re e koalicionit me liberalët (FDP), nën drejtimin e Kancelarit Kohl dhe me zv/Kancelar dhe ministër të Jashtëm, H.D.Gensher. Për Helmut Kohl kjo ishte zgjedhja e tij e katërt si Kancelar.
Marrëveshja përfundimtare 2+4 hyri në fuqi, më 15 mars 1991, 11 ditë mbasi ishte ratifikuar nga parlamentet përkatëse.
Kishin kaluar 46 vjet nga kapitullimi pa kushte i Rajhut Gjerman dhe vendosja e forcave fituese të Luftës së Dytë Botërore në Gjermani dhe Berlin. Kishin kaluar edhe 30 vjet nga ndërtimi i Murit të Berlinit, dhe vetëm 1 vit nga shembja e tij. Tani Gjermania e Bashkuar do të ishte një shtet kombëtar Sovran./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al