SEJDO HARKA
“Ka njerëz, që puthin me buzë,. . . ka dhe të tillë, që me buzë ndyjnë!” (Dritëro)
Kaluan gati 8 vite nga dita kur Dritëro Agollin, emblemën e kulturës shqiptare dhe “bardin” poezisë sonë moderne, nuk e kemi fizikisht mes nesh. Por, si për çudi, edhe pse na ka marrë malli shumë, na duket sikur e kemi takuar dje. Përjetësia e tij rron në botën e librave, që na la si dhuratën më të shtrenjtë, të cilat nuk treten kurrë, ashtu si amaneti që na la në vargjet, shkruar para se të largohej nga kjo botë: Kur të mos jem më, në se malli do t’u marrë për mua mua “Në raftin e librave do më gjeni/në ndonjë fjalë a shkronjë”. Prandaj, edhe sot e kësaj dite, sa herë nis të shfletoj librat e tij, më duket sikur bisedoj me të ngrohtësisht, si dikur në takimet e rralla.
Dritëro Agolli, ky gjeni i letrave shqipe, është një monument i gjallë i kulturës shqiptare. Kur shfleton krijimtarinë e tij letrare, ndjen frymëmarrjen e kombit tonë dhe hapat e bijve të tij, që ecin me këmbë të përgjakura, përmes honesh të mjergullta, me kokën dhe shpirtin të mbushur me trazira, shpresë dhe ëndrra të mëdha për liri e përparim shoqëror. Para syve të shpaloset, si në ekran, e gjithë Shqipëria, me baltën e saj të ëmbël dhe njerëzit e saj bujarë, por të shumëvuajtur.
Krijimtaria poetike e D. Agollit është sa e gjerë, aq dhe e larmishme. Me penën e tij ai, “i ra globit” dhe “e çau” tejpërtej, i ra “shpirtit” dhe e ndriçoi, i ra “ të keqes” dhe e verboi, “i ra” të mirës dhe e mrekulloi. Magjia e fjalës së tij shquhet për potencialin e lartë dhe densitetin e mendimit, për koherencën dhe frymëmarrjen e shëndetshme, për humorin e këndshëm dhe nervin impulsiv, për thjeshtësinë dhe frymëzimin spontan dhe për filozofinë e mesazhet e fuqishme, me vlera universale për njerëzimin. Janë këto disa nga arsyet, që kritika letrare e quan Dritëro Agollin, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Megjithatë, ka pasur edhe ndonjë zë, që krijimtarinë e tij e ka quajtur si krijimtari, vetëm me vlera folklorike. Por gjykime të tilla cinike kanë mbetur si britma në shkretëtirë. “Më kanë quajtur folklorist, thotë Dritëroi, por ata harrojnë se arti nuk bëhet me kilivishka-hieroglife, që nuk të gudulisin, të paktën për të qeshur, pa le pastaj të të vënë në mendime”. Forcën e padiskutueshme të penës së tij e shpreh bukur aforizmi i vargut të tij fabulik: “S’pyet mali për guriçka”. Dritëroi është mal i lartë. Ai është vërtet një njohës dhe mbështetës i fuqishëm në krijimtarinë popullore. Merr nga ajo mitologjinë dhe filozofinë e saj, karakteret dhe simbolikën, si dhe ngrohtësinë e shpirtit popullor, të cilat i përpunon në laboratorin e tij krijues, siç bën bleta me nektarin, për ta kthyer në mjaltë. Në sa mund të quhet “arkaik” mjalti i luleve të freskëta, aq mund të quhet jomoderne krijimtaria e këtij shkrimtari të rrallë. Edhe shkrimtarë të tjerë, të huaj dhe të vendit, si Shekspiri, Kuteli e Naimi, janë frymëzuar nga krijimtaria popullore, por koncepsioni figurativ dhe mesazhet filozofike që përçojnë, mbeten përherë moderne.
Dritëroi, ky njohës i thellë dhe shqipërues i hollë i kolosëve të letërsisë moderne botërore, si Bernsi e Lorka, Majakovski, Esenini e Kedrin, nuk mund të mos quhet modern. Një krijimtari, që e kuptojnë dhe e pëlqejnë njerëzit e të gjitha shtresave dhe kohërave, nuk ka si quhet “e vjetëruar dhe folklorike”. Pikërisht, te popullariteti dhe universaliteti qëndron magjia e krijimtarisë së tij.
Nëpërmjet këtyre shënimeve të shkurtra, nuk pretendojmë të rrokim atë det mendimesh dhe ndjenjash, që gjallon në krijimtarinë e këtij poeti të papërsëritshëm. Shpesh më ka ngacmuar humori dhe satira e rrallë, që shfaqet si në prozë, ashtu edhe në poezitë e tij. Lexuesi, s’ka për t’i harruar kurrë karaktere të tillë si S. Protopapa, Partizani Meke, Zylo, Demka, plaku Mere, të cilët nëpërmjet të qeshurave, kanë sjellë mesazhe të ngrohta për jetën dhe shoqërinë që përfaqësojnë.
HUMORI DHE SATIRA
Në pamundësi për t’i përmendur vlerat e gjithë humorit dhe satirës së Dritëro Agollit, në këto shënime po ndalemi kryesisht te humori dhe satira e tij fabulike. Të befason dhe mrekullon fantazia dhe guximi, me të cilin poeti fshikullon marrëzitë e kohës. Pas maskës së kafshëve, ai zbulon shëmbëlltyrat e botës njerëzore. Nëpërmjet tyre autori kërkon të zgjojë në vetëdijen e lexuesit mendimin, se jetojmë në kohën e prapësive e marrëzive. Për t’i bërë këto marrëzi e prapësi sa më të kapshme për lexuesin, ai bën protagonist të karaktereve fabulikë të tij, gomarë e dhelpra, ujqër e zhaba, gjinkalla e gjela, pas të cilëve fanepsen mbartësit e veseve të këqija, që gjenerojnë përçmim dhe varfëri, shtypje dhe skllavërim.
Edhe për të fshikulluar marrëzitë e kohës moderne, D. Agolli u rikthehet filozofisë, mesazheve dhe karaktereve të skalitura nga mitet dhe kolosët e humorit e të satirës botërore, siç janë Ezopi dhe La Fonteni. Duke shkelur në rrugët e çelura prej tyre, ai hap edhe shtigje të reja, që ia dikton koha. Humori i tij, të sjell ndërmend O’Henrin e famshëm dhe mjeshtrin turk, Azis Nesin. Në krijimtarinë e Dritëroit, e qeshura është një çlodhje e gëzuar, që shkaktohet nga një pickim i mençur, ndërsa mesazhi është produkt i shkrirjes së elementëve epikë me ata lirikë dhe i atyre dramatikë me ata komikë.
“Mua, thekson Agolli, në pasthënien e librit “Çudira dhe marrëzi”, më ngacmon përherë humori. Ai të bën të mos grindesh, por ta kalosh lumin me të qeshur”. Kur lexon poezitë humoristike dhe satirike të këtij autori, ndjen gudulisjet që të bëjnë, jo vetëm për të qeshur, por edhe të mendohesh thellë. Ndjen shiun e ftohtë, i cili të bën të zgjohesh nga gjumi e plogështia; ndjen fshikullimat e kamxhikut, që të bëjnë të fshish nga mendja lakminë dhe ëndrrat e këqija. Në shënjestër të satirës së Dritëroit janë marrëzitë e kohës. Ato shfaqen në jetën e përditshme si sëmundje të këqija, që e brejnë nga brenda njeriun dhe tërë shoqërinë. Këto marrëzi i pjellin monstrat fabulike të kohës, që në thelb janë po ato monstra të karikaturuara nga mjeshtërit e fabulës botërore. Por, në penën e D. Agollit, ato shfaqen si shëmbëlltyra të frakturave morale dhe shpirtërore të kohës. “Maçoku” i fabulave të këtij autori, është më lajkatar e pragmatist se ai i fabulave të La Fontenit. Për të ilustruar ketë fakt, mjafton të citojmë fjalët, që ai i thotë bilbilit: “E di, se në këngë, je mbret fis pas fisi /Por mua, nga ti, më duhet veç mishi”. Edhe dhelprat e korbi i fabulave të D. Agollit, janë më dinakë. Kërkesat e tyre janë bërë më “diplomatike” dhe më “të arsyeshme”, por bien erë korrupsion. Që korbi ta shpëtojë djathin nga rrëmbimi i dhelprës, e josh atë me fjalët e mëposhtme, që shprehin dinakëri korruptive: “Më bëj një nder, se ta jap vetë djathin/Dhe mos u merr me plakun La Fonten,/ se me La Fonten-in djathin nuk e gjen!”. Është koha, kur “budallenjtë”, me veprimet e tyre, i “stërmundojnë” të mençurit. Kur një i marrë guxon të hedhë një gur në pellg, “Të mençurit mjekrat çjerrin/ kërkojnë tërë pellgun./Por gurin dot s’e nxjerrin”. Është koha kur, “kënga e gjelave, në majë të plehut”, pëlqehet më shumë se ajo e “bilbilit”, mbretit të këngës. Snobët e kohës, mahniten nga zër i çjerrë i gjelit, gjë që shprehet në vargjet fabulike: “Ah, qarratai këndes,/Ai këndon”. Ndërsa, kur dëgjojnë zërin e bukur të “bilbilit”, mbyllin veshët. Snobizmin e tyre autori e fshikullon nëpërmjet vargut satirik: “Na ruaj, o Zot, nga ky kritik!”
Një marrëzi tjetër e kohës, që vihet në shenjestrën e humorit të fabulave të D. Agollit, është vendosja e “gomarit”, para “kalit”. Është kjo arsyeja që, ky i fundit, ankohet: “E, ku të vete unë, i ngrati,/ kur rrugën ma ka zënë veshëgjati”! Por askush nuk e dëgjon. Është koha, kur “Gomari kërkon të bëhet njeri,/ për të çuditur njerëzit me mençurinë e tij”. Por një shok e këshillon me urtësi: “Mes njerëzve ka shumë si ti, /Ndaj rri më mirë në gomarëri”. Është koha kur, “Për kockën, “qentë” shqyhen keq me dhëmbë,/ ndërsa “macet brohorasin”: “Ja, kjo është edukatë”. “Miushët”, mrekullohen, kur shohin “maçin laraman”, që është bërë “zemërbardhë”, “i dashur” e “babaxhan”. Por tmerrohen, kur nga “nëna plakë” mësojnë të vërtetën, se ky “shpirtbardhë e fisnik”, me fisin e tyre, “S’bëhet kurrë vëlla e mik”. Edhe “breshka” kërkon të bëhet “me fre, me yzengji e me shalë”. Ndaj, “të mbathej, si kali, shkoi te nallbani”, por e pësoi. Këtej buron mesazhi proverbial: “Mos shko si breshka te nallbani”! “Ujku” quhet i zbutur, aqsa edhe me “dhëntë” bën shaka e orgji e hedh valle, në mes të tyre. Por, me të mbaruar vallen, ky “ujk i dashur e gazmor, / tërë kopenë e sharron”. Është kjo arsyeja që, “të mençurit përherë na kujtojnë”, se “…i madhi ujk, nuk e harron zakonë”. Është koha, kur “druvari”, që bën kërdinë mbi “pemët “e gjora, ia hedh fajin “sëpatës”, duke iu kundërpërgjigjur: “S’ke punë me mua,/ankoju sëpatës!”. Kur “dhelpra plakë” e këshilloi të bijën, që të mos shkonte me njerëzit, kësaj të fundit “fjalët e plakës iu dukën dokrra”. Prandaj, i thotë me qesëndi: “Ehu, sa dhelpra ka mes njerëzve, moj motra!”.
Është koha, kur edhe “macet” themelojnë parti. Pas ahengut e zallahisë, “nxjerrin thonjtë”, zihen prap e bëjnë mitingje, duke dëgjuar me gojëhapur, “maçokun e madh, orator”. “Bushtra” i shan “qëntë” e qeni i shan “bushtrat”: “Për kockat e fshehura në vrima e skuta, / Zhaba shan bretkosat e bretkosat shajnë zhabat, /të zhytura në llumra e baltëra”. Sot, “ka njerëz që ecin me këmbë,/ka që me këmbë shtypin. /Ka njerëz, që hanë bukë me dhëmbë,/Ka që me dhëmbë mbytin. / Ka njerëz që puthin me buzë,/ Ka që me buzë pështyjnë./ Ka njerëz që flasin me buzë,/ por ka dhe që me buzë ndyjnë”.
Është koha, pohon autori, kur kusari matet me Çezarin. Por, nëse Çezari mburret me bëmat: “Erdha, pash, luftova, fitova”, kusari e krimineli krenohen me marrëzitë: “hyra, vrava, preva, vodha, shkallmova”. Kjo botë, për D. Agollin, është e mbushur me kusarë, dhelparakë e zuzarë, të cilët, nga makutëria, harrojnë se në botën tjetër, do të jenë të barabartë.
Kredon e tij poetike humoristike, Dritëroi e vazhdon edhe në librat e tij më të fundit, siç është ai me titull, “Gdhihet dhe ngryset”. Ai ligështohet thellë, kur sheh që edhe në shoqërinë e sotshme, të ashtuquajtur moderne, ka njerz, të cilët me punën dhe talentin e tyre “…edhe çmimin” Nobel” mund ta merrnin një ditë/ …por, ja që kjo botë i mbytka/ gjenitë”(88).
Satira është një shuplakë e fuqishme mbi padrejtësitë e shoqërisë, që jo vetëm nuk i vlerëson, por dhe i frenon njerëzit e ditur dhe punëtorë. Jo rrallë, njeriu i ndershëm dhe i guximshëm mbetet i izoluar në rrugëkryq, sepse vihet në shenjestër nga egoistët dhe cinikët e të gjitha krahëve. Prandaj, i lebetitur, autori thërret: “Ku të futem s’gjej vend tjetër, /Ku të qesh e ku të qaj? /Majtas, vrap më dalin dreqër, / Djathtas, vijnë e presin djaj”(93). Është koha, kur “Hamletët largohen nga drama:/ Të rrosh, a të mos rrosh, njeriu s’bërtet”. Në vend të tyre “E ëma e Zeqos” flet nga maja e thanës dhe, për çudi, “me gojë hapur, zërin ia dëgjon një Parlament!”. Humori dhe satira e Dritëroit janë sa spontane, aq dhe transparente. Prandaj shpesh s’ka nevojë për koment. Ajsbergun e mendimit dhe mesazhit filozofik të tij e zbulon nëpërmjet magjisë së fjalës. Brenda kësaj magjie, lexuesi sheh lakuriqësinë e veseve të njerëzve të shoqërisë së kohës. Në poezinë humoristike të këtij autori gjen jo vetëm mendimtarin gjakftohtë, por edhe rebelin, që proteston ndaj prapësive të kohës. Njerëzit, që bëhen viktimë e vesit, i fshikullon me humor dhe i bën të mendohen, i dushon me ujë të ftohtë dhe i bën të zgjohen nga ëndrrat e këqija “i shpon me hosten” dhe i bën të ecin përpara, “i ushqen” me mesazhe dhe i bën me krahë. Ndërsa veset dhe marrëzitë, i godet me pambuk dhe i bën të zgjohen nga gjumi letargjik. Këtë e bëjnë vetëm poetë të tillë të mëdhenj, si Dritëro Agolli./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al