Prokuroria për Krime të Rënda mori në pyetje Fredi Belerin, i cili është vënë nën hetim për akte terroriste.
Pas 25 vitesh nga ngjarja, disa muaj më parë, Prokuroria hapi dosjen, që njihet ndryshe si “Masakra e Peshkëpisë”, ku mbeti i vrarë roja dhe komandanti i këtij reparti dhe u plagosën katër ushtarakë të tjerë. Hetimet po drejtohen nga prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, dhe gjatë ditës së djeshme, në praninë e tij dhe dy oficerëve të Policisë Gjyqësore, Beleri është marrë tri orë në pyetje, nga ora 12:00-15:00. Pas përfundimit të marrjes në pyetje, atij iu komunikua dhe akuza e ngritur, “Kryerje e aktiviteteve dhe veprimtarive terroriste”.
Në dyert e Prokurorisë, Beleri, në një reagim për median, tha se ishte paraqitur për të pastruar baltosjen që po i bëhej. “Erdha në Prokurori që të mbarojë baltosja dhe poshtërimi ndaj figurës sime për një çështje që nuk kam asnjë lidhje. Në ditën dhe në muajin që është bërë veprimi, unë kam qenë në Qipro. Edhe autoritet greke, edhe ato shqiptare, kanë prova që të ndalojnë poshtërimin e figurës sime për veprimet e mia politike”, tha ai.
Posta Kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër u përball prillin e vitit 1994 me një sulm agresorësh grekë, të cilët, pasi vranë rojën, ushtarin Arsen Gjinin dhe komandantin e repartit, kapiten i Parë, Fatmir Shehu, plagosën efektivë të tjerë dhe grabitën gjithë armatimet në tërheqje e sipër. Ndërkohë, pak ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi kandidimin e Alfred Belerit si kandidat i pavarur për zgjedhjet e 30 qershorit në Bashkinë e Himarës.
PRETENDIMI
Autoritete greke ndalojnë më 18 mars të vitit 1995, 7 të dyshuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë. Ata sapo kishin dështuar në një tjetër sulm terrorist ndaj kufirit shqiptar. Gjatë kontrollit të ushtruar te të ndaluarit, u gjetën edhe armët e municionet e rrëmbyera në Postën Kufitare të Peshkëpisë.
Të ndaluarit e komandës së ashtuquajtur “Pirro i Parë”, ishin: Jorgos Anastasulis, 34 vjeç, shtetas grek, oficer, Apostolos Karvelas, 26 vjeç, shtetas grek (ish-polic rrugor), Marios Kutula, 25 vjeç, qytetar shqiptar, Fredi Beleri, qytetar shqiptar, 23 vjeç, (i cili përdor disa emra si Dionisios dhe Foti), Jorgo Kristo, 26 vjeç, Jorgo Papa, 30 vjeç, të gjithë këta janë nga Himara, Harallamb Papa, 21 vjeç, nga Krioneri i GjirokastrëS. Edhe pse armët e gjetura ishin ato të vjedhura në Peshkëpi, Gjykata në Athinë vendosi se këto nuk ishin prova të mjaftueshme dhe të gjithë u liruan.
Duke qenë se emri i tij ishte përmendur nga mediat si i përfshirë në këtë ngjarje, emisioni “Gjurmë shqiptare” i kërkoi Fredi Belerit, kandidat për Bashkinë e Himarës, në zgjedhjet e vitit 2015, një reagim për këtë çështje. Ai nuk pranoi të realizonte një intervistë, por përmes mesazheve dha qëndrimin e tij për këtë çështje.
“Unë nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen e Peshkëpisë. Është një mit që e kanë kultivuar gjithë këto vite mediat. Ju falënderoj për ftesën, por nuk kam asgjë të re për të thënë për çështjen. Nga janari i vitit 1994 deri në korrik nuk kam qenë as në Greqi, as në Shqipëri. Fakt që është vërtetuar nga autoritetet shqiptare dhe ato greke”, ishte përgjigjja e Belerit për emisionin.
Masakra e Peshkëpisë, si u vranë dy ushtarakët shqiptarë para 25 vitesh
Masakra e Peshkëpisë në Gjirokastër ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 10 prill 1994. Organizata terroriste greke “Mavi” (Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, duke iu drejtuar Postës Kufitare të Peshkëpisë, duke vrarë komandantin e postës, Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe duke plagosur ushtarët e tjerë: Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi.
Gjatë sulmit, ata morën peng edhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar, Qemal Strokën, i cili më pas u la i lirë në kufi. Anëtarët e këtij grupi terrorist rrëmbyen edhe armët luftarake që ishin në depon e repartit. Pasi u ngjitën në qafën sipër repartit dhe kaluan shpatin e malit Bureto, autorët e sulmit e liruan nënoficerin shqiptar dhe e lanë atë të kthehet. Brenda pak minutash, grupimi me emrin e koduar të mbretit të lavdishëm të Epirit, “Pirro i Parë”, u rikthye serish në territorin grek.
Ndërsa rekrutët e rinj të repartit të Peshkëpisë nxituan që t’u jepnin ndihmën e parë Arsen Gjinit e Fatmir Shehut, por ata nuk kishin më shenja jete. Autorët e këtij sulmi të ndodhur 25 vite më parë, pasi kaluan kufiri, qëndruan në një kodër përballë postës që kishin planifikuar të sulmonin, nga ku mund të mbanin nën kontroll çdo lëvizje. Pasi u siguruan për numrin e rojeve dhe vendndodhjen e saktë të tyre, ata u vunë në lëvizje.
Sulmi nisi në mesnatë, në një kohë që 130 rekrutët e rinj, të moshave 18-20 vjeç, ishin në gjumë. Dëshmori i Atdheut, 20-vjeçari Arsen Gjini, nga fshati Seman i Fierit, i ndjeu lëvizjet e autorëve që vinin nga përtej kufirit, por arma tip “Kallashnikov” që ai mbante në duar ishte pa fishekë. Paralajmërimi i ushtarit shqiptar nuk i trembi autorët e sulmit, pasi sipas të dhënave ata mund të kishin siguruar informacion nga brenda dhe e dinin që roja nuk kishte municion.
Arsen Gjini u qëllua i pari gjatë këtij sulmi, duke mbetur i vrarë. Më pas, autorët mësynë brenda godinës dykatëshe duke hyrë në fjetinën ku ndodheshin rekrutët dhe në depon ku ruhej armatimi për të parandaluar çdo kundërpërgjigje. Brenda dy minutash, i gjithë reparti, me mbi 130 ushtarë dhe oficerë, gjendej i çarmatosur dhe i nxjerrë jashtë luftimit.
Oficeri i stërvitjes, kapiteni Fatmir Shehu, që natën e ngjarjes ishte oficeri më i rëndësishëm i repartit në detyrë, gjendej në katin e dytë të godinës. Sapo dëgjoi të shtënat dhe rrëmujën në godinë, zbriti poshtë me një pistoletë tip “Tokarev”. Por tentativa e tij për të rezistuar ishte e kotë, pasi babai i dy fëmijëve u qëllua me breshëri në sheshpushimin mes shkallëve, duke mbetur i vdekur.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al