Udhëtuan disa kilometra për të bërë banjë dielli në një pishinë në Vorë dhe u masakruan nga dy bashkëmoshatarë të tyre për motive banale. Klevis Disha, i cili më 8 gusht do të mbushte 20 vjeç, mbeti i vdekur nga një thikë në zemër. Familja Disha, e cila jeton në Nikël të Krujës, është e tronditur nga kjo fatkeqësi, e dyta brenda pak vitesh, pas vdekjes së të atit të Klevisit.
I riu u godit për vdekje, ndërsa vëllai i tij, Lorenci, kushëriri dhe dy shokë u plagosën. Familjarët e vëllezërve Disha kërkojnë dënim maksimal për autorët e masakrës. Ramazan Disha, xhaxhai i viktimës, gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, shprehet se ngjarjen e ka mësuar nga një i afërt i familjes, i cili ndodhej në spital në momentet që pesë të rinjtë nga Nikla mbërritën të gjakosur.
Më shumë se xhaxha, Ramazani ka qenë edhe baba për nipërit e tij, të cilët humbën të atin në vitin 2009.
Ramazan, si e morët vesh ngjarjen e rëndë?
Çfarë të them?! Është një ngjarje shumë e rëndë, sidomos për ne që jemi të prekur drejtpërdrejt me një viktimë dhe dy të plagosur. Unë isha te një i afërmi im, kur papritur më mori një tjetër i njohur, i cili ndodhej në spital për punët e veta dhe më thotë: “Djemtë janë të gjithë këtu në spital të gjakosur”.
Si vepruat pasi morët lajmin e kobshëm?
Fillimisht u shokova. U hodha ujë syve dhe u nisa për Tiranë me furgon. Mbërrita në Tiranë te spitali ku ndodheshin të plagosurit dhe takova personelin, i cili më informoi për gjendjen e djemve. Fillimisht mjeku më bëri të ditur gjendjen e dy nipërve të plagosur, për të cilët më vuri në dijeni se nipi i vogël kishte pësuar dëmtime të lehta, ndërsa Lorenci kishte marrë dy thika, njëra prej tyre e kishte prekur edhe në stomak, por që ishin jashtë rrezikut për jetën.
Po për vdekjen e Klevisit, nipit tjetër?
Ai nuk ndodhej në spitalin privat ku ishin dërguar të plagosurit, por te Qendra Universitare “Nënë Tereza”, pasi kishte ndërruar jetë dhe ishte në duart e mjekëve ligjorë. Mjeku i spitalit privat më tha se Klevisi kishte mbërritur i vdekur. “Edhe sikur këtu në spital të kishte ndodhur ngjarja, Klevisi nuk do t’ia kishte dalë, për shkak se thika i kishte prekur zemrën”, më tha mjeku.
Çfarë dini rreth shkakut dhe zhvillimit të ngjarjes?
Nuk di çfarë të them. Djemtë ishin nisur nga shtëpia rreth mesditës (13:00- 13:30) me dy automjete për të kaluar disa orë në pishinat e Vorës. Aty ka ndodhur gjithçka. Nipi që ka mbetur i plagosur na tregoi se nuk kishin pasur asnjë konflikt për arsye vajzash. Sipas asaj që ju ka treguar Lorenci, cili ka qenë shkaku? Djemtë tanë ishin ulur në shezlongët anës pishinave dhe po bisedonin me njëritjetrin. Ndërkohë Klevisi shkon afër banakut për të marrë një hamburger. Në këto momente debaton me dy të rinj të tjerë, të cilët nuk i njohim ende. Ata e pyesin pse na shikon, ndërsa Klevisi u ishte përgjigjur me të njëjtën mënyrë. Njëri prej tyre ishte ngritur dhe e kishte goditur me thikë në zemër duke e lënë në vend. Më pas kanë ndërhyrë edhe vëllai dhe kushëriri i tij, si dhe dy bashkëfshatarët tanë, të cilët gjithashtu mbetën të plagosur, pasi personi që mbante në dorë thikën qëllonte kë të dilte përpara.
Autorët janë identifikuar dhe arrestuar. Keni ndonjë mesazh pas kësaj ngjarjeje?
Djali nuk na kthehet më. Ne duam që autorët që kryen këtë masakër të vihen përpara drejtësisë dhe të marrin dënimin maksimal, pasi në të kundërt do të bëjmë vetëgjyqësi. Do t’i vrasim me duart tona, nëse drejtësia nuk u jep dënimin e merituar. Ne jemi njerëz hallexhinj, por padrejtësinë nuk e kemi për zakon ta mbajmë mbi shpatulla. Klevisi dhe Lorenci janë rritur jetimë. Vëllai im ndërroi jetë 6 vite më parë, pasi vuante nga një sëmundje shumë e rëndë. Kështu që ata ishin në besën time dhe nëse nuk vihet drejtësia në vend, do ta vendos unë.
LEONIDHA MUSAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al