Gjykata në Gjirokastër ka lënë në burg 2 nga tetë të arrestuarit për mashtrime kompjuterike, ndërsa 6 të tjerë janë lënë të lirë me masën “arrest shtëpie”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në bazë të informacionit të referuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore të seksionit të Prokurorisë, ka regjistruar me iniciativë procedimin penal nr. 471, të vitit 2023, për veprën penale “Mashtrimi Komjuterik”, parashikuar nga neni 143/b/2 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi, nga ana e prokurorisë janë kryer veprime duke përdorur metoda pro aktive, në bashkëpunim me sektorin e hetimit të Krimeve Ekonomiko Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale si dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të së cilave janë identifikuar dy ambiente, të cilat ishin përshtatur si “Call Center”, në qytetin e Tiranës, në të cilat ushtrohej aktiviteti i mashtrimit të shtetasve të huaj, nga disa kontinente të ndryshme, duke i mashtruar këta shtetas për të investuar në tregje fiktive të kriptovalutave dhe më pas përvetësimin e shumave të konsiderueshme të parave në monedha huaja.
Në kuadër të këtij procedimi penal, më datën 08.11.2023, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në qytetin e Tiranës u finalizua operacioni policor, ku u ushtruan kontrolle në dy ambientet ku zhvillohej aktiviteti i mashtrimit brenda të cilit u gjendën 75 punonjës të paregjistruar në organet tatimore, të cilët mashtronin shtetasit e huaj nëpërmjet platformave fiktive.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 servera me të dhëna, 2 pajisje “DVR”, 75 pajisje komjuterike të llojit laptop, 25 pajisje komjuterike të llojit PC, 35 aparate celulare, disa blloqe shënimesh me emrat e personave të mashtruar dhe shumave të përvetësuara, një shumë parash prej 13 500 eurosh dhe një makinë luksoze e viteve të fundit, e cila dyshohet se është produkt i pastrimit të parave nga aktiviteti i mashtrimit.
U arrestuan në flagrancë 8 shtetas, të cilët rezultuan se ishin bashkëpronarë dhe punonjës në dy subjektet “Call Center”, konkretisht shtetasit E.S. 32 vjeç, banues në Tiranë, E.P. 28 vjeç, banues në Tiranë, M.S., 29 vjeç, banues në Tiranë, E.H. 23 vjeç, banues në Fushë Krujë, A.H. 32 vjeç, banuese në Tiranë, S.B. 35 vjeç, banues në Vlorë, F.H. 27 vjeç, banuese në Tiranë dhe E.M. 26 vjeç, banuese në Tiranë.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, më datën 11.11.2023, ka vendosur vleftësimin si të ligjshëm të arresteve në flagrancë dhe ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit E.P. dhe A.H. dhe masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit E.S, M.S., E.H, S.B, F.H. dhe E.M.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al