Maturantët që dëshirojnë të ndjekin studimet për Drejtësi në Universitetin e Tiranës do të kenë më shumë shanse për t’u pranuar këtë vit. Kjo s’ka të bëjë aspak me uljen e kërkesës për këtë degë, por me rritjen e kuotave të pranimit, duke e çuar numrin e studentëve për 2017- 2018 në 750. Shifrën e bën të ditur për gazetën dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha.
Me kthimin e Juridikut në cikël të integruar studimesh, dekanati ka marrë një vendim për unifikimin e numrit të kuotave dhe tarifës së studimit që do të aplikohet për pranimet e reja.
KUOTAT E TARIFAT
Sipas dekanit Hoxha, vendimi për të rritur kuotat e studimit vjen me kthimin e Drejtësisë në program 5- vjeçar studimi. “Hyrjet për herë të parë, për këtë vit, janë planifikuar të jenë 750 studentë. Por këta i nënshtrohen një programi të integruar, çka do të thotë se ata janë studentë për 5 vite”.
Sakaq, paralelisht me studimet e integruara do të vijojnë edhe pranimet në master shkencor e profesional për ata që aktualisht janë në sistem. Kjo shpjegon edhe numrin e lartë të pranimeve të reja te Juridiku, të cilat në një periudhë afatgjatë do të reduktohen ndjeshëm, nëse vendimmarrja ruan këtë trend pranimesh. “Si shifër absolute ka më shumë pranime të reja, në raport me vitin që shkoi. Ndërsa në fund do të jenë më pak të diplomuar.
Nëse këtë vit akademik kemi pranuar rreth 1 mijë studentë për studimet bachelor e master, për 2017-2018 do të jenë vetëm 750”. Sipas të dhënave, Fakulteti i shumëkërkuar i Drejtësisë ka pranuar çdo vit mbi 600 studentë të rinj për studimet e ciklit të parë, bachelor. Ndërsa cikli i dytë i studimeve, master profesional e shkencor, e kalon këtë shifër. Më konkretisht, në tri profilet e masterit shkencor po kryejnë studimet në vitin e parë rreth 450 studentë, ndërsa në atë profesional janë rreth 250. Njësoj si me kuotat e pranimeve të reja, do të veprohet edhe me tarifën e studimit. Ndonëse për këtë nuk ka ende një shifër konkrete, dekani sqaron se do të ketë një unifikim të tarifës për 5 vitet e studimit.
“FILTRI PËR JURISTËT”
Dekani Artan Hoxha ndan të njëjtin mendim me shumicën dërrmuese, kur thonë se numri i juristëve është shumë i lartë në raport me numrin e popullsisë, ndërsa zgjidhjen e gjen te ligji i arsimit të lartë, i cili ka gjetur mekanizmin për të filtruar më të mirët përmes një provimi. “Preferenca për Juridikun është e njohur në Shqipëri. Kemi më shumë juristë sesa ka nevojë shoqëria.
Problemi është sa cilësorë janë. Ajo që ka bërë ligji i ri për arsimin e lartë, është që me përfundimin e studimeve në Drejtësi, që një student të konkurrojë për avokat, gjyqtar, prokuror a noter, duhet të kalojë provimin e shtetit”. Në nenin 82 të ligjit të ri, është parashikuar që programet e studimit në fushën e Drejtësisë të jenë programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë, të cilat do të realizohen në periudhë 5-vjeçare, dhe që kanë 300 kredite. Ndërsa për herë të parë, vitin e ardhshëm do të zhvillohet një provim shteti që certifikon karrierën e një avokati, noteri a prokurori.
BESARTA BASHA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al