“Mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”- Nga Brnabiç te Simonis, Elisa Spiropali merr mesazhe urimi nga homologët pas zgjedhjes si kryeparlamentare

Aug 21, 2024 | 19:00
SHPËRNDAJE

Në vijim të urimeve me rastin e zgjedhjes, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, ka marrë këto ditë mesazhe nga Kryetari i Senatit të Republikës Çeke, z. Miloš Vystrčil, Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, z. Alfred Robert Simonis, Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, znj. Raya Nazaryan, dhe Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, znj. Ana Brnabić.

WhatsApp Image 2024-08-21 at 6.54.32 PM

Kryeparlamentarët e mësipërm, përveç urimeve, shprehin edhe mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe gatishmërinë e parlamenteve të vendeve të tyre për të fuqizuar bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë.

Kryetari i Senatit të Republikës Çeke, z. Miloš Vystrčil, shkruan mes të tjerash se “Përfitoj nga rasti të shpreh kënaqësinë time për marrëdhëniet miqësore mes vendeve tona si edhe besimin se bashkëpunimi reciprok dhe shkëmbimi i përvojave midis parlamenteve do të kontribuojë në marrëdhëniet tona miqësore.”

Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, z. Alfred Robert Simonis, nënvizon se “Jam i bindur se gjatë mandatit tuaj dialogu ndërparlamentar i të gjithë niveleve do të vijojë të intensifikohet e diversifikohet, duke kontribuar në konsolidimin e bashkëpunimit rumuno-shqiptar. Njëkohësisht, ju siguroj që Rumania do të vazhdojë t’i japë Republikës së Shqipërisë mbështetjen e nevojshme për të avancuar në rrugëtimin e saj evropian.”

Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, znj. Raya Nazaryan, shprehet se “Parlamenti i Bullgarisë i kushton shumë rëndësi thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona parlamentare, si një premisë e rëndësishme për zhvillimin e dialogut gjithnjë e më aktiv politik, në atmosferën e respektit të ndërrsjelltë dhe dashamirësisë. Anëtarësimi i dy vendeve tona në NATO dhe perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian tregojnë vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen e paqes dhe prosperitetit të Europës dhe të rajonit tonë, e ardhme e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta.”

Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë, znj. Ana Brnabić, shpreh besimin se “Marrëdhëniet midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë do të zhvillohen në interesin tonë të ndërsjellë dhe në dobi të popujve tanë, dhe se me përpjekjet tona të përbashkëta, në frymën e miqësisë dhe të respektit reciprok, parlamentet do të kontribuojmë për më shumë mirëkuptim të ndërsjellë, si dhe për rritjen e bashkëpunimit për të mirën e të dy vendeve tona.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura