“Mbeta pa frymë”- Agron Gjekmarkaj flet nga spitali dhe tregon momentin kur u dhunua gjatë protestës: Më shtynë me përbuzje, u thashë se jam nënkryetari i Parlamentit, por….

Dec 23, 2024 | 20:58
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i PD dhe i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj ka folur nga spitali mbi incidentin që i ndodhi gjatë protestës, ku ai pretendon se u dhunua nga policia.

Deputeti demokrat humbi ndjenjat dhe u transportua për në spital. Ai ka deklaruar se iu mor frymë, ndërsa shprehet se me përbuzje e kanë shtyrë, edhe pse i është prezantuar se është nënkryetari i Parlamentit.

“Isha i mbështetur te një makinë, u thashë jam nënkryetari i Parlamentit, jam profesor në Universitet. Më shtynë, as më shikonin në sy kështu…Me përbuzje! Më ushtruan presion në gjoks dhe mbeta pa frymë”, tha Gjekmarkaj.

Gjekmarkaj u vizitua në spitalin e Traumës nga Sali Berisha, i cili dëgjohet të thotë “a mund ta identifikohen?”.

Ndërkohë policia në një reagim hodhi poshtë akuzat e Sali Berishës se Agron Gjekmarkaj u dhunua nga uniformat blu.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë.

Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.

Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.

Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura