Mbledhja e qeverisë, Rama: TEC në Korçë me gazin që do të sjellë TAP

Sep 30, 2018 | 10:54
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama premtoi ngritjen e një termocentrali me gaz dhe projekte të rëndësishme në Qarkun e Korçës.

Qeveria u zhvendos për dy ditë në qytetin e Korçës, ndërsa nuk munguan dhe vendimet dhe projektvendimet në mbledhjen e saj. Pas mbledhjes së qeverisë, përmes një komunikimi me mediat, Kryeministri Rama tha se me gazin që do të transportojë gazsjellësi TAP, do të ngrihet një termocentral që do të furnizojë me energji gjithë zonën jugore të vendit.

“Në këtë qark, ne synojmë të realizojmë brenda vitit 2021 përfundimin e punimeve për një investim të madh strategjik që është ai i gazit, një termocentral që do të ngrihet në Zemblak dhe do të furnizohet pastaj me gaz përmes gazsjellësit TAP. Një investim që do të rrisë ndjeshëm punësimin në zonë dhe nga ana tjetër është komplementar me projektin e energjisë për nënstacionin e Zemblakut, që do të bëjë të mundur fuqizimin e mëtejshëm të Unazës Energjetike të jugut, do të reduktojë fluksin që vjen nga linjat e largëta, çka do të përkthehet në reduktim të humbjeve në rrjet dhe në rritje të eficencës për të gjithë zonën”, tha Kryeministri Rama.1533140820_EdiRAMA

Në lidhje me projektet e infrastrukturës kreu i qeverisë tha se do të përfundojnë segmentet kombëtare që kalojnë në këtë qark. “Përsa i përket infrastrukturës rrugore, është drejt përfundimit segmenti Qafë Thanë-Lin-Pogradec. Po ecim me segmentin Qukës-Qafë Plloçë, ku, si në çdo rrugë të lënë rrugëve, të trashëguar në mes të rrugëve, kemi hasur në probleme të rënda të lidhura me gjeologjinë, të lidhura me projektin. Kemi qenë të detyruar të ribëjmë në një masë të madhe projektin dhe të rigjejmë financime për shkaqe objektive dhe gjatë 2 viteve të ardhshme, ne do të fokusohemi për ta çuar punën më tej në këtë aks”, tha Rama, duke shtuar se në projektet e së ardhmes mbetet dhe ajo e lidhjes së hekurudhës me Maqedoninë.

BASHKËQEVERISJA

Në një takim me qytetarë të Korçës, kreu i qeverisë kërkoi bashkëpunim përmes platformës Shqipëria qëduam.al. “Kërkoni ndihmë ose qepeni pastaj. Mos paguani ryshfet, por na i drejtoni ne dhe do të merrni atë që iu takon. Del në rrugë, takon deputetin, ministrin apo mua, por fjalët i merr era, ndërsa aty fjalët mbeten dhe ndiqen dhe ministrat në mbledhjen e qeverisë çdo javë kanë në tavolinë raportin, si, sa janë trajtuar ankesat e qytetarëve, sepse janë ankesa që nuk i merr dot era, janë aty, pavarësisht se çfarë është”, është shprehur Rama.

Kryeministri informoi se janë 462 raste masash disiplinore, paralajmërimesh për largime nga puna, largime nga puna apo dosje të referuara në Prokurori, për të cilët hetimi administrativ ka nxjerrë përgjegjësi dhe ka rekomanduar masën përkatëse. Sipas tij, 22 553 qytetarë në nivel qendror dhe vendor i janë drejtuar deri tani platformës së bashkëqeverisjes shqipëriaqe duam.al, ndërsa 21 239 prej tyre kanë gjetur zgjidhje. Kryeministri theksoi se tashmë është ngritur një urë e drejtpërdrejtë komunikimi mes çdo qytetari dhe qeverisë, pasi ankesa e tyre shkon direkt te ministri përkatës.

“Çdo ankesë trajtohet, duke marrë zgjidhje brenda 10 ditëve në rastin kur kërkesa është e drejtë, por sidoqoftë duke i dhënë përgjigje ligjore brenda 10 ditëve çdo qytetari. Kjo pasohet nga një hetim administrativ për të gjithë ata që janë përgjegjës për vonesën dhe dëmin moral ndaj qytetarëve”, tha Rama. Kryeministri theksoi se janë mesatarisht 1950 çështje që trajtohen çdo muaj dhe marrin përgjigje.

“Më vjen mirë po ashtu që në këtë platformë kanë filluar të shtohen edhe kërkesat për interpelanca me ministrat. Çdo grup qytetarësh mund të thërrasë një ministër në interpelancë”, tha Rama.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura