ARISTIR LUMEZI/ Skënder Zogu, kushëriri i parë i mbretit Ahmet Zogu i cilëson çmenduri qëndrimet, sipas të cilave mbreti nuk shkruante letrat dhe dokumentet e tij në gjuhën shqipe.
Përgjigja e Skënder Zogut vjen pas qëndrimit të studiuesit Ilir Demalia, sipas të cilit nuk gjenden letra të mbretit Zog në gjuhën shqipe me dorën e tij. Skënder Zogu, i cili ka jetuar për një kohë të gjatë me mbretin Zog në Egjipt dhe në Francë, shprehet se ka përkthyer shumë letra të mbretit nga shqipja në turqishten moderne me germa latine, të cilat ua dërgonte kushërinjve të tyre në Stamboll. Por Skënder Zogu nuk ka ruajtur asnjë nga ato letra, për shkak se ai këtë e bënte privatisht si njohës i turqishtes moderne dhe jo në një rol zyrtar. Ai shprehet se shqip flitej në familjen e tyre, madje dhe mbretëresha Geraldinë e mësoi shumë mirë shqipen, ta shkruajë dhe ta flasë.
Ju nuk jeni dakord me deklaratat e studiuesit Ilir Demalia, i cili shprehet se nuk gjenden letra të mbretit Zog në gjuhën shqipe. Ku e bazoni këtë?
Unë e kundërshtoj publikimin e Ilir Demaliajt, i cili thoshte se mbreti Zog nuk dinte të shkruante shqip. Kur ne ishim në Egjipt, mbreti Zog më jepte letra me shkrimin e tij në shqip dhe më thoshte “të lutem, ma përkthe këtë në turqisht”, sepse ai e dinte turqishten shumë mirë, por dinte turqishten e vjetër, atë me germat arabe, osmanishten. Unë flisja dhe shkruaja turqishten me germat latine. Pra, unë i kam parë me sytë e mi, në atë kohë isha student, kur mbreti shkruante shumë mirë dhe me kaligrafi të rregullt shqipen. E dyta, duhet thënë se edhe mbretëresha Geraldinë, e cila ishte e huaj, në mërgim mësoi të shkruante dhe fliste shqipen shumë mirë. Kur vinin urimet nga shqiptarët nga e gjithë bota, ajo u përgjigjej në shqip. Të thuash se mbreti Zog, mbreti i shqiptarëve, nuk ka shkruar në shqip, është një çmenduri.
A keni ju letra të mbretit Zog në shqip, që jua jepte për t’i përkthyer apo ndonjë korrespondencë të tij me ju?
Jo, nuk kam ruajtur se nuk më duheshin. Ai më jepte letrën në shqip dhe më kërkonte që t’ia përktheja në turqishten e re të Qemal Ataturkut. Ne kishim në Stamboll Zija Pashë Zogollin, vëllain e babait të mbretit Zog dhe i babait tim, ata jetojnë në Turqi, por nuk dinë shqip, dinë turqishten moderne, me germa latine. Por ata nuk dinin turqishten e vjetër, që dinte mbreti Zog.
Prandaj ai m’i jepte mua letrat në shqip për ta dhe unë ia përktheja në turqishten moderne me germa latine. Ndërsa unë kam mbaruar shkollën e mesme në Stamboll, e di shumë mirë turqishten, shkruaj dhe lexoj. Prandaj, mbreti Zog më thërriste dhe më thoshte: hajde or mici im, të më përkthesh këtë letër në turqisht për kushërinjtë tanë. Ai më jepte letrën në shqip të shkruar prej tij dhe unë e përktheja në turqishten moderne. Nëna më kishte mësuar shqipen, por unë meqenëse kisha shkuar në shkollë turke, shkruaja dhe flisja më mirë turqisht.
Këto përkthime i kam bërë shumë herë, si për urime festash, por dhe për letra ku pyeste për shëndetin e tyre dhe problemet familjare. Por mua më çuditi ajo që botoi Ilir Demalia, unë e kam pasur mik, u sqaruam në telefon dhe e pyeta: Çfarë doje të thoshe në këtë që ke botuar, se mbreti Zog nuk dinte të shkruante në shqip?! Ai më shpjegoi se donte të thoshte se nuk gjenden letra të mbretit Zog të shkruara në shqip me shkrimin e tij, apo të Ismail Qemalit. Në fakt, në atë kohë, korrespondenca që bëhej në rrugë zyrtare bëhej në frëngjisht. Mbreti, kur kishte korrespondenca zyrtare, thërriste sekretarin, i jepte mesazhin në frëngjisht dhe ai e shkruante dhe ia niste në adresën që duhej. Princ Leka duhet të ketë patjetër letra në shqip të shkruara nga mbreti Zog. Është e turpshme të thuhet se mbreti i shqiptarëve nuk dinte të shkruante në gjuhën e tij, në gjuhën e nënës.
Në sa gjuhë komunikonte mbreti Zog?
Mbreti Zog flite turqisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Nëna mbretëreshë, Geraldina, fliste më shumë gjuhë, në mënyrë të rrjedhshme fliste anglisht, gjermanisht, hungarisht, frëngjisht, spanjisht, italisht dhe sigurisht shqip. Ne në shtëpi flisnim gjermanisht, turqisht, shqip, frëngjisht, anglisht dhe në Egjipt mësuam dhe arabisht.
Postimi në “Facebook”, që ndezi polemikën/ Ilir Demalia: Zogu dhe Ismail Qemali nuk shkruanin shqip
Analisti Ilir Demalia ka hapur një debat publik. Bëhet fjalë për gjuhën e shkruar që përdornin krerët e shtetit shqiptar përpara çlirimit, konkretisht Ismail Qemali e Ahmet Zogu. “E vërteta dhemb” (“The truth hurts”), thotë Demalia, teksa sfidon këdo që do të publikojë një dorëshkrim të figurave në fjalë. “U bëj një sfidë historianëve dhe arkivistëve shqiptarë: të nxjerrin një letër të shkruar në gjuhën amtare shqipe me dorëshkrimin e themeluesit të shtetit Ismail Qemali dhe mbretit Ahmet Zogu! Pres një letër të shkruar shqip me dorëshkrimin e tyre! Nga kjo do të kuptojmë shumë gjëra dhe do të jetë…” Ky publikim i Demalias solli dhe reagimin e nipit të mbretit Zog, Leka II, i cili i dërgon një letër analistit, duke i shpjeguar se mbreti Zog zotëronte jo vetëm shqipen, por edhe disa gjuhë të tjera, si gjermanishten, turqishten osmane, arabishten dhe anglishten, por asokohe preferohej më së shumti gjuha frënge. Një gjuhë, që sipas Leka Zogu II, është përdorur edhe në korrespondencat mes Zogut, Konicës e Nolit. Një korrespondencë që ai premton se do ta bëjë shumë shpejt publike. Por për të hedhur poshtë çdo dyshim të Demalias, ai i vë në dispozicion një telegram të shkruar nga vetë mbreti, në gjuhën shqipe. Telegrami i takon vitit 1935, është i shkruar me një kaligrafi të bukur dhe të kuptueshme, qartë dhe rrjedhshëm. Telegrami na lë të kuptojmë vetëm që i drejtohet “Djelmnisë shqiptare”, por nuk sqarohet se me çfarë rasti.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al