Mbyllen hetimet për Berishën/ 500 faqe dosje, avokatët e ish-kryeministrit Berisha paraqiten në SPAK për të tërhequr aktet dhe për të firmosur

Sep 25, 2024 | 10:30
SHPËRNDAJE

Avokatja Klodiana Gjyzari u paraqit në orën 10.00 në Prokurorinë e Posaçme, për të firmosur mbylljen e hetimeve të dosjes “Partizani”, për Sali Berishën dhe  financieren Andia Pustina.

dosja berisha

Po ashtu avokatja u paraqit edhe për të tërhequr të gjitha aketet hetimore.

Ndërsa në orën 09.00 në dyert e SPAK mbërriti edhe mbrojtësi ligjor i Xhimi Begeja, po për të kryer të njëjtën procedurë.

Prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kanë thirrur në orën 14.00 Jamarbër Malltezin, që po ashtu do njihet me përfundimin e hetimeve.

Prokuroria e Posaçme të hënën mbylli hetimet për privatizimin e ish klubit sportiv “Partizani”, ndërsa thirri të pandehurit të vinin në SPAK për të firmosur përfundimin e dosjes.

Më herët, struktura e posaçme i komunikoi akuzën pesë të pandehurve, Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe Xhimi Begeja.

Kujtojmë se më 11 shtator Sali Berisha u paraqit në SPAK, ku iu komunikua zyrtarisht se është i pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim.

Kryedemokrati doli nga banesa ku qëndronte në arrest shtëpie dhe shkoi në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën. Sali Berisha qëndron në “Arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit 2023. Familja Berisha kundërshton një sërë elementesh të përfshira në dosjen prej 500 faqesh, që SPAK ka përpiluar në përfundim të hetimeve mbi privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura