Mbyllen përkohësisht 34 qendra mesazhi e klube nate, arrestohen 28 të dyshuar

Dec 16, 2024 | 16:16
SHPËRNDAJE

Autoritetet në Kosovë i kanë mbyllur përkohësisht 34 qendra masazhi dhe klube nate, si dhe i kanë arrestuar 28 të dyshuar gjatë një operacioni të gjerë në mbi 100 operatorë ekonomikë në të gjithë Kosovën.

kosove

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) tha në një komunikatë më 16 dhjetor se inspektorët e saj, në bashkëpunim me Policinë dhe Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucione të tjera i inspektuan 126 subjekteve ekonomike, të cilat ushtrojnë veprimtari tregtare dhe aktivitete argëtimi.

MINT-i tha se 34 prej objekteve të inspektuara u mbyllën për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së lejes për plotësimin e kushteve minimale teknike.

Ministria tha gjithashtu se ndaj operatorëve ekonomikë, që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar 45 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.

Ndërkohë, në një komunikatë të ndarë, Policia e Kosovës tha se gjatë këtij aksioni të gjerë i ka arrestuar 21 të dyshuar dhe se i ka hapur 10 raste në lidhje me marrjen me prostitucion, të identifikuara si “eskorta”.

Policia tha se i ka arrestuar edhe shtatë gra të dyshuara për “keqtrajtimin apo braktisjen e fëmijës”, pasi i identifikoi shtatë fëmijë si lëmoshëkërkues.

Ajo tha se në planin e saj operativ “Ditët e veprimit të përbashkët “JAD SEE 2024 ”, kanë marrë pjesë edhe shumë shtete tjera si: Shqipëria, Mali i zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Bosnja Hercegovina, Serbia, Moldavia, Ukraina, Rumania, Bullgaria, Spanja, Franca, si dhe përfaqësues nga EUROPOL, FRONTEX si dhe INTERPOL.

Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithsej 73 dokumente nga personat e huaj, të cilët janë dërguar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës për verifikim.

Policia tha se zbuloi se njëri nga këta persona kishte urdhërarrest aktiv dhe “i është dorëzuar stacionit përkatës për procedura të mëtutjeshme”./rel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura