Më shumë shanse se kurrë për të fituar kredi të butë për shtëpi. Në përfundim të fazës së parë të aplikimeve për kredi të butë për shtëpi mësohet të jenë paraqitur 1700 kërkesa, ndërkohë që kuotat janë 1200 të tilla.
Në fazën e dytë, numri i aplikantëve pritet të tkurret më tej, pasi jo të gjithë dorëzojnë dokumentacionin e plotë e të saktë dhe mbi të gjitha, përmbushin kushtet për të qenë pjesë e rrethit të përfituesve. Zakonisht, brenda një muaji, Bashkia e Tiranës duhet të çelë fazën e dytë, që kërkon dorëzimin me postë ose dorazi të dosjes së dokumenteve voluminoze që kërkohen për të vërtetuar gjendjen ekonomike, sociale e familjare të aplikantit. Në përfundim do të hartohet një listë në bazë të sistemit të pikëzimit, i cili rendit në krye familjet që janë më në nevojë deri në plotësimin e kuotave të lira.
PROGRAMI I KREDIVE
Qeveria do të mundësojë këtë vit përmes programit social të subvencionimit të kredive të buta 1200 kredi për shtëpi, duke amortizuar normën e interesave mbi masën 3 për qind. Në tabelën e mëposhtme, është niveli i të ardhurave (minimal e maksimal) që duhet të ketë një familje bazuar në numrin e anëtarëve që ka në përbërje, e cila paracakton rrjedhimisht edhe strukturën e apartamentit që i duhet dhe vlerën e kredisë që mund të lëvrojë banka. Ndonëse përfliten emrat e institucioneve bankare që do të lëvrojnë shumat, ende nuk ka një fitues zyrtar, por bazuar në praktikën e viteve të mëparshme, këto të fundit nuk kanë lëvruar më shumë se 70-80 për qind të vlerës së shtëpisë së gjetur për blerje nga përfituesit. Duke pasur parasysh pagat e reja dhe çmimet e rritura të banesave në tregun e lirë, Bashkia ka ndryshuar tabelën me këto tregues duke iu dhënë më tepër mundësi për blerjen e saj përmes këtij programi. Për një familje deri në dy persona, që përkon me një garsoniere, banka do të lëvrojë 5.5 milionë lekë, për një banesë 1+1 6.8 milionë lekë, për një strukturë më të madhe 2+1 përfituesit marrin mbi 10 milionë lekë, ndërsa shuma maksimale që mund të marrin ata është 12.4 milionë lekë për një strukturë 3+1. Programi i kredive të buta ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve dhe çifteve të reja, të cilat nuk kanë aftësi ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore në treg. Në total, sistemi i pikëzimit ka katër kritere: familjare, të strehimit, sociale dhe ekonomike, secila prej të cilave përmban 25 pikë me 100 në total. Qëllimi i këtij projekti është mbështetja e familjeve dhe çifteve të reja në blerjen e shtëpive, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre. Faza e dytë me dokumentacionin përkatës do të dorëzohet pranë zyrave të Bashkisë Tiranë fizikisht, ose nëpërmjet postës në adresën zyrtare të Bashkisë Tiranë.
FAZA E DYTE
Në fazën e dytë, shqyrtimi i dokumentacionit realizohet brenda një afati kohor prej 30 ditë kalendarike nga përfundimi i afatit të dorëzimit nga drejtoria përgjegjëse, e cila vë në dispozicion të Komisionit të Strehimit për vlerësim të mëtejshëm, vetëm praktikat e sakta që përmbajnë formularët e aplikimit dhe dokumentacionin e individëve apo familjeve që kanë aplikuar për këtë program strehimi dhe që në bazë të kritereve të vendosura kualifikohen si të vlefshëm. Në relacionin e vendimit të miratuar në Këshillin Bashkiak paracaktohen kufiri minimal e maksimal i të ardhurave që duhet të ketë familja, e cila nuk duhet kaluar as gjatë procesit të aplikimit, as në vijim. “Subvencionimi i interesave ndërpritet në rastet kur të ardhurat e individit/familjes, që nga momenti i miratimit të tij nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe deri në miratimin e kredisë nga institucioni financiar janë rritur më shumë se 1.2 e të ardhurave fillestare. Gjithashtu, nëse nga momenti i hapjes së thirrjes për aplikim deri në shpalljen e fituesve të fazës së parë të dhënat për nivelin maksimal dhe minimal do të merren në konsideratë vlerat e përditësuara”, – citohet në vendim.
LISTA E DOKUMENTACIONEVE
a) Për të dhëna personale të aplikantit:
i)Certifikatë e lindjes së aplikantit/certifikatë personale/letërnjoftim, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile.
ii)Vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
b) Për vërtetimin e kushteve të strehimit, sipas shkronjës
“a”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar:
i) Vërtetimin nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në emër të aplikantit dhe anëtarëve madhorë të familjes së tij, sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es, që nuk ka pasuri të paluajtshme të regjistruar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
ii) Vërtetimin nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës për secilin nga anëtarët madhorë të familjes që nuk kanë kryer asnjë transaksion për tjetërsimin e pronësisë, të paktën në 5 vitet e fundit, përveç rastit kur pronësia mbi to ka humbur për shkak të forcës madhore.
iii) Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi.
iv) Aktverifikim nga njësia vendore për:
-Banesat në rrezik shembjeje.
-Rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore.
-Banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
v) Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës.
vi) Akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.
c) Për vërtetimin e kushteve familjare, sipas shkronjës “b”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar:
i) Certifikatë familjare.
ii) Vendim i gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara shoqëruar me vërtetim nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit ushqimor.
ç) Për vërtetimin e kushteve sociale, sipas shkronjës “c”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar:
i) Vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara.
ii) Vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit.
iii) Dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara.
iv) Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”.
v) Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga
Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve.
vi) Urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje.
vii) Vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane.
viii) Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin.
ix) Vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI.
x) Vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzënënë.
d) Për vërtetimin e kushteve ekonomike, sipas shkronjës “ç”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar:
i) Vërtetim page nga punëdhënësi shoqëruar me:
-Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore (pas datës 01.01.2012)
-Vërtetim për pagimin e kontributeve si individ nga Drejtoria Rajonale Tatimore.
ii) Vërtetim si individ i paregjistruar në emër të aplikantit dhe anëtarëve të familjes së tij, sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es, që vërteton se individi nuk figuron i regjistruar për qëllime tatimore. Për individët të cilët figurojnë të regjistruar për qëllime tatimore duhet të sjellin dokumentacion shtesë:
a)Ekstrakt historik nga QKB.
B)Pasqyra financiare për vitin kalendarik të shkuar për personat e vetëpunësuar e njehsuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore.
c)Vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore, nëse kanë detyrime të papaguara, për personat e vetëpunësuar.
iii) Vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe vërtetim mbi pagesën e aftësi të kufizuar.
iv) Vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë. Për individët, të cilët nuk janë në marrëdhënie pune duhet të paraqesin vërtetimi regjistrimi si punëkërkues në Zyrën e Punës përkatëse.
v) Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al