Ky vit i ri e ka gjetur Presidentin e Partisë së Lirisë në qeli, ndërsa ai ka zgjedhur që prej aty të përcjellë nje mesazh urimi për të gjithë shqiptarët.
2024, ish kreu i shtetit shqiptar e konsideron si një vit të vështirë dhe plot sfida të panumërta dhe beteja të përbashkëta.
Meta thote se gjate 2024, përpjekja e hapur dhe e dhunshme për asgjësimin e demokracisë dhe pluralizmit politik avancoi si kurrë më parë.
“Përpara kemi një malore jo të lehtë. E megjithatë duhet të jemi shumë besimplotë se do të ngjitemi në majë sepse kauzat e mëdha dhe ekzistenciale, qëndresa, vendosmëria, dinjiteti dhe patriotizmi ynë e bëjnë të pashmangshme Triumfin e së Mirës ndaj së Keqes dhe Fitoren e përbashkët që po sjell ky Vit i Ri”, thuhet ne mesazhin e Ilir Metes.
Mesazhi i Ilir Metes
Të nderuar qytetare dhe qytetarë shqiptarë!
Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Siç është zakon secili nga ne bën edhe një bilanc.
Mbyllim një vit shumë të vështirë, plot sfida të panumërta dhe beteja të përbashkëta.
Më shumë se gjysmën e shqiptarëve, në veçanti pensionistët, ky vit që po troket i gjen në varfëri ekstreme, të pastrehë, të braktisur dhe të përjashtuar nga regjimi aktual, që vrau shpresën edhe për të rinjtë.
Përpjekja e hapur dhe e dhunshme për asgjësimin e demokracisë dhe pluralizmit politik avancoi si kurrë më parë.
Përpara kemi një malore jo të lehtë.
E megjithatë duhet të jemi shumë besimplotë se do të ngjitemi në majë sepse kauzat e mëdha dhe ekzistenciale, qëndresa, vendosmëria, dinjiteti dhe patriotizmi ynë e bëjnë të pashmangshme Triumfin e së Mirës ndaj së Keqes dhe Fitoren e përbashkët që po sjell ky Vit i Ri.
Me përkushtim, dashuri dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira dhe të bukura, me vullnet, forcë e përgjegjësi, me energji pozitive, mençuri dhe vizion ne të gjithë bashkë do ta bëjmë realitet ëndrrën e bukur të të rinjve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!
Nga zemra ju uroj të jetë ky Vit i Ri plot me gëzime, shëndet, mbarësi, dashuri dhe suksese për ju, familjet tuaja dhe të afërmit kudo që janë!
Gëzuar 2025!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al