“Më goditi me grusht dhe objekte”/ Halit Valteri kallëzon Tedi Blushin! Këshilltari i PL-së merret në pyetje. Çfarë ndodhi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Jul 22, 2024 | 17:55
SHPËRNDAJE

Mbledhja e fundit e këshillit bashkiak për këtë sezon është shoqëruar me debate të ashpra, por edhe me konflikt fizik mes dy këshilltarëve, Halit Valteri i PS dhe Tedi Blushi i PL-së.

blushi valteri

Të dy pretendojnë për dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit, por ka qenë këshilltari socialist, Halit Valteri i cili ka depozituar një kallëzim në polici, ku pretendon se është goditur me grusht dhe objekte nga Tedi Blushi.

Ky i fundit është marrë në pyetje, për të dhënë sqarime ne lidhje me incidentin që shoqëroi mbledhjen e këshillit bashkiak.

Si nisi konflikti?

Pas miratimit të rendit të ditës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, fjalën e mori kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por u ndërpre nga këshilltari i opozitës, Tedi Blushi, i cili qëlloi edhe me letra Erion Veliajn, më pas nisi edhe konflikti fizik me Halit Valterin.

Mbledhja u ndërpre, ndërsa kryetarja e këshillit bashkiak Romina Kuko njoftoi kërkoi edhe ndërhyrjen e policisë bashkiake.

DEBATI

Blushi: Po ju kërkoj me mirësjellje të respektoni procedurën

Kuko: Ju lutem zoti Blushi lejoni të mbarojë kryetari pastaj…jemi në momentin kur po parashtron kryetari…Blushi po ndërprisni seancën, po ju tërheq vëmendjen. Mos ndërprisni mbledhjen

Zoti Blushi mos ndërprisni seancën.

Veliaj: Kjo është mungesë edukate, më ngatërron me atë të bllokut.

(Blushi qëllon me letra)

Veliaj: Jeni komplet i paaftë

Kuko: Blushi jeni i ftuar të lini sallën, mbledhja ndërpritet. Policia bashkiake ju lutem

Reagimi i Veliajt 

“Sjellje prej vandali” e ka quajtur kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj atë që ndodhi me Tedi Blushin në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Pas incidentit dhe konfliktit fizik mes Halit Valterit dhe Tedi Blushit, Veliaj me anë të një postimi në rrjetet sociale thotë se sjellja e tij është një shenjë dëshpërimi.

Veliaj thotë se do të kërkojë zbatimin e ligjit me përpikëri që siç thotë ai, “rrugaçëria te marrë përgjigjen qe meriton”.

“Sot Keshilli Bashkiak kish për te votuar hapjen e 2 çerdheve te reja, abonetë falas për studentet, miratimin e shkollës Ecole 42 për te rinjtë, zonën e lire ekonomike TEDA per 5mije vende pune te reja dhe grantin e Katarit për sheshin fundor tek Bulevardi i Ri.

Por Ilir Meta dhe rrugaçi i fundit qe i ka mbetur, nuk e përballojnë dot as suksesin e Tiranes dhe as humbjen kolosale te partickes se tyre. Sjellja prej vandali ndaj kolegeve këshilltare, është shenje dëshpërimi, jo force.

Do te kërkoj zbatimin e ligjit me përpikëri qe rrugaçëria te marre përgjigjen qe meriton, dhe Tirana te mos mbetet peng i maktheve te Ilir Metes e mjeraneve te tij”, shkruan Veliaj.

Reagimi i Ilir Metës 

Sipas Ilir Metës, ka qenë Erion Veliaj dhe Halit Valteri që kanë sulmuar këshilltarin e PL-së në këshillin bashkiak, Tedi Blushi.

Ilir Meta me anë të një postimi në Facebook thotë se nga sot “Partia e Lirisë është në gjendje lufte me Erion Veliajn”.

“Akti sulmues i Prindit 2 Erion Veliaj dhe zarit të tij Halit Valteri ndaj këshilltarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, z.Tedi Blushi do të marrë shumë shpejt përgjigjen e merituar demokratike dhe shqiptare.

Nga sot Partia e Lirisë është në gjendje lufte me kryehajdutin e Tiranës Lali fikun dhe ordinerët përqark tij.

Partia e Lirisë është në gjendje lufte me tutorët dhe protektorët e këtij fëlliqësire që vrau Ardit Gjoklajn. Partia e Lirisë do t’ju mësojë të gjithëve se nuk jemi komb eksperimental por Shqiponjash. Nuk ka tutor dhe protektor në botë që e ndalon Drejtësinë tonë”, shkruan Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura