Psikiatri Neli Demi ka folur për rastin e 35-vjeçarit Jetnor Zhaboli, i cili mbajti të mbyllur në shtëpi gruan, fëmijët dhe nënën e tij. Sipas Demit, ai kishte shenja të qarta paranoje dhe problematika të tilla në familjet shqiptare janë të shumta.
“Ka shenja të qarta të paranojës. I gjithë përshkrimi i kësaj situate, tregon të paktën një çrregullim deluzional. Kam lexuar që personi dëgjonte edhe zëra që mund të jetë dëshmi e prezencës së halucinacione dhe bashkimi i të dyjave shpesh përcaktohet si skizofreni paranoide. Patologjia është e qartë. E gjithë historia e treguar tregon për një individ që vuan.
Ka qindra familje që kanë problematika të ngjashme, të cilat nuk pranojnë të marrin mjekim edhe për shkak të sëmundjes. Në momentin që shfaqet dhuna, këtu lind një hapësirë tjetër ligjore që është mjekimi i detyrueshëm, që është një instrument i rëndësishëm, por duhet i kujdesshëm”, tha psikiatri në studion e Open në News24.
Ai theksoi se ndaj 35-vjeçarit duhet të zbatohet mjekim i detyruar.
“Në momentin që ndodh ndërhyrja, mjekimi i detyrueshëm zbatohet në një qendër spitalore dhe në mjekim e sipër duke parë gjendjen, mund të merret një vendim nga gjykata për vazhdimin e mjekimit. Personi nuk është diagnostikuar. Edhe rrethi i afërt mund të shikojë ndryshimet që janë shenja të mundshme. Mund të mos ketë pasur shenja. Nuk ndodh nga sot nesër”, tha Demi.
Kujtojmë se gjykata ndaj Zhabolit ka caktuar 20 ditë burg, ndërkohë avokati i tij ka kërkuar shtrim të përkohshëm në spital, derisa të dalë ekspertiza.
35-vjeçari akuzohet për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes, pasi prej më shumë se 1 viti mbante mbyllur në banesë familjen.
Zhaboli kishte përshtatur banesën e tij në një burg për familjarët e tij, mes të cilëve nënën e tij, gruan dhe dy fëmijët 3 dhe 9 vjeç të cilët ishin të monitoruar gjatë gjithë kohës me kamera sigurie.
Çfarë ka ndodhur?
35-vjeçari, i cili u arrestua me 26 janar kishte montuara kamera në hyrje të derës së shtëpisë, si edhe anash saj, për të parë nëse dikush prej tyre do të dilte nga shtëpia, kur ai nuk ndodhej aty. Shtëpia ishte e gjitha me kamera sigurie, në të gjitha dhomat e po ashtu edhe në tualet.
Jetnor Zhaboli, pasi largohej nga banesa, bllokonte edhe valët e telefonit të familjarëve të tij, që të mos kishin mundësi të kontaktonin me të tjerë.
Zhaboli, baba i dy fëmijë të mitur, ka deklaruar se bënte këtë për t’i mbajtur nën kontroll.
Përveç kësaj ai dhunonte vazhdimisht bashkëshorten e tij, ndërsa kjo e fundit kishte tentuar disa vetëvrasje, ndërsa policia gjeti në banesë dy letra lamtumire që ajo i kishte dërguar të afërmve të saj.
Policia kishte marrë informacion prej kohësh në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa në momentin që ka shkuar në banesë, ka dëgjuar zërat e njerëzve që ishin brenda saj, por asnjë nuk mund të dilte, ndërsa ka qenë vetë ai i cili i ka hapur derën policisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al