“Mehmeti më i zoti se Enveri”, raporti i agjentit që kryëzoi gazetarin Timo Luto! Kujtimet e Alfons Gurrashit: Me spiunë e letra anonime më larguan dy herë nga TVSH

Jan 18, 2024 | 13:54
SHPËRNDAJE

MAKSI BORIÇI/ Ka qënë viti 1988, kur gazetari i njohur TVSH, për arsye biografie ishte larguar nga profesioni dhe punonte mësues i thjeshtë në Baldushk të Tiranës. Mirëpo as aty nuk e linin të qetë njerëzit e besuar të sigurimit të shtetit.

rtsh

Se sipas logjikës së regjimit, ai që ishte i pakënaqur nga pushteti në qytet. I tillë madje ca më keq ishte dhe në fshat. Pikërisht këtu fillon legjendimi i procedurave të Policisë Sekrete në ndjekje dhe survjeim të gazetarit të larguar forcërisht nga TVSH-ja.

Një dokument sekret që “Panorama” publikon sot, i cili mban firmën e drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Zef Loka, pasqyron një operacion të fshehtë që kjo drejtori ka bërë në bashkëpunim me degën e punëve të brendshme të rrethit Tepelenë në ndjekje e survjim të gazetarit Timo Luto i dyshuar për veprimtari armiqësore agjitacion e propagandë. Kopetentët e Policisë Sekrete kanë gjetur njërin nga të njohurit e Timo Lutës në Tepelenë, alias bashkëpunëtori “Vetëtima” dhe pasi e kanë instruktuar dhe e kanë pajisur me aparaturë përgjuese, e kanë udhëzuar të takohet e të bisedojë nga afër me gazetarin e syrgjynosur në Baldushk, duke i përcaktuar vijën e sjelljes që do ketë parasysh gjatë bisedës me të. Ajo çka rezultuar nga ky komunikim i kombinuar nga agjentura sekrete, është zbardhur e plotë nga autoritetet e Sigurimit të Tiranës. Pëllumb Kapo një nga zyrtarët më të lartë të KQ për Ministrinë e Brendshme dhe organet e diktaturës, pasi është njohur me përmbajtjen e bisedës me bashkëpunëtorin “Vetëtima”, ka nënëvizuar në të vetëm aspektin ku dy të njohurit flasin për Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun.

Ajo çka shprehur gazetari Luta se Mehmet Shehu ka qënë më i zoti se Enveri është vlersuar nga Kapo si pjesa më e rëndësishme e akuzës për agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe pushtetit popullor. Dokumenti nuk shpjegon më tej çfarë ndodhi me fatin e mësuesit të Baldushkut, por përmbyllet me shënimin “Materiali të vendoste në dosjen e objektit Timo Luto”, çka nënkupton dhe fillimin e fushatës denigruese e përndjekjen ndaj tij. Po çfarë përmban teksti i zbardhur i bisedës së Timo Lutës me bashkëpunëtorin “Vetëtima” e regjistruar gjatë takimit në shtëpinë e gazetarit në Tiranë…

timo

DOKUMENTI

Raport informacion për takimin dhe bisedën e zhvilluar ndërmjet bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vetëtima” me ish-gazetarin e RTSHsë, Timo Luta.

Ekzemplar Nr. S E K R E T Tiranë, më 7. 5. 1988

I N F O R M A C I O N

Kombinacion i zhvilluar midis Timo Lutës dhe bashkëpunëtorit “Vetëtima” që mbahet në lidhje nga dega e punëve të Brendshme Tepelenë

Sipas porosisë së dhënë, në koordinim me Degën e Punëve të Brendshme Tepelenë, më datën 23.4.1988, u organizua me kombinacion, takimi i bashkëpunëtorit “Vetëtima”, me Timo Luton, i cili ndiqet në përpunim aktiv për agjitacion e propagandë armiqësore dhe kohët e fundit është larguar nga Radio-Televizioni dhe dërguar mësues në Baldushk të rrethit të Tiranës. Qëllimi i kombinacionit, ishte të verifikonim, bisedat armiqësore që Timo i ka zhvilluar bashkëpunëtorit, kundër udhëheqjes së partisë dhe në mbrojtje të armikut Mehmet Shehu.

Pasi bashkëpunëtori u pajis me mjetet e teknikës operative dhe vijën e sjelljes, për bisedat që duhet të zhvillonte me Timon, u dërgua në shtëpinë e objektit.

Qëndrimi i bashkëpunëtorit në bisedë, u përcaktua në atë mënyrë që, pa lejuar asnjë rast provokimi, të diskutoheshin natyrshëm, momentet kryesore të bisedave armiqësore, që Timo i ka zhvilluar atij, bile, me që realisht ndaj bashkëpunëtorit ishte marrë një masë, duke e çuar katër muaj direkt në prodhim, vija e sjelljes konsistonte, që bashkëpunëtori, t’i shfaqte dyshimin fillimisht, se mos kjo kishte ardhur nga Timo, për bisedat e zhvilluara, duke aluduar, se mos ky i fundit, i ka zhvilluar me persona të tjerë.

Kombinacioni u realizua normalisht, pa krijuar asnjë dyshim.

Nga ky veprim, del se për bisedat armiqësore që ka raportuar bashkëpunëtori “Vetëtima”, janë të vërteta dhe bashkëpunëtori është në pozita të drejta.

Këtu më poshtë, po përmbledhim momentet më kryesore të bisedës, që është zhvilluar midis tyre, më datën 23.4.1988.

Vetëtima”: Më vajti mëndja mua tek ty, të thom të drejtën, thashë unë se në qoftë se…kemi bërë muhabet me Timon.

Timo Luto: Po, i kemi bërë me njëri-tjetrin

“Vetëtima”: Po tani i kemi bërë unë dhe ai…e në qoftë se ti kishte një farë respekti për Mehmet Shehun, e muhabetet që bëmë, pse më the për Enver Hoxhën, dogmatik, e këto gjëra, këto m’i the mua. Ti mund të më dëmtoje mua?

Timo Luto: Në asnjë mënyrë.

“Vetëtima”: Edhe kur më tha Sinani kështu, e përjashtova atë, bile, thashë me vete, nuk e di, ku ishim, në Tepelënë, a gjetkë, kur më flisje tamam si shok mo, për ato muhabetet…

Timo Luto: Unë të besova.

“Vetëtima”: Më besove dhe thashë, ti Timo më çudit, se ndryshe të dëgjoj në Radio dhe ndryshe këtu. The, kam natyrën time.

Timo Luto: Mua më erdhi keq për këtë. Thashë ndoshta jam unë fajtor, thashë dhe isha i bindur se isha unë unë fajtor dhe asnjeri nuk i hynte këtij muhabeti thashë, dhe unë ja shtiva në kokë.

“Vetëtima”: Duke i bërë kështu ti muhabetet me shumë dhe kështu.

Timo Luto: Mund të kem bërë edhe në ndonjë vend tjetër…! Isha unë një çikë tip kryengritësi, nuk duroja dot ca gjëra.

“Vetëtima”: Me këtë pajtohem që je tip kryengritës. Mua më kujtohet, kur më the se: në këtë situatë që është, tani duhet një i fortë, si puna e Mehmet Shehut, megjithëse unë, ndonjë vërejtje të vogël edhe ta bëja, kështu me lezet, mos fol shumë! Çfarë mendove të parën?

Timo Luto: Këtë mendova të parën, thashë prej meje e ka. Po që mund t’i kem thënë njeriu që kam biseduar në Tepelenë, me filanin, unë në asnjë mënyrë.

“Vetëtima”: Mendoja, ky më ka folur, konsiderata ky kish për Mehmet Shehun, ky më tha që në këtë situatë, duhet një burrë si Mehmet Shehu, ky më tha që Enver Hoxha është dogmatik, ky është kështu dhe tani ky të ma bëjë këtë mua? Është e pamundur!

Timo Luto: Jo, në asnjë mënyrë. Po njeri tjetër, nuk të thirri? Se mos të kanë thirrur në Komitetin e Partisë a në Degën e Punëve të Brendshme?

“Vetëtima”: Absolutisht jo, jo.

Timo Luto: Po një minutë se çfarë do të të them. Tani mos rri me mua…. Këtë nuk e kam për ty, është për vete…. Unë e kam thjesht për çështje sigurimi. Unë, s’takoj as shokët e ki, më beson? Vetëm kur i takoj pazarit, po ashtu siç rrija unë me ty, nuk rri. Se them se midis tyre, mos është ndonjë me të cilin nuk duhet të rri, nuk rri fare me ta, edhe ruhem se mos u krijoj atyre shqetësime… Unë jam si ai i sëmuri që edhe një të ftohur do, unë s’di nga të ruhem, more vesh? Nuk ruhem nga ty, por unë i ruhem të tjerëve, se mos më gjykojnë kështu?

Shënim: Informacioni i plotë për bisedën, ruhet në dosjen e Timo Lutos. Gjithashtu, ruhet edhe shiriti.

Drejtori i Punëve të Brendshme, Zef Loka

Shënim: Ky informacion me përmbledhjen e tij, ju dërgua për t’u njohur shokut Pëllumb Kapo, në Komitetin Qendror të Partisë, i cili na e ktheu më datën 31.10.1988, dorazi.

Materiali të vendoste në dosjen e objektit

Timo Luto. 1.11.1988

alfonsh gurashi

“Me spinunë e letra anonime më larguan dy herë nga TVSH”

“Dy herë më kanë detyruar të largohem nga TVSH-ja. Në të dyja rastet kam qënë viktimë e spiunëve që ishin në istitucion dhe e letrave anonime që Sigurimi i Shtetit adresonte në drejtori për mua”.

E tregonte këtë me dhimbje Alfons Gurrashi, një nga ikonat e ekranit shqiptar në rrëfimin e dhënë para disa kohësh për gazetën “Panorama”. Ai si një pjesë jo e vogël e gazetarëve dhe punonjësve të RTSH kanë qënë nën vëzhgimin e rreptë e të pandërprerë të Policisë Sekrete që “garantonte” pastërtinë dhe besnikërinë e tyre si të besuar në një sector shumë të rëndësishëm të propagandës së regjimit komunist, siç ishte asokohë RTSH, e vetmja dritare që shikonin shqiptarët.

“Përveç spiunëve që kishim në çdo qoshe të redaksive, nga të cilët isha shumë i kujdeshëm, tregonte Gurrashi, mua më goditën me disa letra anonime që padyshim kishin autorësinë e sigurimit të shtetit. Mbaj mend që në letrën e parë vihej në dukje fakti që babai im Kola kishte qënë bashkpunëtorë I strukturave fashiste në vitet 40. Kur po vononin reagimet ndaj kësaj letre u porosit dhe mbriti një letër e dytë që rekomandonte largimin tim nga Radio televizori shqiptar se kisha patur një xhaxha Rrok Gurrashin që ishte burgosur nga regjimi komunist për agjitacion e prpagandë kundër Partisë”. Këtë herë autoritet me sa duket e dëgjuan zërin e “vigjilentit” dhe e larguan Gur rashin nga studio e televizorit.

Po ai nuk ka qënë i vetmi që është larguar përdhunshëm nga redaksia e Televizionit. Një fat të tillë e ka patur dhe Agron Çobani një tjetër ikonë e RTSH-së, të cilin e larguan nga televizini menjëherë pas arrestimit tyë Feçor Shehut që ishte kunati I tij. “Me lot në sy ka ikur Agroni, rrëfente Gurrashi për kolegun e tij, po nuk mund të bënim gjë për të prapsuar urdhërin ogurzi. Iku mjeshtri që kishte lënë një shkollë të vyer në studiot e TVSH-së. Iku duke lënë një boshllëk jo të vogël mes kolegëve, një boshllëk të pazëvendësueshëm do të thosha”.

Sakaq, mjeshtri i ekranit që e ka pësuar dy herë vetëm për çështje biografie, vë në dukje se ka patur mjaft të tjerë në TVSH që kanë mbetur viktima të lojës misterioze të sigurimit të shtetit, duke veçuar emrat e Robert Shvarsit, Prokop Nishkut, Timo Lutës, Janka Selimit, Demail Toles e Haki Katroshit etj. Po rasti i Gurrashit do mbetej interesant edhe në vitet e demokracisë, kur kishin perënduar hijet e Policisë Sekrete. Ai do mbetej i padëshirueshëm për ekranin publik për faktin se i kishte shërbyer diktatorit, kishte bërë telekronika për praninë e tij në kongrese partie, në vizita të ndryshme etj. Për ironi të fatit, kujtonte Gurrashi, njëri prej këtyre demokratëve parimor, ishte një nga spiunët e djeshëm që kishte marrë në qafë kush e di sa punonjës të TVSH-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura