Kryeministri kanadez në largim Justin Trudeau dhe presidentja meksikane Claudia Sheinbaum diskutuan sot gjatë një bisede telefonike vendosjen e tarifave amerikane kundrejt vendeve të tyre, njoftoi sot zyra e Trudeau.
Të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku në fushat me interes të përbashkët dhe të përmirësojnë marrëdhëniet tashmë të forta dypalëshe midis Kanadasë dhe Meksikës.
Tarifat e vendosura nga SHBA ndaj Kanadasë shkelin marrëveshjen e tregtisë së lirë midis dy vendeve, tha më herët një zyrtar i lartë i qeverisë kanadeze.
Zyrtari, duke folur në mënyrë anonime për agjencinë e lajmeve Reuters, tha se Kanadaja do të ndjekë rekursin ligjor si rezultat.
Ai tha se qeveria kanadeze po përgatit masa për të zbutur ndikimin e taksave amerikane dhe kundër-tarifave të saj në SHBA.
Pavarësisht zhvillimeve, zyrtari shtoi se zyrtarët në të gjitha nivelet e qeverisjes mbeten në kontakt të rregullt me homologët e tyre amerikanë.
Kujtojmë se tarifat e SHBA-së ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, do të hyjnë në fuqi nga e marta, më 4 shkurt, me reagimin e tre vendeve që do të jetë i menjëhershëm, tre vendet do të përgjigjen me tarifa hakmarrëse.
Bëhet fjalë për tarifa 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika dhe tarifat 10% për importet nga Kina.
Këto masa rrezikojnë nxitjen e një lufte tregtare, që mund t’i dëmtojë në mënyrë të konsiderueshme ekonomitë e shteteve të shënjestruara, por edhe të Shteteve të Bashkuara, sidomos për faktin se Kanadaja, Meksika dhe Kina janë zotuar për kundërmasa.
Në urdhrin ekzekutiv të prezantuar nga Trumpi përfshihet edhe një pikë që i lejon presidentit t’i zgjerojë tarifat, nëse një shtet vendos kundërmasa ndaj SHBA-së.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka thënë se shteti i saj do të vendosë tarifa ndaj SHBA-së, ndërsa kryeministri i Kanadasë, Justin Truedeau, ka paralajmëruar masa hakmarrëse “me shtrirje të gjerë”.
Ministria e Ekonomisë e Kinës, e ka lëshuar një deklaratë, duke thënë se Pekini do të ngre padi kundër Shteteve të Bashkuara në Organizatën Botërore të Tregtisë, dhe do të ndërmarrë kundërmasa, por pa dhënë më shumë hollësi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al