Meloni vizitë zyrtare në Pekin, kërkon kushte më të favorshme për kompanitë italiane në Kinë

Jul 30, 2024 | 20:58
SHPËRNDAJE

PEKIN – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po viziton Kinën në përpjekje për të rritur bashkëpunimin me ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe për të nxitur marrëdhëniet e tregtisë, tha ajo të martën gjatë vizitës që synon të përmirësojë marrëdhëniet mes dyja vendeve pasi Italia u tërhoq nga nisma “Një Brez Një Rrugë.”

Meloni

Zonja Meloni, që po zhvillon vizitën e saj të parë në Kinë në cilësinë e kryeministres, tha se ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës dëshiron të balancojë marrëdhëniet e saj me Pekinin.

“Sot, investimi italian në Kinë është rreth tre herë më i madh se investimi kinez në Itali,” u tha kryeministrja Meloni gazetarëve. “Qartazi, ne duam të punojmë që të heqim pengesat në mënyrë që produktet tona të kenë qasje në tregun kinez.”

E pyetur se çfarë shpreson të arrijë nga kjo vizitë qeveria e saj e krahut të djathtë të skajshëm, të cilën e udhëheq që nga viti 2022, zonja Meloni tha se Italia po kërkon të “forcojë bashkëpunimin tonë me synim që të balancojë tregtinë.”

Italia është një vend me rëndësi strategjike për Kinën.

Italia mund të shërbejë si një zë i moderuar brenda Bashkimit Evropian, ndërkohë që 27 shtetet anëtare të bllokut po shqyrtojnë nëse do ta mbështesin propozimin e Komisionit për të vendosur tarifa ndaj makinave elektrike kineze.

Vendet anëtare të BE-së do të votojnë në tetor nëse do të zbatojnë tarifa shtesë ndaj makinave elektrike kineze. Italia është një nga vendet që ka dhënë shenja se do ta mbështesë këtë masë.

Në viti 2019, Italia u bë anëtari i vetëm i G7, grupit të demokracive të industrializuara, që iu bashkua nismës së infrastrukturës së Presidentit Xi “Një Brez Një Rrugë”, sipas modelit të rrugës së lashtë të tregtisë ‘Rruga e Mëndafshit’, duke shënuar një fitore diplomatike për Kinën.

Ndonëse Roma u tërhoq nga ky program vitin e kaluar pas trysnisë së Shteteve të Bashkuara, zyrtarët italianë vazhduan të japin shenja se ende dëshirojnë që të zhvillojnë marrëdhënie tregtie me shtetin ekonomia e së cilit ka një vlerë prej 18.6 trilionë dollarësh.

Tregti dhe investime të barazpeshuara

E pyetur nëse ka diskutuar konkretisht me zotin Xi që prodhuesit kinezë të makinave të hapin fabrika në Itali gjatë takimit të së hënës, zonja Meloni tha “jo”, por shtoi: “Çështja e makinave elektrike është njëra nga çështjet e përfshira në marrëveshjen për bashkëpunim industrial.”

Zonja Meloni i tha zotit Xi të hënën se Italia luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e Kinës me BE-në, të cilat aktualisht dominohen nga bisedat rreth tarifave, por shtoi se shpreson për vendosjen e marrëdhënieve tregtare që janë “sa më të baraspeshuara”.

“Siç kam thënë shumë herë, ne ishim vendi i vetëm në mes të vendeve të rëndësishme të Evropës Perëndimore që ishim pjesë e Rrugës së Mëndafshit. Por ne nuk ishim vendi që kishte marrëdhëniet më të mira tregtare me Kinën”, u tha zonja Meloni gazetarëve të martën, duke iu referuar nismës “Një Brez një Rrugë.”

“Ka vende të tjera në Evropë që kanë një vëllim shumë më të madh investimesh kineze.”/voa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura