Merkato e verës, ja 12 kuqezinjtë e Kombëtares që u bënë me ekip të ri

Sep 18, 2024 | 7:21
SHPËRNDAJE

Nëse do të llogarisnim edhe Sokol Cikalleshin i cili ka njoftuar prej pak kohësh tërheqjen nga Kombëtarja, do të bëheshe më shumë se një formacion me lojtarët e Kombëtares që këtë merkato kanë ndryshuar skuadër.

broja-dhe-bajrami

Në total, janë 12 kuqezinj që kanë lëvizur. Disa prej tyre kanë kaluar në huazim për një sezon, ndërsa pjesa më e madhe janë shitur përfundimisht dhe kanë nisur një kapitull të ri në karrierën e tyre.

PORTIERËT- Për ta nisur nga portierët, Tomas Strakosha u largua nga Premier Liga ku ishte pjesë e Brentfordit, për të kaluar tek AEK-u në kampionatin grek, ku është numri një i portës. Duket si një hap mbrapa për Strakoshën në këto momente, por kjo eksperiencë mund t’i vlejë për të bërë 3 hapa përpara. E rëndësishme është që do të luajë, ndryshe nga periudha në Angli.

Kemi gjithashtu edhe rastin e Alen Sherrit i cili ka bërë një hap të madh përpara, duke kaluar nga Egnatia te Kaljari në Serinë A. Aktualisht Sherri është portier i dytë, megjithatë asnjëherë nuk i dihet dhe shumë shpejt mund të vijë edhe momenti i tij.

MBROJTËSIT- Mario Mitaj nuk është më pjesë e Lokomotivës së Moskës, të paktën deri kur klubi nga Arabia, AlItihad të vendosë ta blejë kartonin e mbrojtësit. Mitaj është huazuar për 1.2 mln euro dhe klubi i yjeve ka të drejtën e blerjes përfundimtare në verën e ardhshme, për një shifër 5 milionë euro. Në huazim, por pa të drejtë blerjeje ka kaluar edhe Marash Kumbulla.

Mbrojtësi i cili zhvilloi dy ndeshje të mira me Kombëtaren shqiptare këtë muaj, nuk gjeti vend te Roma e këtij sezoni dhe për të marrë minuta, shkoi në huazim tek Espanjoli, ku po luan rregullisht.

Lëvizje pati edhe për Arlind Ajetin. Mbrojtësi që u zgjodh titullar nga Silvinjo në Kampionatin Europian, u transferua nga Klyzh në Rumani drejt Bodrumsporit, klubit turk që merr pjesë në Superligë. Ajeti u ble për 300 mijë euro dhe këtë javë debutoi edhe me skuadrën e re. Pjesë e Kombëtares në Europian, Naser Aliji nuk ka vijuar karrierën në Rumani. Mbrojtësi ka firmosur për Dinamon në Superiore.

MESFUSHORËT- Lëvizja e Nedim Bajramit ishte e pritshme, por befasues ishte fakti se ai u transferua te Rejnxhërs, në kampionatin skocez. Teksa të gjithë prisnin që fantazisti të firmoste me një ekip të Serisë A, duke qenë se 5 vitet e fundit ai luajti në Itali, Nedimi i surprizoi të gjithë duke kaluar te Rejnxhërs për 4 milionë euro. Ekip ndryshoi edhe Keidi Bare i cili nuk rinovoi me Espanjolin pas 4 viteve kontribut dhe streha e tij e re është Real Saragoza.

SULMUESIT- Armando Broja gjeti një sistemim të ri, por nuk është ndarë përfundimisht nga Çelsi. Sulmuesi kaloi në huazim me të drejtë blerje tek Evertoni i cili duhet të presë pak kohë që të hedhë në fushë Armandon, për shkak të një dëmtimi në tendinë. Megjithatë, në fundin e sezonit pritet të shihet se ku do të jetë e ardhmja e Brojës, do ta blejë Evertoni apo do të rikthehet edhe njëherë te Çelsi. Gjithashtu edhe Taulant Seferi ndryshoi ambient.

merkatooo

Pasi u kthye nga Emiratet e Bashkuara Arabe ku kaloi një vit në huazim te Banijas, sulmuesi ishte nën kontratë me ukrainasit e Vorskla Poltavës, të cilët e shitën pak javë më parë te Bodrumspori në Superligën turke, për 1.5 milionë euro. Këtë fundjavë, sulmuesi debutoi me klubin e ri. Edhe Marvin Çuni u ble nga Rubin Kazani për 2 mln euro nga Frozinone. Për ta mbyllur me Cikalleshin i cili u largua nga Koniaspori dhe firmosi me Traktorin në Iran.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura