“Mes plagëve e tradhtive të kohës”

Sep 24, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

 

Salvator KacajNGA SALVATOR KAÇAJ 

Para disa ditësh mora pjesë në përurimin e librit “Mes plagëve e tradhtive të kohës” të autores dr. Nusha Zhuba, për rilindasin pa titull, Pjetër Zarishi.

Aty m’u kujtuan shumë histori dhe rrëfime të njerëzve të zakonshëm të krahinës së Lezhës, Mirditës, Kurbinit dhe Malësive për shumë atdhetarë dhe njerëz fisnikë, që sakrifikuan ndër vite, madje edhe jetën e tyre, që ne sot të kishim një atdhe. Padër Pjetri padyshim ishte njëri prej shumë klerikëve katolikë që vdiqën në rrugën e tyre për gjuhën shqipe, në një kohë kur kjo gjë as nuk konceptohej. Ishte herezi të mendoje për këtë çështje në fillimet e viteve 1800. Pjetër Zarishi u lind në Blinisht të krahinës së Zadrimës dhe u edukua në Itali, duke veshur rrobën e klerit në zonat më të thella të Shqipërisë.

Ai shërbeu me devotshmëri besimit të tij si klerik, por edhe kombit të tij si shqiptar. Jeta e tij mes skamjes dhe sakrificave, persekutimit të pushtuesve osmanë dhe intrigave të kohës nuk e pengoi aspak që të ndërtonte alfabetin shqip, i cili më vonë do të përdorej edhe nga Kongresi i Manastirit dhe me të cilin u mësonte gjuhën shqipe klerikëve, që vinin nga shtetet e tjera për të shërbyer në vendin tonë dhe të gjithë atyre që dëshironin të mësonin shkrim e këndim në gjuhën amtare. Ëndrra e klerikut për një gjuhë shqipe me shkronja latine, e cila e ndante kombin tonë nga Lindja e Mesme dhe e orientonte atë natyralisht nga Perëndimi, u bë realitet disa dekada më vonë. Gjithsesi, vepra e këtij njeriu nuk u përmend kurrë, sepse Padër Pjetri duhej harruar. Kjo për faktin se ai ishte një klerik katolik. Ata që rishkruan historinë e vendit tonë pas vitit 1945, duhej ta paraqisnin katolicizmin në Shqipëri si kolaboracionist të pushtuesve nazi-fashistë.

Ata deshën të fshihnin nga historia kontributin e pazëvendësueshëm të katolikëve nga historia e Shqipërisë. Edhe Padër Gjergj Fishtën e fshinë nga historia, sepse ishte një i krishterë. Kështu, regjimi i Enver Hoxhës me propagandën e tij i portretizonte si tradhtarë, diversantë dhe njerëz të egër dhe të prapambetur katolikët. Për ta duhej ndërtuar stereotipi i tillë në shoqëri duke iu zeruar kontributet historike, patriotike, pa të cilat sot vendi ynë mund të mos ekzistonte. Prandaj, shteti ynë duhet të rikthejë në vëmendje vlerat patriotike të qindra personazheve të fshira nga historia jonë. Katolikët shqiptarë kanë qenë shtylla orientuese të oksidentalizmit tonë të natyrshëm. Kleri katolik përfaqësonte shpirtin evropian të aspiratave tona për një shtet modern shqiptar. Portretizimi i keq i tyre në filma dhe libra kishte si qëllim stigmatizimin e tyre.

Kështu, përveçse u vranë me qindra intelektualë të klerit katolik, u fshinë edhe nga historia ata që vërtet dhanë shumë për vendin e tyre. Si Padër Pjetër Zarishi janë me dhjetëra të tjerë për të cilët as nuk është folur ndonjëherë. Mendoj se sot, pas 30 vitesh që nuk jetojmë më me urrejtjen e luftës klasore, e kemi të drejtën të kërkojmë të vërtetën e historisë së vendit tonë. Kemi të drejtën t’i kërkojmë Akademisë së Shkencave që të hulumtojë dhe të vendosë në vend dinjitetin e një komuniteti të nëpërkëmbur nga regjimi vetëm prej përkatësisë fetare. Kemi gjithë të drejtën të falënderojmë studiuesit e pavarur, të cilët me kontributet e tyre financiare kanë arritur të marrin me qindra dokumente nga arkivat e Vatikanit, me anë të së cilave po hedhin dritë mbi një pjesë të panjohur të historisë së Shqipërisë. Studiues si dr. Nusha Zhuba meritojnë jo vetëm falënderime, por edhe përkrahje financiare që të mund të dokumentojnë shumë pjesë të tjera të historisë së vendit tonë, të cilat ndodhen sot në Vatikan. Historia duhet shkruar ashtu siç është në dokumente dhe jo sipas humorit politik. Fati deshi që disa shqiptarë të kenë akses në arkiva, të cilat kanë hyrje shumë të limituar.

Do të ishte mëkat që të mos hidhej dritë mbi shumë histori dhe ngjarje, të cilat janë plotësisht të dokumentuara. Padër Pjetër Zarishi do të ishte një figurë e humbur dhe brezat e rinj nuk do të mund të mësonin kurrë rreth jetës dhe veprës së tij, nëse nuk do të zbulohej ai dokumentacion rreth jetës së tij. Trashëgimia e veprës së tij nuk do të harrohet dhe do të përcillet me shumë respekt për të gjitha vlerat e tij. Zoti deshi që Pader Pjetri të rikthehej jo më si një legjendë në tregime, por si një rilindas përparimtar, i cili e nisi i pari alfabetin tonë dhe punoi pa u lodhur për një Shqipëri evropiane. Edhe pse zemra e tij pushoi para të 50-tave, ai la një trashëgimi të madhe kombëtare, për të cilën meriton të gjitha lëvdatat. Është koha të rigjejmë veten tonë në vlerat e patriotëve tanë më të devotshëm dhe të jemi krenarë për ta dhe trashëgiminë e tyre kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura