Mësuesja synon rekord në “Guinness”/ Flamuri i Kosovës 1.216 metra katrorë me letër origami

Feb 16, 2021 | 11:07
SHPËRNDAJE

Mësuesja Arbnora Fejza-Idrizi, nga Skenderaj, e emocionuar po e pret ditën kur juria e librit të rekordeve botërore “Guinness” do të vlerësojë punën e saj, ku flamuri i Kosovës është bërë me letra origami.

flamuri i kosoves

Dy herë fituese e çmimit të parë në “Guinness”, në vitin 2018 dhe në vitin 2019, Arbnora, për çmimin e tretë është angazhuar që nga korriku i vitit 2020, duke ia dedikuar rreth katër orë në ditë formimit të mijëra letrave origami, krahas obligimeve familjare si nënë e tre fëmijëve dhe mësimdhënëse e nivelit parashkollor në Skenderaj.

Ajo bashkë me dhjetëra nxënës nga ky rajon, vendosën për rreth 14 orë letrat shumëkëndëshe në një sallë sporti të mbyllur, të cilat formuan në mozaik flamurin e shtetit më të ri në Evropë, në përmasa prej 1.216 metrash katrorë.

Me këtë punë, po synohet të thyhet rekordi të cilin për momentin e mban një shkollë në Mongoli, me një punim prej 1.167 metrash katrorë.

Frymëzimi për këtë art, Arbnora thotë për Anadolu Agency (AA), se i ka lindur nga koha e studimeve në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, ndërsa më vonë këtë mjeshtri e ka ushtruar me nxënësit e saj.

“Gjithë procesi i punës ka zgjatur mjaft, për arsye se janë të përgatitura 127.400 copë letra origami. Secila copë letre ka kërkuar 15 teknika arti origami, kështu që kam filluar që nga muaji korrik (2020), domethënë katër muaj me nga katër orë punë në ditë me Edonën (bashkëpunëtore) kemi realizuar të gjitha letrat. Ka qenë një proces i gjatë por tërë punën e kemi finalizuar brenda një dite, ditën e shtunë, më 6 shkurt, dhe flamuri është 1.216 metrash katrorë”, thotë ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura