SHPENDI TOPOLLAJ/ Pak kohë më parë, doli nga shtypi libri prej 645 faqesh “EPISTULAR” i Prof. Jup Kastratit me At Justin Rrota gjatë viteve 1951 – 1964. Janë letra të shkëmbyera mes dy korifejve të shkencës së gjuhësisë të cilët për fatin e madh, edhe pse ishin banorë të të njëjtit qytet, Shkodrës, janë takuar rrallë. Them kështu, pasi po të takoheshin qoftë dhe çdo ditë kafeneve, nuk do të kishim ndër duar këtë thesar të vyer, sepse nuk thoshin kot latinët e vjetër “Verba volant, scripta manent”. Dua të besoj, se në të gjithë historinë tonë, nuk ka një rast të ngjashëm, ku në një korrespondencë private, me letra të dërguara me korrier, të përfshihet kaq dituri, përgjegjësi profesionale e pedagogjike dhe kaq miqësi, sinqeritet, thjeshtësi, mirënjohje e atdhedashuri.
E kam kaluar fëmijërinë time, brenda harkut të kësaj periudhe në atë qytet, ku edhe sot e kësaj dite më ndjek pas imazhi mahnitës i bukurive të natyrës, rrugicave ku shermesheku varej mureve të gurta e i shtëpive me ato oborret me trandafila, si dhe mirësia, bujaria e kultura e banorëve të saj. Por ajo që i ka dhënë Shkodrës një shkëlqim të veçantë mbetet vepra e gjithanëshme intelektuale e shumë burrave e grave, jo pak prej të cilëve, jo vetëm kishin studiuar kryesisht në vendet perëndimore, por edhe sillnin aty ku punonin e krijonin përvoja të reja prej tyre. Dhe ja dy nga ata, me ndryshime dhe të përbashkëta: At Justini i lindur aty nga viti 1889, prift françeskan, pra shërbestar i Zotit, i sëmurë prej një kohe të gjatë, i mbyllur në qelë atje tek Arra e Madhe, thuajse pa asnjë kontakt me jetën e gjallë dhe Jup Kastrati, nja tridhjetë e ca vjet më i ri, dikur nxënës i tij, mysliman, por që beson se Zot në tokë është njeriu, aktivist i angazhuar që lëviz sa në Tiranë aq dhe në qytete të tjera të vendit, por që të dy janë arsimuar në shkollat e huaja, kanë lidhje me mësuesinë dhe sidomos me gjithçka përfshin gjuha qysh nga fonetika, sintaksa, morfologjia, leksikologjinë, ortografia, etimologjia e deri tek albanologjia etj. si dhe etja për të lexuar pareshtur letërsi artistike të autorëve vendas dhe të huaj, në shqip dhe gjuhë të tjera.
Kishin një shprehje romakët e dikurshëm “Të barabartët bashkohen”, por sido qoftë edhe pse ata e thërrisnin njëri – tjetrin Mjeshtër e Profesor, përsëri ky i fundit i kujton At Justinit fjalët që Maksim Gorki i drejtonte Kalluzhnij – t i cili e inkurajonte ta botonte “Makar Çudra” – n: “Ju qetë i pari që më vështruet me sy të mirë, t`ambël e të paharrueshëm… Ju jeni i pari që më nxitët me e vështrue vehten me seriozitet”. Të dy janë autorë veprash të rëndësishme dhe të dy kërkojnë dhe të marrin kontakt e të shkëmbejnë mendime me albanologë nga vende të tjera, të dy konsultohen, miratojnë, sugjerojnë dhe këshillojnë njëri – tjetrin, të dy huajnë leteraturë që vështirë të gjendet. Po ashtu, që të dy i referohen shprehjeve të benjaminit të perandorit August, Horacit (Quintus Horatius Flaccus 65 – 8 para e.r.), me shokë. Dhe është e dhimbshme kur sheh se ata shkencëtarë vuajnë për një makinë shkrimi të saktë, një shirit makine apo pak letër e ndonjë zarf. Pa folur pastaj për varfërinë prej asketi të At Justinit i cili edhe honorare nuk kërkon, por po qe se ata do japin ndonjë shpërblim për librat apo artikuj e tij studimorë, i do ato pak lek për të motrën e cila nuk ka asnjë të ardhur, pasi edhe djalin ia kanë marrë ushtar.
Ky Ovid i plakur, siç e quan ai veten, gati paralitik, me njërin sy të verbuar dhe që e këshillon edhe Jupin “Gjithçka me masë” për të ruajtur shëndetin, me zor ngrihet nga shtrati dhe punon paprerë mbi taste me një gisht, vetëm për të thënë brezat, post mortem se “Nuk paska ndejt pa punë”, pa çka se nuk ka mundësi të paguajë daktilografistin dhe pa çka se vepra e tij është ajo e një akademiku të palodhur. Ai nuk dorëzohet edhe pse i shprehet mikut të tij se “Përrallojshin ata poetët e vjetër për zogun e ujës, mjellmen (cygnus), kinse ky, përpara se me u da këso jete, ia thonte kangës çmos kurr, si me dashë, ndëpër ato melodi të përmallëshme, me i thanë lamtumirë për gjithmon kësaj toke”. Ja pse edhe Prof. Kastrati e vendos atë krahas njerëzve më të shquar, më të ndershëm dhe më atdhetarë që ka nxjerrë Shkodra dhe qysh në janar të vitit 1954 e cilëson: “Mësues i Shqipes për ma se njëzetepesë vjet, lavrues i thellë i `saj, punëtuer i paepun i shkrimtarëve tanë klasikë, transkriptues i monumentit tanë ma të vjetër “Gjon Buzuku”, studjues i auktorëve tanë të vjetër: Matranga, Budi, Bardhi, Bogdani, etj; njohës i hollë i problemavet ma delikate, që paraqet gjuha jonë, përpilues i “Sintaksit” tanë shkencor, i “Historisë s`alfabetit shqip”, i “Analizimit të rasave të t`emnit dhe zhvillimit historik të tyne”; hartues i sa veprave tjera mbi “Letërsinë shqipe”, “Mbi gramatologjinë tonë”, i librave edukativë si “Rreth votrës” etj. dhe me gjithë se i paralizuem prej vjetësh, vazhdon ende sod me punue i palodhun afër dhetë orë në ditë mbi pastrimin e fjalorit tanë nga fjalët e hueja, mbi morfologjinë dhe strukturën gramatikore të gjuhës sanë, mbi ortografinë etj.
Njeri i vullnetit dhe i sakrificës, asht figurë që t`imponon respekt dhe të frymëzon për punë”. Dhe i tillë titan i punës ishte dhe vetë Jup Kastrati, për çka flet e gjithë ajo ai bëri gjatë gjithë jetës. Të tillë e gjeta kur shkova ta takoja me të ndjerin Nasho Jorgaqi: të sëmurë rëndë në odën e fjetjes, mbështetur te koka e shtratit, dhe me një fletore e laps në dorë. Ai edhe në atë gjendje të rënduar kërkonte të dinte nga ne sesi po shkonte simpoziuni për romanin, ashtu sikurse edhe At Justini i kërkonte dikur atij: “Të lutem, më mba në kurrent të jetës letrare kombëtare, dhe mos len gja, të më kalojë ndë heshtim, përsa u përket çashtjeve letrare, gjuhsore, etj., që meritojnë me u dijtë”. Mjafton të përmend se At Justini me të lexuar njoftimin e vitit 1929 se në arkivat e Romës gjendej libri më i vjetër shqip (1555), kishte vrapuar atje dhe me shpenzimet dhe mundin e tij, pas shumë peripecish, solli në Shqipëri “Mesharin” e famshëm të Gjon Buzukut. Vetëm kjo do të mjaftonte që t`i ngrihej një përmendore atij njeriu, për të cilin prof. Çabej thosh: “Rrota është shkencëtar”. Por ai nuk e lë me kaq, shkruan ngultas për këtë figurë madhore tonën dhe deklaron se “Unë do të punoj për Buzukun tem; dhe jam i lum, të më gjejë deka tue dritëhuem Klasikun e preferuem!” E si të mos interesohej ai për fillesat e kësaj gjuhe për të cilën Pandeli Llazari dhe Vasil Marku qysh më parë kishin thënë se “Rrënjët e greqishtes së lashtë janë homerike, dhe gjuha homerike është shqipja e sotme”.
Nga ana e tij, Prof. Jupi jo vetëm e furnizon me librat që ai i kërkon dhe për gjetjen e të cilave i duhen përpjekje heroike, por dhe e informon për gjithçka ngjet në botën tonë akademike, në konferenca e kongrese kushtuar gjuhës, për diskutimet e mbajtura atje, polemikat e zhvilluara, fjalimet apo artikujt e albanologëve të huaj, botimet periodike, revistat e vendeve të tjera që me kufizime vinin te ne etj. etj. Një herë t`ia vonojë përgjigjen Profesori, dhe At Justini i shkruan: “Mbi lëvizjen albanologjike të jashtme më ke lanë shurdhë tash do dit”. Po ashtu edhe për vonesën e lajmeve letrare. Por prof. Jup Kastrati është tmerrësisht i ngarkuar; ai është mësues në gjimnaz e Institut ku jep lëndët e lodhshme “Historia e gjuhës shqipe” dhe “Gramatika historike” e më pas Hymje në Linguistikë dhe Gjuhë e sotme shqipe, korrigjon detyrat e një morie nxënësish e studentësh, ndjek provimet e tyre, mbron titullin shkencor, shkruan artikuj të ndryshëm nëpër revista e gazeta, drejton veprimtari të ndryshme deri dhe ceremoni varrimi, shkon shpesh në Tiranë në Akademinë e Shkencave, me atë komunikacionin mjeran, ku e presin aq punë, ndalet në Bibliotekën Kombëtare ku studion autorët që i duhen, takon e shoqëron delegacione, dërgohet për kualifikime jashtë shtetit, shkon nëpër ekspedita shkencore për nëndialektet apo siç pohon vetë, brenda një jave, për të shkuar në 22 fshatra e qytete, përshkon plot 1300 km.
Ai ka dhe detyrime familjare: fejohet, martohet, i lind fëmija i parë Laurën fatkeqe e cila vdes pa mbushur vitin gjersa dalin në dritë dy të tjera si yje mençurie. E megjithatë Profesor Jupi me veprën e tij të pamatshme, fiton një reputacion mbarëkombëtar, ai është nga më të respektuarit, si nga kolegët ashtu edhe nga personalitete të huaja, të cilët ose e takojnë në veprimtaritë e organizuara ose i shkojnë për ta vizituar në shtëpi, ku i pret me atë bujarinë e njohur shkodrane, i shkruajnë atij dhe konsultohen me të. Në libër na shfaqen edhe si një homazh për ta, emra të nderuar si Cimochowcki, Desnickaja, Bariçi, Skoku, Novaku, Malinçev, Rosetti, Nahtigal, La Piana, Lambertz, Mustilli, Tagliavini, Roques, Schiro, Seidel, Tamas, Meyer, Camarda e sa e sa të tjerë, për të cilët Ati i thotë Profesorit: “…unë gëzohem, kahë marr vesht: se ende ka njerzë në botë, të cilët interesohen për gjuhën tonë”. Në letrat e shumta të tyre, 299 të tilla, lakohen shumë nga albanologët e shquar, vepra e të cilëve i ka bërë nder Atdheut tonë ndër vite si Nopsca, Laura, Zoltan, Milan, Elekas, Jireçek, Gyula, Sufflay. Dhe sa nderim kanë të dy këta gjuhëtarë për punën e jashtëzakonshme të kolegëve të tyre si Çabej, Xhuvani, Domi, Kostallari, Shuteriqi, Pollo, Riza, Kamsi, Osmani me shokë.
Të habit durimi për të marrë të dhëna të plota dhe të besueshme, qoftë nga autorë të ndryshëm si fjala vjen Hortense Zambaure, dëshmitare okulare apo nga njerëz të thjeshtë që i jetuan ato ngjarje, për shkrime monografike si ai i vrasjes së Hasan Riza Pashës. Ata flasin në letrat e tyre për vlerat letrare e atdhetare të rilindasve si Mjeda, Shiroka, Gurakuqi etj. dhe krahasojnë kontributin letrar të Nolit e Konicës, Fishtës, Migjenit, V. Volajt. Ata shoshisin edhe titujt e librave dhe i japin lejen njëri – tjetrit që të marrin ç`të duan nga ajo që kanë shkruar vetë. Madje edhe për ndonjë epigram, konsultohen me sho – shoqin si për shembull ai i At Justinit për librin e tij “Ditt e mbrame”: “Qytetit tim të shtrenjtë dhe bashkëqytetasve / të Shkodrës jetike zamadhe fisnike / këto fletë të përgjakshme / të cilat / për së shkurtit synojn të endin / ngjarjet e njëj rrethimi / ndër ma të gjatat e tragjiket / që njeh historia e popujvet / me nderim e me mall / Auktori”. Dhe e shkruan këtë libër për atë që përjetuan banorët e qytetit për shtatë muaj rresht “që t`ua la nipave këtë kujtim të tëmershëm, që mos t`u bijë në mendë me zanë në gojë luftën”.
Të dy letërkëmbyesit në përditshmërinë e tyre, shqetësohen gjithashtu edhe për një fjalë të vetme, si p.sh. ajo borgjes, hajde, vjedmis, mashalla, apo gjenezën e emrave të njerëzve, qyteteve Rubik, Elbasan, Skampa apo ku ndodhet vendlindja e Buzukut…etj. Ata shfaqin mosmiratimin e tyre për deformimet që i bëhen gjuhës duke përdorur vend e pa vend fjalë të huaja, për të cilat përpilojnë edhe Fjalor. Por, ndërsa Ati bën ndonjë vërejtje për eksponentin e gegnishtesh, Jupin, ky i fundit nga ana e tij, duke e parë më nga afër sesi ecte mendimi akademik për gjuhën, i kumton plakut se “ne jemi në një fazë të normalizimit dhe stabilizimit të gjuhës letrare shqipe”. Kur e sheh se është konstatuar, At Justini krejt natyrshëm i kërkon Profesorit “…ne e pashë ti, të lutem, m`i lyp të falun për gabimin tem” (z. Domi). Mjeshtri i lutet Profesorit se mos mëson në e ka gjallë vëllanë atje në Vjenë dhe ky i lutet t`i thotë atij që po mundi të gjejë ligjeratën e mbajtur nga Ndre Mjeda në Kongresin e XIII ndërkombëtar të orientalistëve, në Hamburg, në shtatuer të vitit 1902. Kurse Mjeshtri vazhdon me kërkesat e tij: “Pyetma një Profesorësh, që të jetë, jo toskë i gegëzuar, por toskë i kulluar, a janë të popullit këto “Shkuesi, i shkueshëm” Fj. E kam për punë të ndrimit të diftongut tematik: një herë me – ua, mandej me ue… në të njëjtën rasë”.
Po kështu ata e shtrijnë interesimin edhe te e folura e arbëreshëve, ku diskutojnë “…për sa i përket fazës gjuhësore ndërmjet toskënishtes të Shqipnis dhe të toskënishtes s` Arbëreshëve”. Ata kuptohen fare mirë, dhe shfaqin të njëjtat emocione, pasi për ta është gëzim i veçantë që “…shpejt edhe xansët e shqipes kanë për t`u ushqye në gjuhë të vet me bukurit e xhenivet të dallueme”. Prof. Jupi i jep lajmin e lumtur të krijimit të Universitetit tonë shtetëror Mjeshtrit, por edhe në atë kohë me rreziqe e njofton atë dhe i dërgon me anë të korrierit, Paulinit, librin “Americana” ku i thotë se do të gjejë zanafillën e letërsisë së atij vendi qysh nga Irvingu, Poe, Hawthorne, Melville, Twain, Harte, Bierce, veristët, naturalistët dhe realistët Crane, O`Henry, Norris, London, Dreiser dhe shton: “Aty do të gjeni edhe kulmet e letërsisë me Shervood Andersen dhe laureatin e çmimit “Nobel”: Eugen O`Neill si dhe kontemporanët William Faulkner, Ernest Hemingwey, John Steinbeck, Erskine Caldwell, William Sarayan etj.
Unë besoj, se do të Ju pëlqejnë”. Në letrat e tyre, sidomos Ati, mes dhimbjeve e skamjes gjen vend që të përdor edhe një humor të këndshëm. Ja sesi i shprehet ai Profesorit: “Broshurat… M`i len edhe për ndonjë javë, …Nuk t`i tres; sado që këjo tavolina jeme, prej letrash e tefterësh, ashtë ba aqë, sa me hupë qet me gjithë qerre”. Ose, i kujton se ti biçikletën e din, pse nuk vidhesh ndonji ditë papritmas. Ja pse tani, jo me shaka, kujtoj se këta shqiptarë të mëdhenj, priftërinj eruditë e poliglotë si At Justin Rrota, pushkatonte dhe burgoste regjimi diktatorial te ne, duke i sjellë popullit dhe kulturimit të tij një dëm të jashtëzakonshëm. Dhe për ta mbyllur, kam mendimin se ky libër i sjellë si dhuratë nga vajzat e të paharruarit Profesor Jup Kastratit, do të mbetet një monument si për ata dy burra të rrallë, ashtu edhe si një pikë referimi ku duhet të mësojë dhe të frymëzohet çdo intelektual, sesi duhet punuar me ndërgjgje të lartë për Atdheun. Një pikë referimi, sidomos sot kur Atdheu më shumë se kurrë e do kontributin e gjithkujt. Një pikë referimi që të na kujtojë fjalët e arta të Pol Elyarit se “Nuk vlen asgjë të dashurosh, nëse vajtimi i vendit tënd nuk prek zemrën tënde”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al