Miratimi i pr.buxhetit 2025/ Berisha paralajmëron protestë rreth Parlamentit: Pensionistët, fermerët, bizneset e vogla do të ngrenë zërin e tyre

Nov 11, 2024 | 12:40
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri sot një deklaratë për mediat, nga ku foli për keqqeverisjen e kryeministrit Edi Rama.

pppp

Berisha tha se Rama po u jep goditjen e mëshirës fermerëve, ndërsa theksoi se fondet shkojnë në sektorët ku vidhet më shumë.

Berisha foli ndër të tjera për buxhetin e 2025. Ai tha se dita e miratimit te buxhetit 2025 do të shoqërohet me protesta të fuqishme rreth parlamentit.

Shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi  në Kuvend i projektligjit për Buxhetin e vitit 2025, do të zhvillohet të martën e datës 3 dhjetor të këtij viti, 2024.

Lidhur me datën e protestës, Berisha tha se PD do të dalë me njoftim në ditet e vijim për  të dhënë më shumë informacione për hapin e radhës të mosbindjes civile.

Berisha: Sigurisht, miratimi i këtij buxheti do të shoqërohet me protestë të fuqishme rreth parlamentit, ku qytetarët, pensionistët, fermerët, të papunët, bizneset e vogla, të gjithë ata që dëshirojnë të thonë zërin e tyre në ditën e plaçkitjes më të madhe të vitit, plaçkitjes së buxhetit në parlamentin e krimit…Shtylla numër një e programit të PD do jetë ekonomia e qytetarit. 3.5 përqind e buxhetit do shkojnë për subvencione në bujqësi…Unë jam këtu për të garantuar fermerët shqiptarë se nuk do ketë buxhet kurrë që t’u alokojë atyre një të dyqindtën e tij, por dhjetëra, dhjetëra herë më shumë.
3.5 përqind e buxhetit të shtetit do parashikohen subvencione për bujqësinë.

Mbështetje të drejtpërdrejtë për të gjitha sipërmarrjet që operojnë në bujqësi, blegtori, peshkim, akuakulturë, agroindustri mbi bazën e sipërfaqes së mbjellë, prodhimit të dorëzuar dhe numrit të krerëve. Çdo fermer që aplikon për mbështetje në fushat prioritare do përfitojë mbështetje pa kufizim.

Do subvencionohen me 80 përqind normat e interesit të kredive bankare për bujqësi dhe blegtori. Do subvencionohen në masën 75 përqind norma e të gjithë siguracioneve në fshatin shqiptar dhe bujqësinë shqiptare. Do investohet çdo vit jo më pak se 70 milionë euro në sistemin e vaditjes dhe kullimit në mënyrë që të dyfishohet aftësia kulluese e vendit.

Do hiqet që javën e parë taksa armiqësore ndaj fermerëve, TVSH-ja armiqësore 0 në blerje dhe 20 përqind në shitje. Do jetë e barabartë në blerje dhe shitje.

Krijimi i agjencisë për fermerët për orientimin e tregut është një zotim jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori. Mbështetja për teknologjitë e reja mbetet një prioritet i madh për PD, veçanërisht dixhitalizimi do jetë synim që të lehtësojë sa më shumë punën e fermerëve dhe të rrisin rendimentet.

Rritja e sigurisë ushqimore, mbrojtja e qytetarëve shqiptarë nga mbeturinat që mbeten në prag skadimi në magazinat e botës, do jetë qëllim kryesor i yni. Ne kemi qenë dhe mbetemi të bindur se pa zhvillim rural nuk ka Shqipëri të zhvilluar.

Do bëjmë gjithçka me moton që fshatrat që kenë infrastrukturën e qyteteve, dhe për këtë zotohemi që në katërvjeçarin e parë. Këto janë disa nga pikat kryesore të programit tonë për fermerët dhe bujqësinë.

Edhe njëherë shpall, shtylla numër një e programit të PD do jetë ekonomia e qytetarëve. Ekonomia e qytetarëve. Ekonomia e qytetarëve. Begatimi i tyre, përmirësimi i tyre ekonomik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura