Misteri i vdekjes së Egli Progës, Prokuroria e Korçës: Ka pasur ndërhyrje në kamerat e brendshme të lokalit

Oct 12, 2024 | 13:58
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Korçës ka arritur në përfundimin se ka pasur ndërhyrje në kamerat e brendshme të lokalit, pas më shumë se dy muajsh hetime për vdekjen e Egli Progës, për të cilën mbeten mister rrethanat se si ndodhi ngjarja.

egli proga 6

42-vjeçari u dërgua pa shenja jete në spital, ndërsa nga ana e familjarëve të viktimës ka pasur akuza për tentativë të fshehjes së ngjarjes.

Gjithashtu në lidhje me vrasjen e Egli Progës, pati një përplasje publike të pazakontë mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, pasi kjo e fundit ndryshoi akuzën ndaj autorit të dyshuar Denis Meçe në “vrasje nga pakujdesia”.

Ndërkohë ditën e sotme, Gjykata e Korçës ka rikthyer në qeli 3 personat të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.

Tre të akuzuarit Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe, që ishin të pranishëm në vendngjarje u liruan nga Gjykata e Korçës më 13 gusht, e cila caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Por, togat e zeza kanë ndryshuar sërish ditën e sotme (12 Tetor) masën ndaj tyre nga “Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore”, në “Arrest në burg”, për veprën penale “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”.

Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe raportohet se kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.

LEXONI EDHE: Qytetarët e mbajnë në krahë dhe e fusin në ambulancë, dalin pamjet e papublikuara të Egli Progës mbi dy muaj pas dhunimit të tij për vdekje

 

Me një vendim të datës 7 Shtator, drejtuesi i Prokurorisë së Korçës, ka larguar prokuroren Vasjana Postoli nga hetimi i çështjes për vrasjen e Egli Progës.

Ky ndryshim është bërë në përgjigje të kërkesës së familjes së viktimës, e cila kishte kërkuar zëvendësimin e Postolit për arsye që lidhen me trajtimin e çështjes dhe dhe një trajtim më të rreptë ndaj të dyshuarit.

Prokurorja Vasjana Postoli kishte qenë në detyrë për të hetuar rastin e Denis Meçes, i cili është i dyshuar për vrasjen e Egli Progës.

Në një vendim të mëparshëm, ajo kishte ndryshuar akuzën ndaj Meçes, duke e cilësuar atë si “vrasje nga pakujdesia”.

Tashmë, çështja e Egli Progës i ka kaluar në dorë e një prokurori tjetër, i cili ka marrë përsipër hetimet.

Kujtojmë se 42-vjeçari Egli Proga humbi jetën pasi dyshohet se u dhunua për vdekje më 10 Gusht në një lokal, nga i riu Denis Meçe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura