‘Mjafton një adresë’, BIRN: PS-PD arrijnë dakordësi për votën e diasporës! Pakti u sulmua nga Lulzim Basha

Jul 22, 2024 | 18:25
SHPËRNDAJE

Ndryshimet më të rëndësishme lidhen me dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, mundësimi i votë së Diasporës për herë të parë në zgjedhje dhe heqja e “herësit” në përllogaritjen e mandatit të deputetit nga hapja e listave shumëemërore të partive politike.

komisioni zgjedhor

Grupi parlamentar i PS-së njoftoi të hënën se kryetari i këtij grupi, Bledi Çuçi kishte njoftuar deputetët për mundësinë e arritjes së marrëveshje politike brenda kësaj jave dhe votimin e paketës së ndryshimeve në seancën e fundit plenare të këtij sesioni, ditën e premte.

“Propozimet e Grupit të Dialogut janë ende në fazë diskutimi në nivel politik dhe nëse do të ketë dakordësi atëhere këto propozime do t’i paraqiten seancës ditën e premte,” citohet të ketë thënë Çuçi në mbledhje.

Negociatori demokrat, Oerd Bylykbashi iu referua deklaratës publike dhënë të premten pas takimit të fundit me negociatorin socialist, Damian Gjiknuri, pas të cilit të dy pranuan se kanë arritur dakordësi për votën e emigrantëve.

Të premten të dy negociatorët politikë njoftuan se kanë gjetur një zgjidhje të përshtatshme për të bërë të mundur votën e Diasporës, një formulë ligjore që do t’i mundësojë çdo shqiptari që ka një adresë banimi jashtë vendit të saktë të votojë.

Gjiknuri tha se bëhet fjalë për disa kategori qytetarësh që për një arsye apo një tjetër jetojnë  për një kohë të caktuar jashtë vendit. “Do të jenë edhe diplomatët, ushtarakët apo edhe persona të tjerë që jetojnë në vende të ndryshme dhe që banojnë e kanë një adresë të caktuar,” saktësoi ai.

Ndërsa Bylykbashi shtoi se nuk do të ketë ndarje mes atyre që janë në emigracion në mënyrë të paligjshme dhe atyre që janë regjistruar në mënyrë të ligjshme jashtë vendit.

“Kushdo që është jashtë Shqipërisë, për një arsye të rëndësishme, sidomos emigracioni, por ka një dokumentacion minimal dhe një adresë me të cilën mund të komunikojë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do kenë të drejtën e votës,” theksoi ai para mediave.

Gjithsesi, grupi i ekspertëve që ka si detyrë të hedhë në letër dakordësinë politike akoma nuk ka një dokument final për shkak se  akoma nuk ka ujdi për çështjen tjetër, atë të përllogaritjes së herësit.

“Po punohet ende,” i tha BIRN-it Ivi Kaso, ekspert i PD-së.

Gjiknuri dhe Bylykbashi treguan se po i afrohen një pakti duke e përshtatur formulën e listave të kandidatëve në Kodin Zgjedhor me formulimin kushtetues, ku nuk 1/3 e listës së kandidatëve të jetë e mbyllur e paracaktuar nga kryetarët e partive si “e sigurtë” dhe pjesa tjetër të jetë e lirë, kush merr më shumë vota del në listën fituese.

“Pra një pjesë e mbyllur siç parashikon Kushtetuta dhe pjesën tjetër listë e hapur pa prag dhe pa herës,” sqaroi Gjiknuri duke iu referuar kësaj formule si propozim i PD-së.  Ndërsa Bylykbashi tha se PD do të kërkonte “shtrirjen maksimale të votimit preferencial të zgjedhësve”.

Pakti i pritshëm mes mazhorancës dhe partisë më të madhe në opozitë që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, aktualisht nën arrest shtëpie, u sulmua të hënën nga ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili kontroll një grup deputetësh në opozitë.

Ai akuzoi palët për një “pazar të ndyrë” për të mbajtur lista të mbyllura kandidatësh, ndryshe nga ç’ka urdhëruar Gjykata Kushtetuese./BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura