Mos e vrisni historinë e Vlorës!

Dec 21, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ arben-malaj-1

Pas pavarësisë dhe ekipit “Flamurtari”, Shkolla Tregtare e Vlorës është një ikonë e historisë së saj. Nuk besoj se Shkolla Tregtare e Vlorës do të zhduket, bashkë me të dhe historia e saj, thjesht për të ndërtuar disa pallate, hotel apo muzeum. Këtij shkrimi po i bashkëngjit dokumente arkivore. Vendimi Nr. 116, datë 28.11.1954 i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut Vlorë, në hyrje të tij theksohet se: “Komiteti në këtë rast konstaton se ish-Shkolla Tregtare për qytetin e Vlorës përfaqëson një traditë dhe kjo nuk duhet të zhduket…”.

Edhe nëse është tokë private – asnjë ishpronar nuk mund ta pengojë qeverinë t’i shtetëzojë tokën dhe ish-konviktet për interesa publike. Interesi më i mirë dhe afatgjatë për çdo komb është mirarsimimi. Në përgjithësi, universitetet (Ivy Legua) më të mira në botë si pjesë e krenarisë së tyre funksionojnë edhe sot në ndërtesa shumë të vjetra. “Ivy Legua (https:// www.usnews.com/education/best-colleges/ivyleague-schools) nënkupton ekselencës akademike, selektivitetit në pranimeve dhe elitizmit. Kolegji Eton (https:// www.etoncollege.com/) në Britaninë e Madhe u themelua në vitin 1440 dhe ka edhe sot të njëjtat ndërtesa dhe rregulla strikte të jetës në konvikt aq stresuese sapo kanë hapur një debat në çiftin mbretëror (https:/ /www.geo.tv/latest/578885-kate-middleton-at-ëar-with-prince-william-over-major-decision-about-kids) nëse fëmija i tyre duhet të arsimohet ose jo në Eton. Nga ky kolegj janë diplomuar 20 kryeministra të Britanisë së Madhe.

Kur presidenti i Universitetit të Harvardit, Larry Summer (// www.hks.harvard.edu/faculty/lawrenceh-summers), u pyet nga një student për sfidat e së ardhmes së Harvardit, përballë konkurrencës së kampuseve ultra moderne në Lindjen e Mesme, ai u përgjigj po ata do të kenë ndërtesa më të mira se Harvardi, por atyre u mungon networku mbi 260-vjeçar i historisë së Harvardit. Ja përse nuk përligjet zhvendosja apo prishja e Shkollës së Mesme Tregtare të Vlorës. Do të mjaftonin më pak se 5 për qind e investimeve publike të papërfunduara në vitin 2024 për të kompensuar ish-pronarët dhe për të shmangur shkatërrimin e kësaj shkolle simbol.

Vlora për 30 vite nga viti 1997 deri në vitin 2027 mbetet pa një bibliotekë dinjitoze për publikun e gjerë. Për 30 vite biblioteka e Vlorës nuk ka mundur të ofrojë hapësirat e një biblioteke për një qytet në rritje. Shumë mirë që po bëhen investime tani për një qendër të dijes në qendër të Vlorës. Por, investimet e qeverive përcaktohen nga dobia sociale. Dhe dobia më e madhe vjen nga edukimi i mirë, ku bibliotekat kanë një mision të jashtëzakonshëm, pavarësisht nga forma fizike apo “online”. Sfida për mbrojtjen e Shkollës Tregtare të Vlorës do të jetë një kufi ndarës midis të babëziturve dhe opinionit publik Vlorë-dashës për interesa kaq fisnike për të ardhmen e saj, jo vetëm si kryeqyteti i pavarësisë dhe kontributet heroike në çlirimin të vendit, por edhe si poli i dijes dhe një qendër e rëndësishme e kulturës, arsimit dhe shkencës. Vlorën e ndihmon më shumë funksionimi konkurrues i kësaj shkolle dhe jo Muzeu i saj. 15 vite më parë u privatizuan konviktet e saj, të cilat edhe sot janë jofunksionale dhe mund të jenë në pritje të ndonjë leje ndërtimi.

Në përshkrimin e territorit të shkollës qartësohet se ajo ndodhet në truallin e familjes Koculi, pronë që kufizohet me pronën e familjes Koleka. Të dyja këto familje kanë qenë pronarë të ligjshëm. Kam bindje se po të ishin gjallë të dy, do ia kishin dhuruar tokat e tyre Shkollës së Mesme Tregtare të Vlorës. Njësoj siç ka bërë familja e Manush Myftiut, i cili ka qenë një nga pronarët më të mëdhenj në Vlorë, e cila deri sot nuk ka pretenduar marrjen e tokave të tyre ngaqë i kanë përfituar me ligjin 7501. Sot nuk është e nevojshme që familja Koculi ta dhurojnë tokën dhe blerësit nga privatizimi t’i dhurojnë ish-konviktet. Qeveria ka të drejtën kushtetuese të shpronësimit, për interesa publike. Miredukimi dhe mirarsimimi do të jenë interes publik prioritar dhe i përhershëm. Shkolla ka rreth 380 nxënës, përdor rreth 90% të kapacitetit të saj. Rreth 87% e të diplomuarve punësohen brenda 3 muajve deri në 5 muaj. Vlora mund të bëhet së shpejti poli turistik të vendit. Kërkesa për të diplomuar në turizëm dhe ekonomi po rritet me shpejtësi dhe do të rritet edhe më shpejt. Shkolla e Mesme Tregtare e Vlorës duhet të rritet dhe jo të zhvendoset. Shkolla Tregtare e Vlorës me historinë, arritjet dhe vendndodhjen e saj duhet të shërbejë si magnet për më shumë studentë, edhe nga vende të tjera. Shkolla e mesme tregtare duhet të ndërkombëtarizohet duke u binjakëzuar me shkollat evropiane të profilit të saj dhe duke ofruar diploma të vlefshme për tregun shqiptar dhe të huaj.

Në vendet moderne, milionerët ndërtojnë shkolla, spitale, biblioteka. Në Shqipëri disa biznese, disa qeveritarë dhe ishqeveritarë, të verbuar nga babëzia e tyre, nuk po ndalen në shkatërrimin e shkollave, por edhe shumë pasurive të tjera të trashëgimisë sonë në fushën e kulturës dhe edukimit. Misioni i shkollës është edukimi i mirë për brezat. Përfitues të miredukimit nuk janë vetëm individët, por përfitojnë shumë familjet, komuniteti dhe shoqëria. Fakti që shkolla tregtare është e vjetër dhe kërkon shumë para për mirëmbajtje është absurd. Vendet me kulturë historike shpenzojnë miliona për të rikthyer ikonat e historisë së tyre. Networku/rrjetëzimi i të diplomuarve të shkollës është përfitimi më i madh. Takoj shumë kolegë nga e gjithë Shqipëria që kanë studiuar në Shkollën Tregtare dhe në Shkollën e Mesme Mjekësore në Vlorë. Të gjithë ndihen të përmallur për shkollën dhe Vlorën. Historinë e tyre me Shkollën Tregtare të Vlorës duhet ta trashëgojnë edhe familjet e tyre. Ata janë nga promovuesit më të mirë të Vlorës. Opinioni publik i Vlorës më shumë se çdo gjë tjetër duhet të protestojë dhe të ndalojë shkatërrimin e kësaj shkolle kaq të lidhur me historinë e Vlorës. Vlera më e madhe e shkollave nuk janë njohuritë e fituar. Sot në epokën e ekonomisë së dijes dhe inteligjencës artificiale, stoku i njohurive është “asseti” që amortizohet më shpejt. Historia e shkollave dhe rrjeti/networku i tyre janë përfitimi më i madh individual dhe shoqëror.

Ky shkrim është një apel publik për qytetarët, deputetët dhe këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës, pavarësisht përfaqësimit partiak si edhe për intelektualët vlonjatë kudo që janë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura