“Dëgjuesi nuk është një, turma është një, po me sa duket, kënga jonë po përjeton krizën e vetë shqiptarëve”.
Pandi Laço ka zgjedhur të mos qëndrojë në heshtje për sa i përket Festivalit të Këngës, e të flasë për ngjarjen më të madhe të këngës në vend. Ai pohon se kohët kur dëgjonim Vaçe Zelën apo Tonin Arapin janë të largëta, e publiku në rrethanat që jetojmë, nuk duhet të pretendojë që të dëgjojë të tillë zëra, mirëpo nuk heq dorë nga misioni i artit, që duhet të shkojë përtej argëtimit të masës.
PANDI LAÇO
Mes dyzimit të shfaqjes së një opinioni dhe heshtjes, si autor këngësh e producent spektaklesh, edhe këtë herë, zgjodha rrugën e parë. Vjet, një status lidhur me këngën, u keqkuptua e keqinterpretua edhe nga disa profesionistë të muzikës. Shpresoj që ky status të kuptohet drejtë.
T’i kuptosh gjërat gabim, nuk përbën ndonjë mëkat të madh. Përkundrazi! Urrejtja, fudullëku, indiferenca, janë disa nga shtatë mëkatet kapitale. Kështu që unë po vendos ta çliroj veten nga mëkati i indiferencës, duke hedhur disa mendime. Të tjerët le ta çlirojnë nga mëkatet e tjera, nëse i ndjejnë sadopak në ndërgjegje. Nuk i jap të drejtën vetes të gjykoj të tjerët, por jam i përgjegjshëm për këto që shkruaj. Kur vjen Festivali, njerëzit dhe publiku presin mrekullinë. Presin festën e fundvitit, që kanë qenë mësuar ta konsumojnë bashkë me gjelin e Vitit të Ri.
Presin këngë që të këndohen të nesërmen e prezantimit në skenë. Por kjo s’do të ndodhë më kurrë! Me ritmin frenetik që ka jeta sot, askush mos të pretendojë të dëgjojë një zë si ai i Vaçes apo Toninit, të shohë një buzëqeshje “ujë e sapun” si ajo e Parashqevisë, apo fytyrën engjëllore të Adriana Cekos. Ekzigjencat kanë ndryshuar. Normalisht edhe pritshmëritë nga figurat e ekranit, artistë, interpretues, moderatorë, janë krejt ndryshe. Mediat, portalet, zërat që dëgjohen sot janë të amplifkuara në krahasim me dikur. Dikur, një spektator mund të diskutonte shijet e tij me shoqet e klasës apo me disa pjesëtarë të “kolektivit” të punës.
Sot, edhe njeriu më i painformuar e më profan, mund të bëjë një koment e të ketë publikun e tij. Kështu, “tam-tam”-i dhe gjylet ndaj Thomait e Verës, sot dëgjohen shumë më tepër. Ndërkohë që një kohë, mjaftonte vetëm një gjyle të binte. Si në Festivalin e 11-të! Ajo të shuante me fis e me farë. Sot, gjylet janë qindra, po efekti i tyre është më i shkurtër se ai i fishekzjarrëve të natës së Vitit të Ri. Megjithatë, mundohemi të shkëputemi nga Festivali, se fundi i fundit, aty 20 këngë këndohen.
A të vijmë në thelbin e çështjes? A të flasim pak për një të vërtetë të hidhur? Kënga shqiptare po përjeton prej vitesh një krizë! Kur them kënga shqiptare, nënkuptoj kënga që ka një identitet. Dikush mund të më sjellë argumentin se gjithçka është globalizuar, kështu që edhe ne si të gjithë. Në fakt, nuk është kështu! Kënga vërtet është 3 minuta, por përmbajtja e saj është si një film, si një tregim, si një roman, si një vepër e artit figurativ. Pra, duhet të thotë diçka.
Nëse e pranojmë këtë gjë, unë me bindje mund të them se kënga është në krizë të thellë madje. Vetëm xixëllonja të vogla artistike mund të shoh në këtë terr të këngës. Një Vlashent që don “Me jetu” e një Bojken që thotë “Malasin” e ndonjë tjetër, janë të papërfillshëm në një panoramë kaq të madhe të muzikës shqiptare. Meqë shpesh i referohemi Festivalit të Sanremos, kënga e fundit fituese “Soldi” ka një fill e një mesazh, po ashtu ajo e Ermal Metes e Fabrizio Moros, “Non mi avete fatto niente” , apo Francesco Gabbanit, “Oçidentali’s Karma”.
Për një lexues më të gjerë – që s’i ka dëgjuar me atë vesh këto këngë, tema e braktisjes së familjes, njeriut të dhënë vetëm pas parasë, tema e terrorizmit dhe frikës prej tij, janë vetëm disa pjesëza nga tematika e oqeanit që mbulon muzikën. Kënga është muzikë e vargje. Sot kemi, pothuaj, asnjë mesazh, e gjithçka pastaj ndjenja e perceptime krejt të sipërfaqshme.
Varfëri në ide, pak inovacion, pak eksperimente artistike, në muzikë e orkestracion jo e jo, po as në vargje. Për sa kohë që kënga do realizohet siç prodhohet një “Molto chipita”, me loop-a dhe beat-e, e do ketë varfri idesh në përmbajtjen e teksteve, figuracione të varfra, shpesh vulgare e banale, fjali të stërpërsëritura, plot e përplot me zanore që t’ju tingëllojnë vokalizave dhe këngëtarëve, kjo histori do vazhdojë. Ama, kështu kënga nuk bën dot histori.
Dëgjuesi i thjeshtë, në përditshmërinë e halleve që ka, sot mund të këtë pak kërkesa ndaj vetës. I mjafton thjeshtë një melodi e një ritëm për t’u argëtuar. Për këtë masë dëgjuesish, ka boll muzikë. Ata thonë kollaj “zemrën ma me thy”, e po “plas”. Po dëgjuesi nuk është një. Turma është një! Po me sa duket, kënga jonë po përjeton krizën e vetë shqiptarëve. Normalisht në periudha krizash, arti del mbi të, jo vetëm duke vënë gishtat mbi plagë, pse jo edhe duke reaguar.
Përveç krizës së përgjithshme, varfërisë ekonomike, PPP-të, kriza shpirtërore, njeriu që ka humbur orientimin, i dëshpëruar, me sa duket janë pasqyra ku kënga shihet çdo ditë në mëngjes, vërdalloset gjithë ditën në bar-e, bën llogje e llogje pafund, dhe bie të flejë në darkë pa shkruar asgjë në ditarin në saj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al