Mos riparo diçka që nuk është e prishur

Oct 1, 2024 | 7:49
SHPËRNDAJE

NGA ANETA WOLTER ANETA WOLTER

Asnjëherë nuk e kam parë dhe ndjerë popullin shqiptar kaq të trazuar sa këto ditë vjeshte. Gjithashtu, kam kuptuar se instinktet dhe urtësia, të cilat janë jetike për mbijetesën e një populli, janë të gjalla te shqiptarët, ashtu si edhe dashuria për kombin, përtej çdo politike. Pa dyshim, këto janë vlera me të cilat mund të fitohet çdo betejë. “Shteti bektashi” i propozuar nën qiell të huaj, larg syve të tyre, i ka tronditur shqiptarët. Duket qartë që shqiptarët e të gjitha besimeve nuk e duan atë. Me të drejtë.

“Mos riparo diçka që nuk është e prishur”, – thonë gjermanët në këto raste. Janë pikërisht shqiptarët, ata që kanë mundësuar bashkëjetesën paqësore ndërfetare, këtë histori suksesi, këtë bashkërendim shpirtëror dhe strukturor ndërmjet tyre, që janë shprehur kundër “shtetit bektashi”. Prandaj, ata duhen dëgjuar. Popujt e tjerë janë përgjakur në raste të tilla. Kryeministri i vendit, por edhe shumë nga ne, e tundim kartën e bashkëjetesës ndërfetare paqësore të shqiptarëve si një kartë koncerti, sipas rastit. Kur jam pyetur në Gjermani se si është bërë e mundur kjo gjë, nuk kam ditur t’i përgjigjem saktë.

Ndoshta jo vetëm unë kam nevojë ta njoh më mirë këtë fenomen shpirtëror thellësisht shqiptar. Ka ardhur koha t’ua mësojmë edhe fëmijëve në librat e shkollës. Por, për momentin, ajo që është më urgjente është të mos lejojmë askënd, as kryeministrin, as partnerë, as tokësorë dhe as jashtëtokësorë që të ndikojnë në asnjë formë, për asnjë arsye, në ekuilibrin ndërfetar në Shqipëri. Shqiptarët vërtet nuk e duan atë, por helmi i këtij propozimi fatkeqësisht ka filluar të kërkojë rrugën në trupin dhe shpirtin e kombit. Me të drejtë, bashkësia islame, komuniteti fetar më i madh në vend dukshëm është shqetësuar, po ashtu edhe bektashinjtë dhe të krishterët. Duket se ka një tronditje ndërfetare.

Se deri ku do të arrijnë lëkundjet, nuk e di, por logjika më thotë se duhet të shqetësohemi të gjithë, sa nuk është vonë. Prandaj shumë presin që bektashinjtë të distancohen publikisht nga kjo ide e të tjerëve. Është përgjegjësia e tyre. Ndërkohë që analizojmë bashkëjetesën fetare brenda trojeve tona, mendoj se është lënë pak në hije dimensioni tjetër i idesë. Konkretisht, çdo “shtet i ri”, me apo pa raki, synon në fund të fundit të pozicionohet jashtë kufijve të tij dhe si i tillë, për qëllime njohjeje, besimi apo financimi do të jetë aktiv edhe aty ku ka konflikte të nxehta, drejtpërdrejt nga toka shqiptare. Por edhe e kundërta mund të ndodhë, nga jashtë brenda.

Ne nuk i ndalojmë dot zjarret apo konfliktet fetare nëpër botë, por një gjë e bëjmë dot: të qëndrojmë sa më larg tyre. Të mos bëhemi protagonistë pa pas nevojë. Ky protagonizëm mund t’u duket interesant disa individëve, por kurrsesi ky protagonizëm nuk mund të jetë i shqiptarëve, kurrsesi i Shqipërisë, kurrsesi i Kosovës! Unë nuk gjej asnjë arsye për protagonizëm. Asnjë! Dhe jo vetëm unë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura