“Mos u dëshpëroni”- Mesazhet e Kamala Harris pasi pranoi humbjen përballë Donald Trump: Nuk është koha për t’u dorëzuar! Të qëndrojmë të angazhuar

Nov 6, 2024 | 22:58
SHPËRNDAJE

Kandidatja demokrate Kamala Harris mbajti fjalimin për pranimin e humbjes në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përballë republikanit Donald Trump.

harris11

Ajo pranoi humbjen, por u zotua të luftojë për premtimet që i bëri gjatë fushatës.

“Ndërsa i pranoj këto zgjedhje, nuk e pranoj luftën që nxiti këtë fushatë,” tha Harris.

 

Harrisi u bëri thirrje demokratëve ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, ndonëse theksoi se nuk ishte ai që prisnin.

“Zemra ime është plot sot. Plot mirënjohje për besimin që më keni dhënë, plot dashuri për vendin tonë dhe plot vendosmëri. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është ai që donim, nuk është ai për të cilin luftuam, nuk votuam, por nuk do të dorëzohemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë”, ka thënë ajo.

“Tani, e di që njerëzit po ndiejnë dhe po përjetojnë një sërë emocionesh. E kuptoj, por duhet të pranojmë rezultatet e këtyre zgjedhjeve”, ka shtuar zëvendëspresidentja.

Më tej  bëri të ditur se ka folur për Trumpin që të ketë “transferim paqësor të pushtetit”.

Në përfundim të fjalës së saj, demokratja tha se ka “një thënie që një historian e quajti ligj të historisë, e vërtetë për çdo shoqëri gjatë shekujve”.

“Kjo thënie është ‘Vetëm kur është mjaft errësirë, mund të shihni yjet’”, pohoi ajo.

“Nuk është koha për të ngritur duart lart. Kjo është koha për të përveshur mëngët. Kjo është një kohë për t’u organizuar, për t’u mobilizuar dhe për të qëndruar të angazhuar për hir të lirisë dhe drejtësisë dhe të ardhmes që të gjithë e dimë se mund ta ndërtojmë së bashku”, tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura